E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kthehen "në modë" plazhet anës lumenjve

Prej ditësh, në qendrat e
banuara të rretheve të rajonit
jugor që nuk lagen
nga ujërat e detit Jon, banorët i
janë drejtuar brigjeve të lumenjve
për t‘u freskuar gjatë ditëve të
nxehta të gushtit. Qindra pushues
"zbarkojnë", sidomos gjatë
ditëve të fundjavës, në brigjet e
Vjosës pranë qytetit të Përmetit,
në Langaricë pranë Petranit, në
pikën turistike të Ujit të Ftohtë
Tepelenë, në liqenin artifi cial të
Viroit, në pishinat e Valaresë dhe
Goricës në Dropull, e gjetkë. Një
pjesë e banorëve të këtyre zonave,
nga ata që "ua mban xhepi", kanë
udhëtuar edhe drejt plazheve
të bregdetit nga Borshi deri në
Ksamil, por natyrisht që ata,
me të ardhura më të kufizuara
që nuk e përballojnë dot koston
e "kripur" të udhëtimit dhe
akomodimit pranë detit, kanë
preferuar të pushojnë më lirë me
sa më pak shpenzime dhe sa më
afër shtëpisë: në lumë, në rezervuare,
apo në pishinat e pakta të
zonës. Drejtuesit e shoqërisë "Argjiro"
të transportit të udhëtarëve
në Gjirokastër thanë dje se drejt
plazheve të Sarandës këtë fundjavë
ishin prenotuar vajtje-ardhje
rreth 15 autobusë të mbushur
me pushues dhe duke llogaritur
edhe numrin pushuesve që kanë
udhëtuar me autovetura llogariten
rreth 2000 persona që kanë
udhëtuar drejt bregdetit. Sipas
policëve të qarkullimit rrugor në
akset jugore, llogaritet se drejt
pikave më të afërta në luginat e
lumenjve të Vjosës dhe Drinosit
të kenë udhëtuar për të pushuar
rreth 10000 qytetarë. Rikthimi
te tradita e vjetër e frekuentimit
të miniplazheve lumore pranë
qendrave të banimit në disa pika
të depozitimeve natyrore ranore
është një zgjidhje origjinale dhe
me kosto të ulët për të kaluar orët
më të nxehta të ditës. Më origjinalë
në këto zgjidhje praktike,
duket se janë përmetarët, të cilët
kanë më shumë se 30 vjet që,
krahas miniplazheve në brigjet e
Vjosës, kanë nisur prej kohësh të
pushojnë edhe pranë burimeve
me ujëra termale dhe kurative
të Bënjës.
Çmimet
Ndonëse gjirokastritët njihen
si më të kursyer dhe më racionalë
në llogari, kostoja e pushimit në
disa komplekse pishinash në
Valare dhe Dropull për shkak të
"çmimeve" të kripura u ka kushtuar
më shtrenjtë se të tjerëve.
Qëndrimi disa orë në këto pishina
kushton shtrenjtë, pasi vetëm për
hyrjen në mjediset e tyre duhen
paguar 200 lekë, ndërsa për t‘u
larë në pishinë çmimi i biletës
varion nga 300 deri në 500 lekë
për një person. Ajo që bie në sy
te pushuesit e këtij rajoni në këto
ditë të nxehta gushti, është praktika
e re për të frekuentuar disa
pika turistike malore, me burime
natyrore ujërash të pastra dhe
hije të freskëta, si: Parku Natyror
i Sotirës, Rrapi 5-shekullor i Libohovës,
Kanioni i Kurveleshit dhe
Bençës, Gurra e Picarit, Lëndinat
e Çajupit, Parku Natyror i Bredhit
të Hotovës, fshatrat e Lunxhërisë,
etj. Dhjetëra familje kanë nisur
të frekuentojnë në fundjavë këto
vende me peizazh dhe klimë
natyrore të rrallë. Drejt këtyre
vendeve ata organizojnë pushime
të përkohshme në formë pikniku,
duke gatuar e konsumuar ushqimet
në natyrë të hapur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›