E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ahmadinexhad, në gjendje jo të mirë shëndetësore

Gjendja shëndetësore e Presidentit iranian, Mahmud Ahmadinexhad, është rënduar nga mbingarkesa me punë, por sëmundja nuk është aq serioze sa kërkojnë ta shfaqin kundërshtarët e tij politikë. "Presidenti do të shërohet plotësisht shumë shpejt dhe do të vazhdojë punën, por disa njerëz do të mbulohen nga turpi që sajuan diçka të tillë", sqaroi Muhamed Ismail Kovsari, anëtar i Parlamentit, në një raport të agjencisë iraniane të lajmeve, IRNA. "Zërat që Ahmadinexhadi është i sëmurë rëndë janë pjesë e një komploti për të ndikuar fatet e zgjedhjeve që do të mbahen qershorin e ardhshëm". Kovsari i përkufizoi zërat si "luftë psikologjike", me qëllim krijimin e çarjeve mes votuesve që përbëjnë bazën e zgjedhësve të Ahmadinexhadit.

Një tjetër raport i IRNA-s bënte me dije se Presidenti Ahmadinexhad kishte munguar në shumë evenimente të rëndësishme gjatë ditëve të fundit për shkak të sëmundjes. Në të citohej Mansur Borgei, zyrtar i lartë i presidencës, i cili tha se Ahmadinexhadi "ndihej i sëmurë për shkak të mbingarkesës në punë".

Agjencia "Associated Press" bëri me dije se Presidenti iranian, i cili sot mbush 53 vjeç, mori pjesë të shtunën në një ceremoni fetare në Teheran, megjithëse dukej i lodhur teksa përshëndeste mbështetësit e pranishëm. Sipas "Associated Press" u pa të dielën edhe në ekranin e televizionit shtetëror teksa pranonte kredencialet e tre ambasadorëve të huaj.

Muajt e ardhshëm konsiderohen si shumë kritikë për Ahmadinexhadin, i cili duhet të përpiqet shumë për të ruajtur bazën e zgjedhësve dhe të hedhë poshtë si të pabaza kritikat për mospërmbushjen e premtimeve elektorale, përfshi atë për të shtrirë të ardhurat nga nafta në provincat më të varfra të shtetit.

Kritikat e forta mbi mënyrën si ka menaxhuar shtetin - në një çast kur norma e papunësisë së vendit është 10 për qind - po vijnë më së shumti nga mbështetësit e tij konservatorë. Ahmadinexhadi shihet me sy të keq edhe për qëndrimin e ashpër që ka mbajtur me Perëndimin për shkak të programit të tij nuklear, gjë që ka rënduar së tepërmi raportet e vendit me komunitetin ndërkombëtar.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›