E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ahmadinejad: Sanksionet forcojnë Iranin

I përballur me mundësinë e sanksioneve të reja, për shkak të mosbindjes bërthamore të Iranit, presidenti iranian, Mahmoud Ahmadinejad, theksoi dje se sanksionet e reja vetëm sa do të forcojnë përparimin teknologjik të vendit të tij.

Ahmadinejad gjithashtu theksoi se hapat e SHBA-së, për të shtuar trysninë ndaj Iranit, kanë qenë kontraproduktiv dhe e kanë izoluar Washingtonin në sytë e botës.

“As mos mendoni se mund të ndalni përparimin e Iranit. Sa më shumë që shpalosni armiqësinë tuaj, aq më shumë do të shtohet motivi i popullit për të dyfishuar përpjekjet për arritjen e përparimit në Iran”, theksoi Ahmadinejad.

SHBA-ja dhe disa aleatë të saj kanë akuzuar Iranin se programin e vet civil bërthamor po e shfrytëzon si mbulesë, për të zhvilluar armë bërthamore. Irani ka mohuar këto akuza dhe ka theksuar se programi i vet bërthamor e ka për qëllim prodhimin e energjisë.

OKB-ja tashmë ka vendosur tri rrathë të sanksioneve kundër Iranit.

Ekonomia e Iranit ka vuajtur gjatë vitit të kaluar dhe parlamenti në Teheran ka miratuar reduktimin e subvencioneve, për të mbajtur të ulët çmimin e naftës, një goditje kjo e re për popullin iranian, i cili tashmë po vuan nga inflacioni dhe papunësia e lartë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›