E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kur Sara flet, partinë e zënë të dridhurat

Pas shkëputjes së shkurtër për të takuar në Havai gjyshen e sëmurë rëndë, Barak Obama është kthyer për të folur para zgjedhësve nëpër sheshe. Më pak se dhjetë ditë nga zgjedhjet, kandidati me ngjyrë demokrat dhe rivali republikan e shpenzuan gjithë fundjavën në kërkim të votave të Perëndimit, nga ku mund të varet edhe fati i Presidentit të ardhshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Që të dy i përqendruan forcat në Nevada, Kolorado dhe Nju Meksiko, të konsideruar si shumë të rëndësishëm nga stafet e të dy rivalëve. "Unë i përkas Perëndimit të vjetër dhe ia nuhas më së miri sfidat", tha MekKeini në një miting në Nju Meksiko. Por nëse sipas traditës elektorale, në këtë zonë dominojnë republikanët, sot Obama shfaqet në avantazh në Nevada e Kolorado (përkatësisht 3 dhe 6 pikë), ashtu si dhe në Nju Meksiko (më shumë se 8 pikë).

"Reuters/C-SPAN/Zogby": Obama vetëm 5 pikë përpara

Ndërkaq, sipas sondazhit të fundit të kryer nga "Reuters/C-SPAN/Zogby", rezultatet e të cilit u bënë publike të dielën, tashmë avantazhi i Obamës është ngushtuar edhe më tej, duke mbërritur në vetëm 5 pikë. Në deklaratën e lëshuar nga realizuesit e sondazhit, vërehet se kjo rënie është shënuar në një hark shumë të shkurtër kohor, duke qenë se të enjten e shkuar diferenca mes dy rivalëve ishte 12 pikë. "Gjërat po marrin për mirë për MekKeinin. Numrat e tij po rriten, ndërkohë që ato të Obamës po bien ditë pas dite. Duket se ky trend është i lidhur në mënyrë të drejtpërdrejtë me përqendrimin e MekKeinit te çështjet ekonomike", shpjegoi në një konferencë për shtyp eksperti i sondazheve, Xhon Zogbi. 72-vjeçari MekKein reagoi me vonesë ndaj mesazheve që lëshoi Obama gjatë ditëve të fundit në lidhje me krizën aktuale financiare, por duket se ka ditur ta bëjë më së miri këtë që nga e enjtja. Të shtunën, kandidati republikan i paralajmëroi votuesit për rrezikun që do të sillte fitorja e demokratëve, si në Shtëpinë e Bardhë, ashtu edhe në Senat.

Sondazhet e tjera: Obama kryeson me 53%

Por, paralelisht zhvillohen disa sondazhe dhe secili jep rezultatet e veta. Sipas ekspertëve të tjerë, fati i zgjedhjeve mund të përcaktohet në masë shumë të madhe nga votat e elektoratit hispanik, 61 për qind i të cilit duket se është përkrah Obamës, kundër 29 për qind të MekKeinit. Sondazhi i fundit i "Newsweek" i atribuon kandidatit demokrat një avantazh prej 13 pikësh. Sipas tij, Obama ka përkrahjen e 53 për qind të elektoratit kundër 40 për qind të MekKeinit. E reja kryesore, nënvizon revista e përjavshme, është që Obama dominon në të gjitha kategoritë e zgjedhësve, përfshi edhe të bardhët e shtresave punonjëse dhe gratë, të cilat duket se po largohen gjithnjë e më shumë nga MekKeini me hyrjen në skenë të Sara Peilin.

Peilin, fajtorja e dështimit

Brenda radhëve të menaxherëve të fushatës elektorale të MekKeinit, janë të shumtë ata që kanë nisur të zbrazin mbi Sara Peilin fajin për rënien e MekKeinit, duke e përkufizuar si shkaktaren e vetme në rast dështimi. Diçka e tillë ka bërë që Sara të rebelohet ndaj guruve të MekKeinit, duke vendosur të marrë në dorë vetë frerët e fushatës së saj. "I kanë ardhur në majë të hundës sugjerimet e stafit republikan, të cilat i konsideron si bumerang", shpjegojnë mediat amerikane, "po i largohet gjithnjë e më shumë këshillave të ekspertëve të partisë, për të thënë e për të bërë atë që vendos vetë". Edhe enturazhi i saj bën me dije se guvernatorja e Alaskës "nuk ndihet më e lidhur pas direktivave që i japin Stiv Shmid e Nikol Uallas", dy prej bashkëpunëtorëve më të rëndësishëm të MekKeinit.

Të paktën, hë për hë, rezultati i kësaj mosmarrëveshjeve nuk duket pozitiv për ekipin republikan. "MekKein rrezikon të bjerë nga shiu në breshër", ironizon "Huffington Post". "Sa herë që Sara Peilin hap gojë, partinë e zënë të dridhurat". Por fakti që 58 për qind e amerikanëve e gjykojnë ish-vajzën e konkursit të miseve "të papërgatitur në masën e duhur", nuk e ka shkurajuar hidraulikun më të famshëm të Amerikës të ëndërrojë një karrierë politike.

Kthehet Xho Hidrauliku dhe mendon t‘i hyjë politikës

Në një intervistë në rrjetin "Fox News", Xho Hidrauliku, ose më saktë Samuel Josef Urzelbaher, i kthyer në simbolin e shtresës së mesme për republikanët, sqaroi se "politika përbën një pjesë të rëndësishme të jetës së tij" dhe se po mendon seriozisht të kthehet pas dy vjetësh në cilësinë e kandidatit për Kongres në distriktin e vet në Ohajo. Nuk qe nevoja të saktësonte nën ngjyrat e cilës parti do ta bënte këtë. Ndërsa në një intervistë të dhënë për gazetën e djathtë "Washington Times", Xho pa me vend të vërente se "trembej për fatin e Amerikës" në rast se zgjedhjet do t‘i fitonte Obama.

Bill Klinton, në fushatë përkrah Obamës

Ndërkaq vjen konfirmimi i lajmit që, për herë të parë që nga fillimi i fushatës elektorale, Bill Klinton dhe Barak Obama do të ngjiten së bashku mbi podin elektoral. Takimi është përcaktuar për të mërkurën në Orlando të Floridës. Gjatë përplasjeve verbale (shpesh edhe tepër të ashpra në fazën primare) që të dy kanë bërë paqe në konventën demokratike, por duke u takuar në publik vetëm një herë, 11 shtatorin e shkuar, në zyrën e Billit në Harlem.

Në fazën primare të zgjedhjeve brenda partive, Bill e sulmoi disa herë rivalin politik të bashkëshortes për mungesën e përvojës në çështje të rëndësishme, duke e paralelizuar fitoren e Obamës në Karolina me atë të Xhesi Xheksonit në vitin 1980, i cili më pas i humbi zgjedhjet brenda partisë.

MekKein akuzon: Obama ka shkruar fjalimin presidencial

Të shtunën, MekKein sulmoi ashpër Obamën nën akuzën se ka bërë tashmë gati fjalimin presidencial postzgjedhor (sipas kandidatit 72-vjeçar është shkruar nga dora e ish-shefit të kabinetit të Bill Klintonit, John Podestà). "Amerika ka nevojë për një kandidat që të dijë të presë fundin e garës për t‘u deklaruar triumfues", vërejti senatori Xhon MekKein, i nxehur para turmës së njerëzve në Nju Meksiko. "Dua që rivali im t‘ia dhurojë atë dorëshkrim qendrës ‘Smithsonian‘ (organizatë edukative amerikane që zotëron 19 muze, 9 qendra studimi dhe bashkëpunon me më shumë se 140 muze nëpër botë)", shtoi MekKein, "kështu që pas 4 nëntorit, ta vendosë pranë gazetës së Çikagos që shkroi në vitin 1948 para kohe ‘Djui mundi Trumanin‘".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›