E Diel, 1 Nëntor 2026

Ǒi pret republikanët po të humbasë MekKeini?

Në rast se republikani Xhon MekKein humbet zgjedhjet e 4 nëntorit, siç tregon pjesa dërrmuese e sondazheve, partia e tij mund të bjerë në një fazë të errët, e cila do të kërkojë shumë kohë të lihet prapa. Shumë analistë dhe disa aktivistë të kësaj partie mendojnë se humbja e garës për Shtëpinë e Bardhë do të nxjerrë në pah grackën ku kanë rënë republikanët, duke u mbështetur në masë shumë të madhe në një grupim të vogël të krishterësh konservatorë, mbështetja e të cilëve ka qenë gjithsesi shumë e rëndësishme në sukseset elektorale republikane. Ndërkohë që disa konservatorë mendojnë se një fitore e mundshme e Barak Obamës, të cilin e vërejnë si "ultra liberal", do t‘i shtyjnë të veprojnë më me energji gjatë zgjedhjeve të termit të mesëm për vendet në kongres, si dhe në betejën e vitit 2012 për Shtëpinë e Bardhë.

Zgjedhjet janë ende një javë larg dhe gjithçka mund të ndodhë gjatë këtij harku kohor. MekKeini ka treguar gjatë viteve se është në gjendje të ringjallet nga hiçi. Por duhet pasur parasysh se thuajse të gjitha sondazhet serioze e nxjerrin Obamën fitimtar, ndërsa fushata e tij përfiton nga kriza financiare që ka tronditur Amerikën, duke u hequr nga duart republikanëve edhe flamujt e tyre të betejave elektorale, siç janë aborti dhe martesat mes njerëzve të së njëjtit seks.

Fitorja e ngushtë e Bushit në vitin 2004 i dedikohet në masë të konsiderueshme mbështetjes te çështje si martesa mes homoseksualëve dhe aborti, përqasje që ftoi në votime besimtarët. Republikanët e moderuar thonë se humbja e MekKeinit do nxirrte në pah dobësitë e asaj strategjie dhe do demonstronte se partia nuk mund të ketë shanse të fitojë nëse i përqendron strategjitë te përpjekjet për të kënaqur bazën pa treguar interes për qendrën.

"Mbështetja te konservatorizmi social largon të moderuarit dhe bashkë me ta një pjesë të mirë të votave", tha Patrik Samon, kryetari i një grupimi të moderuar republikan. "Republikanët duhet të sigurojnë mbështetjen e evangjelistëve, por nuk duhet ta teprojnë me këtë prirje aq sa të largojnë të moderuarit", tha Deivid Domke, profesor komunikimi në Universitetin e Uashingtonit në Siatëll, i specializuar në "faktorin besim" në politikën amerikane.

Analistë të tjerë vërejnë gjithashtu se edhe lëvizja evangjeliste nuk është monolite në vetvete, duke qenë se e zgjeron axhendën me përfshirjen brenda saj të luftës kundër ndryshimeve klimaterike dhe humbet disa prej kauzave të rëndësishme në situatën e sotme sociale. Sondazhet po tregojnë se çështjet si aborti dhe të drejtat e homoseksualëve po bien gjithnjë e më poshtë në listën e prioriteteve të grupimeve evangjeliste, megjithëse mbeten ende mjaft të rëndësishme.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›