E Diel, 1 Nëntor 2026

Ahmadinexhad - President. Nuk u urua nga të moderuarit

Lideri suprem i Iranit ka zyrtarizuar
përmes ceremonisë së
djeshme zyrtare mandatin e dytë
presidencial të Mahmud Ahmadinexhad.
Kjo ceremoni u
bojkotua nga krerët e moderuar
të politikës në shenjë proteste
ndaj votimit që la shumë për të
dëshiruar dhe që e futi vendin
në krizën e tij më të thellë që nga
ditët e revolucionit të vitit 1979.
Dy ish-presidentë, Akbar Hashemi
dhe Mohammad Khatami që
mbështetën kandidatin opozitar,
Moussavi, nuk morën pjesë në
ceremoninë e djeshme edhe pse
ata kanë qenë prezentë në ceremoni
të tilla në të shkuarën. Lideri
suprem ia ka dorëzuar mandatin
e dytë Presidentit Ahmadinexhad,
duke e cilësuar atë një lider të
guximshëm dhe shumë punëtor,
përveçse të mençur dhe President
të Republikës së Iranit. Pas
ceremonisë, qindra mbështetës të
Musavit janë mbledhur në qendër
të Teheranit në shenjë proteste
ndaj zyrtarizimit të një Presidenti
i cili, sipas tyre, erdhi në pushtet
përmes vjedhjes dhe dhunimit
të votës presidenciale. Policia
është grumbulluar në qendër, por
vetëm ka qëndruar në gatishmëri
pa ndërhyrë. Të tjera figura të
moderuara e reformistë e kanë
akuzuar qeverinë për mashtrim
elektoral dhe ushtrim dhune
ndaj demonstruesve që dolën në
rrugë për të kërkuar respektimin
e votës së tyre, menjëherë pas
votës presidenciale. Në ceremoni,
Lideri Suprem i ka akuzuar të
gjithë liderët e moderuar dhe
kundërshtarët e Ahmadinexhadit,
duke i cilësuar "elita të dështuara
në përpjekjet e tyre". Ndërsa
vetë Presidenti i sapomandatuar
deklaroi se rivalët e tij tentuan që
ta ndanin nga Lideri Suprem, por
nuk ia dolën dot mbanë, sepse ai
dhe Kamenei janë si babë e bir.
Zyrtarët iranianë kanë mohuar
ndonjë falsifikim në zgjedhjet
presidenciale në të cilat zyrtarisht
Ahmadinexhad u deklarua fi tues
me 63% të votave. Pa mbështetjen
e Liderit Suprem, Ahmadinexhad
do të ishte përplasur me shumë
vështirësi e ndoshta dhe rezultati
i zgjedhjeve do të ishte vënë në
diskutim. Për shumë analistë të
jashtëm të situatës, muajt e fundit
kanë qenë një luftë e vërtetë për
pushtet brenda establishmentit të
Iranit një luftë mes përfaqësuesve
e mbështetësve të linjës së ashpër
dhe të moderuarve. Bëhet fjalë për
një betejë të vjetër që është acaruar
shumë për shkak të çështjes së
ambicies bërthamore të Iranit dhe
situatës së vështirë ekonomike fajtor
për keqmenaxhimin e së cilës
bëhet Ahmadinexhadi. Analistët
dhe vëzhguesit e huaj bëjnë të
ditur se pas protestave postelektorale,
qindra njerëz kundërshtarë
të regjimit janë futur nëpër burgje
përfshi gazetarë, politikanë të rinj,
studentë e të tjerë. Ndërkohë,
situata nuk është qetësuar aspak
edhe pse në sipërfaqe duket
sikur është vënë nën kontroll. E
ndërkaq janë përcaktuar mirë
dy grupet rivale, ata që janë pro
vazhdimësisë së qëndrimeve të
deritanishme dhe atyre që janë
për një qëndrim më të moderuar
të lidershipit brenda dhe jashtë
vendit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›