Kosova shtet në teatër
Për herë të parë bëhet prezantimi i teatrit nga Kosova e pavarur me një vepër të disidentit çek Vaclav Havel
Qëllimi i shfaqjes së "Audiencës" së Vaclav Havelit në Teatrin Kombëtar në Tiranë,është të prezantojë për herë të parë një trupë teatrore nga Kosova e pavarur. Prandaj premiera e teatrit "Dodona" nga Prishtina ka një vlerë simbolike, përpos vlerave që sjell kjo vepër e vënë në skenë 11 vjet të shkuara nga regjisori
Fatos Berisha. Nata e parë e shfaqjes në sallën e vogël të Teatrit Kombëtar, të premten më 4 prill, në orën 19.00, është për të ftuarit, dhe të shtunën është me bileta. Nesër në mesditë, trupa nga Prishtina del para medias në një konferencë për shtyp.
"Audienca" e dramaturgut çek është një komedi e zezë po aq dhe një teatër politik që rrëfen fatin e një shkrimtari disident, Vanjekut, i detyruar që të punojë si punëtor në një birrari. Vanjek ngre arka birrash derisa i zoti i punës i ofron një punë zyre nëse pranon të spiunojë veten. Kështu që për herë të parë në Kosovë "Audienca" po shfaqej në një atmosferë represioni dhe frike për t'i folur "intelektualit" që zgjedh për të ikur nga liria. Vepra e Havelit u shfaq edhe gjatë luftës së Kosovës, në Tetovë të Maqedonisë në vitin 1999 si pjesë e lëvizjes "Teatri Dodona në Ekzil". Vaclav Havel me të dëgjuar këtë lajm, i prekur nga fakti që artistët refugjatë zgjodhën të luajnë veprën e tij, dërgoi një faks ku shkruante: "Jam i prekur thellë kur dëgjova që inskenimi i tekstit tim ju ka sjellë kënaqësi dhe ju ka bërë të harroni fatin tuaj. Le të shpresojmë se fati juaj së shpejti do të ndryshojë për të mirë."
E pranishme në shfaqjen në Tetovë ishte edhe aktorja e mirënjohur britanike Vanessa Redgrave e cila pas shfaqjes tha: Shfaqje e shkëlqyeshme. Këta janë aktorë të mrekullueshëm. Standardi i kësaj shfaqjeje është aq i lartë. E di se Peter Brook do dëshironte t'i shihte!".
Premiera e "Audiencës" në Tiranë shënon shfaqjen e parë në ndonjë teatër shqiptar të Vaclav Havelit. Interpretojnë Shkumbin Istrefi dhe Armond Morina. Skenograf Ilir Murseli, muzika Ilir Bajri.