E Diel, 1 Nëntor 2026

Ahmadinexhad ne fjalimin e fundit ne OKB akuza perendimit per kercenim

Në fjalimin e tij të fundit në Kombet e Bashkuara, para se të përfundojë mandatin si president, Ahmadinexhad ka hedhur një varg kritikash edhe në drejtim të këtij institucioni. “Kombet e Bashkuara, të cilat janë krijuar me qëllim të zgjerimit të drejtësisë dhe sigurimit të të drejtave universale, në praktikë kanë qenë të karakterizuara nga diskriminimi, kanë përgatitur një terren mbështetës për dominimin e disa vendeve të fuqishme. Rrjedhimisht, joefikasiteti i OKB-së ka qenë në rritje. Ekzistimi i së drejtës së vetos dhe monopolizimi i pushtetit në Këshillin e Sigurimit e kanë bërë pothuajse të pamundur mbrojtjen e të drejtave të kombeve”, ka deklaruar Ahmadinexhad. Presidenti iranian ka thënë se kërcënimet e, siç i ka quajtur ai, të zionistëve të pacivilizuar për aksione ushtarake kundër Iranit, janë “një shembull i qartë i realitetit të hidhur”. Ahmadinexhad nuk i është referuar programit bërthamor të Iranit gjatë fjalimit të tij. Të martën, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka thënë se “nuk ka kohë të pakufizuar” për të zgjidhur me diplomaci krizën rreth aktiviteteve atomike të këtij vendi. Obama ka thënë se Shtetet e Bashkuara respektojnë të drejtën e vendeve për qasje në fuqinë paqësore bërthamore, por ka paralajmëruar se “një Iran bërthamor mund të kërcënojë ekzistencën e Izraelit, sigurinë në vendet e Gjirit dhe stabilitetin e ekonomisë globale”. Izraeli ka kërcënuar me sulme ushtarake kundër objekteve bërthamore të Iranit. Ministrat e Jashtëm të Shteteve të Bashkuara, Rusisë, Kinës, Britanisë, Francës dhe Gjermanisë do të takohen të enjten në Nju Jork, për të diskutuar tensionet në rritje rreth Republikës Islamike. Gjatë fjalimit të Ahmadinexhad, mijëra njerëz kanë mbushur sheshin pranë Kombeve të Bashkuara, për të protestuar kundër regjimit iranian. Ish-kryetari i Nju Jorkut, Rudolf Xhuliani, dhe ish-kreu i Dhomës Përfaqësuese të Kongresit Amerikan, Njut Gingriç, janë shfaqur në protestë. Sirianët poshtu kanë protestuar mbështetjen e Iranit për regjimin e presidentit Bashar al-Assad.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›