E Shtunë, 31 Tetor 2026

Marion Grafin Donhoff, kontesha dhe gazetarja shtegtare

Ajo tregonte gjithnjë për një valixhe lëkure, të cilën e ruante poshtë krevatit... Marion Grafin Donhoff, në një natë nëntori të vitit 2001, pas ditëlindjes së saj të 92-të, kishte mbledhur, ashtu si çdo mbrëmje, familjarët në shtëpinë e saj në Hamburg të Gjermanisë. Në dhomën e ndenjes, të gjithë dëgjonin me admirim, ndërsa ajo fliste për të shkuarën. Kishte shumë për të rrëfyer...

Marion, ishte gazetare e njohur. Një nga intelektualet më brilante të kohës, botuese e gazetës "Die Ziet", një aktiviste e madhe, e cila nëpërmjet shkrimeve të saj kishte vënë në lëvizje deri edhe politikën e kohës...

Deri atë natë, askujt më parë nuk i kishte vajtur në mendje ta hapnin valixhen e paketuar mirë, që qëndronte nën shtratin e saj për më shumë se gjysmë shekulli... Atëherë, ata tërhoqën e tërhoqën me kujdes valixhen. Zbuluan se mes fotografive kur ishte fëmijë e letrave të shumta, gjendej një kuti prej kartoni, ku me shkrimin e saj, Marion kishte lënë shënimin: "Shqipëria dhe Jugosllavia". "O Zot, këto janë fotografi nga udhëtimi me Ivonën... Sa kohë ka qëndruar në këtë baule... Më duhet t‘i nxjerr të gjitha këto foto dhe t‘i organizoj. Por, jo sot", tha ajo. Dhe atëherë, familjarët e vendosën sërish valixhen nën shtrat. Marion ndërroi jetë në moshën 93-vjeçare. Ajo nuk iu kthye më kurrë atyre fotografive, të cilat pas vdekjes së saj, në mars të vitit 2002, nipi i saj Fridrich Donhoff e nxori sërish zarfin me shënimin "Shqipëria dhe Jugosllavia", ndërsa zbuloi 15 negative filmash. Pas thuajse 70 vjetësh, ai vendos t‘i publikojë.

Një herë, e ulur në stolin e një parku në shoqërinë e Fridrich, ajo pat thënë: "Pa shikoje këtë pamje, a nuk do ishte bukur t‘i bëja një foto?"... Deri atëherë, ai mendonte se dinte gjithçka për atë grua të fortë, jeta e së cilës kishte rrjedhur si një aventurë e vërtetë... Por, vetëm në ato momente mësoi se, veç të tjerash, Marion Grafin Donhoff ishte edhe një fotografe... Pasi i lau, zbuloi se shkrepjet e saj ishin të mrekullueshme.

***

Në vitin 1928, Marion ishte vetëm 18 vjeçe. Sapo kishte mbaruar maturën dhe me këtë rast i dhuruan një aparat fotografik. Imazhet e para i përkisnin Prusisë së dashur... Por ajo ishte në kërkim të përhershëm, dëshironte të zbulonte botën, të njihte vende të reja. Së bashku me Ivonën, motrën e saj më të madhe, vendosin të ndërmarrin një udhëtim. Me makinën e saj të parë, një kabriolet i bardhë, dy motrat vendosin t‘i bien Evropës kryq e tërthor për ta përfunduar aventurën shtegtare në Afrikë. Nga Prusia mbërritën në Shqipëri, vendin i cili kishte vënë në punë imagjinatën e intelektualëve të kohës, vendin për të cilin nuk dinin thuajse asgjë. Fotografitë e saj, rrëfenin çast pas çasti këtë udhëtim të jashtëzakonshëm të dy vajzave ekstravagante. Nëpërmjet tyre, Fridrich shihte si nga një dritare një botë të tjetër, të largët. Çfarë aventure! Ato ishin shenja të një dokumentacioni nga ky udhëtim që zgjati për thuajse dy vjet.

Atë mbrëmje nëntori të vitit 2001, ajo nisi të rrëfente për udhëtimin me kabrioletin e saj të bardhë, me makinën dhe aparatin e saj të parë. Në atë kohë ishte një sensacion, kur dy gra ndërmerrnin një udhëtim të vetme (një çmenduri!). Familja pranoi pa kushte. Problemi i vetëm i tyre ishte se në këto dy vite, lajmet nga vajzat i merrnin shumë rrallë. Në atë kohë nuk kishte këto mjete komunikimi si tani. Shëtitën Ballkanin, por ideja për të qëndruar në Shqipëri, ishte krejt e rastësishme. E vendosën së bashku "po të kisha qenë vetëm, nuk do të shkoja kurrë atje". Marion dhe Ivona qëndruan në vendin e vogël ku flitej një gjuhë e çuditshme për dy muaj. Probleme sigurisht që kishte plot, ashtu si atëherë kur makina u prish në një vend, ku nuk kishte as njerëz e as shtëpi afër, apo si në ato raste ku të gjeje një pikë karburanti ishte një lumturi e vërtetë për vajzat. "Duhej të llogaritnim gjithçka deri në detaje, ndryshe vështirësitë bëheshin akoma edhe më të mëdha se ç‘ishin në të vërtetë". Por ato u kënaqën shumë, udhëtimi ishte i mrekullueshëm. Në Tiranë, qëndruan më gjatë... fotografitë më të shumta i përkasin këtij qyteti. Të papriturat me të cilat u hasën, i bëri ato më të forta, mësuan t‘i shmangnin për të ardhmen. Por më e rëndësishmja, ato njohën vende e kultura të reja, njohën njerëz të mrekullueshëm, të cilët Marion nuk i harroi asnjëherë më vonë. Kur në vitin 1946 filloi një jetë të re në Hamburg në profesionin e gazetares, kuptoi se për ta bërë mirë këtë profesion, duhej të zgjidhte mes dy pasionesh, fotografinë dhe gazetarinë. Zgjodhi këtë të fundit dhe aparati u mbyll përfundimisht në valixhen e lëkurës nën shtrat, bashkë me të tjera kujtime...

***

Për më shumë se 60 vjet, Marion Grafin Donhoff, nga Prusia, ishte një figurë dominuese e sistemit liberal tepër influent në të përditshmen gjermane "Die Zeit". Fëmijërinë dhe adoleshencën e kaloi në Prusinë orientale, ndërsa u rrit mes fisnikëve të kohës, (e ëma ishte damë shoqëruese e perandoreshës, i ati një diplomat në ambasadën gjermane në Petërburg dhe në Uashington).

Pasi diplomohet në degën ekonomik, në universitetin e Frankfurtit dhe Zyrihut, ajo asnjëherë nuk nisi një karrierë si ekonomiste, lufta pati ndikimet e veta...

Marion Donhoff ishte konteshë. Ajo lindi në vitin 1909 në Prusinë Orientale. Një nga intelektualet më brilante të kohës së saj në Gjermani. Ajo arriti t‘i shpëtonte katastrofës së nazizmit. Donhoff ishte pjesëmarrëse e komplotit të dështuar për vrasjen e Adolf Hitlerit, më 20 korrik të vitit 1944. Tepër inteligjente, Marion studioi ekonomik në universitetin e Frankfurtit dhe të Zyrihut. Shpresa e saj për një karrierë si ekonomiste u fashit kur, me fillimin e Luftës së Dytë Botërore, vëllezërit e saj u thirrën në front dhe asaj iu desh t‘i qëndronte pranë familjes. Ajo, së bashku me shumë miq të saj, fisnikë nga Prusia, u përfshi në përgatitjet për një qeveri të re, e cila do të merrte në dorë Gjermaninë, pas një atentati ndaj Adolf Hitlerit. Kur atentati dështoi, shumë prej tyre u arrestuan, u torturuan apo edhe u vranë. Donhoff gjithashtu u arrestua dhe u mor në pyetje, por më pas e lanë të lirë. Më vonë mësoi se arsyeja e vetme, falë së cilës ajo u lirua, ishte se emri i saj nuk ishte shënuar në listën e atyre që do të merrnin në dorë Gjermaninë, nëse atentati ndaj Fyrerit, do të rezultonte i suksesshëm. Për shumë vite, ajo nuk foli për përfshirjen e saj në atentatin e vitit 1944. Më vonë, me rastin e 50-vjetorit të ngjarjes, ajo publikoi një libër titulluar "Um der Ehre Willen" ("Për të nderuar ata dhe veten").

Drejt fundit të vitit 1944, duke parashikuar së Prusia orientale shumë shpejt do të kishte humbur betejën kundër rusëve, ajo bëri plane sekrete për të ndihmuar të afërmit për t‘u arratisur. Por, kur momenti erdhi në janar të vitit 1945, kaosi ishte i tillë sa shumica prej tyre preferuan më mirë të qëndronin në Prusi. Për shtatë javë me radhë, ajo shoqëroi karvanin e miliona njerëzve që vinin nga Gjermania Lindore, të cilët udhëtonin në dëborë e temperatura të akullta. Shumë prej tyre vdiqën gjatë rrugës. Marion Donhoff mbijetoi. Pas luftës, ajo punoi si gazetare në Hamburg, e më pas u bë botuese e "Die Zeit". E pavarur, tepër e fuqishme në analizat e saj, e hapur në shkrime, Marion bëri që "Die Zeit" të kthehej në një gazetat më me influencë dhe më të respektueshme në fazën e pasluftës në Gjermani. Për kontributin e madh, që Donhoff ka dhënë me shkrimet e saj kushtuar pajtimit mes Gjermanisë Perëndimore dhe vendeve të Lindjes (Prusia e saj e dashur ishte ndarë mes Polonisë dhe Rusisë), në mirënjohje ndaj punës së saj, Kancelari gjerman Willy Brandt i kërkoi që ta shoqëronte në Varshavë me rastin e firmosjes së traktatit polako-gjerman. Marion është edhe autore librash. Në vitin 1962, ajo shkroi "Emra që askush nuk i përmendi më pas", "Nga armiq në miq: ndërtuesit e Gjermanisë së re nga Konrad Adenauer te Helmut Schmidt", (1982), "Para stuhisë: kujtime nga rinia ime në Prusinë e vjetër" (1990). Marion Grafin Donhoff punoi për "Die Zeit" deri një muaj para se të ndërronte jetë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›