E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ahmadinejad hidhëron sërish Perëndimin

Presidenti i Iranit, Mahmoud Ahmadinejad, ka urdhëruar sot agjencinë bërthamore të vendit të tij që të fillojë prodhimin e uraniumit të pasuruar në nivel më të lartë, hap ky i cili me gjasë vetëm sa do të thellojë skepticizmin ndërkombëtarë në lidhje me synimet e vërteta të Teheranit për çështjen e uraniumit të pasuruar.

Në komentet e tij, të përcjella nga televizioni shtetëror, Ahmadinejad tha:”Me vullnetin e Zotit, do të fillojë pasurimi në nivelin 20 për qind, për të përmbushur nevojat e Iranit”.

Ai nuk ofroi ndonjë datë për fillimin e procesit të pasurimit të uraniumit. Ahmadinejad këtë deklaratë e bëri gjatë takimit, në të cilin mori pjesë edhe kryesuesi i agjencisë bërthamore të Iranit, Ali Salehi.

Duke u drejtuar kah Salehi, Ahmadinejad tha:”Zoti Salehi, filloni prodhimin e uraniumit të pasuruar 20 për qind”.

Prodhimi i uraniumit të pasuruar është elementi kryesor që shqetëson bashkësinë ndërkombëtare në lidhje me programin bërthamor të Iranit, pasi që uraniumi i pasuruar mund të shfrytëzohet për prodhimin e armëve bërthamore.

Irani ka mohuar akuzat e Perëndimit se po synon prodhimin e armëve bërthamore, duke theksuar se programi i vet është paqësor dhe ka për qëllim prodhimin e energjisë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›