E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bankat qendrore, të detyruara të ndërhyjnë përsëri

Pritet që bankat qendrore të ndërmarrin veprime të reja e të koordinuara gjatë kësaj jave, për të ulur dozat e panikut që kanë pushtuar tregjet financiare, në një çast kur po materializohet gjithnjë e më shumë frika për shkak të zërave që flasin për recensionin e afërt global. Rezerva Federale Amerikane pritet të ulë edhe më tej normat e interesit për shkak të rënies së vlerave të bursave, si dhe zhvleftësimeve valutore që janë regjistruar në tregjet në zhvillim të Azisë dhe Amerikës Latine. "Po marrim çdo ditë e më shumë sinjalizime për recension të sinkronizuar global, tha ekonomisti i shoqërisë ‘JPMorgan‘, Brus Kasman, megjithëse është ende herët për të gjykuar me saktësi masën e krizës, duke qenë se rezultatet varen nga sa do veprojnë politikat për të ulur panikun në tregje".

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kinës, Zhu Ksia Çuan, citohet të ketë thënë të dielën se ekonomia e shtetit të vet është në formë, por se duhet parë me kujdes çdo zhvillim për të mbajtur sa më larg krizën globale. Ai shtoi se investimet në infrastrukturë dhe shtimi i kërkesës nga ana e konsumatorit mund të shërbejnë për të lehtësuar vështirësitë e shkaktuara nga rënia e eksporteve dhe se banka qendrore e vendit do të përpilonte një plan paraprak mbrojtjeje për t‘u garantuar ndihmë bankave në rast se ndonjë prej tyre do binte në vështirësi.

Ministri japonez i Ekonomisë, Kaoru Josano, tha dje se qeveria e tij do t‘i shtonte skemës së mbrojtjes së financave të vendit edhe 106 miliardë dollarë të tjerë. Koreja e Jugut, tregjet e së cilës u përfshinë javën e shkuar nga furtuna financiare globale, bëri me dije se duheshin veprime urgjente për të ruajtur ekonominë. Disa analistë thonë se Banka Qendrore e Koresë së Jugut do të ulë normat e interesit gjatë orëve të ditës së sotme. Banka Qendrore e Kuvajtit u detyrua të vihej në lëvizje për t‘i ardhur në ndihmë Bankës së Gjirit, e goditur nga humbjet në disa zëra, duke e detyruar qeverinë të deklarojë se do mbrojë depozitat nëpër bankat lokale. Nga Arabia Saudite u bë publik plani për të depozituar 2.67 miliardë dollarë në Bankën Saudite të Kredisë, aktiviteti kryesor i së cilës është kredidhënia për qytetarët e varfër.

Tregjet e Gjirit ranë në nivele shumë të ulëta gjatë ditës së diel. Treguesit e Katarit dhe Omanit ranë më shumë se 8 për qind, Dubai 5.53 për qind, ndërsa indeksi në Arabinë Saudite rrëshqiti edhe 1.83 për qind të tjera pas rënies prej 8.7 për qind të regjistruar të shtunën.

Qeveritë e vendeve kanë kërkuar rreth 4 trilionë dollarë për të mbështetur bankat dhe për të nxitur qarkullimin në tregjet e parasë, duke marrë në konsideratë edhe vendosjen e masave më të forta të kontrollit për të parandaluar përsëritjen e kësaj situate. Disa shtete, përfshi Hungarinë, Islandën, Bjellorusinë, Kroacinë dhe Serbinë, i janë drejtuar për ndihmë Fondit Monetar Ndërkombëtar, në pamundësi për të qetësuar vetë tregjet e tyre financiare. Me shumë gjasa FMN-ja do të nënshkruajë gjatë kësaj jave një marrëveshje me Islandën, sistemi financiar i së cilës është rrënuar tërësisht.

Pritet gjithashtu që disa huadhënës ndërkombëtarë të miratojnë një plan për t‘u dhënë ekonomive që përmbushin termat e kërkesave të përcaktuara paraprakisht fonde tepër të mëdha likuiditetesh.

Autoritetet përkatëse ruse bënë me dije gjatë fundjavës së shkuar se banka qendrore e vendit i zotëron mjetet e duhura për të mbajtur nën kontroll luhatjet e forta të valutës vendase, por se ende nuk sheh domosdoshmëri për të kufizuar zhvendosjet e kapitaleve apo korridoret e këmbimit të rublës.

Analistë ndërkombëtarë bursash vërejtën se luhatjet e forta të regjistruara të premten mund ta detyrojnë Grupin e të Shtatëve, ose 20 bankat qendrore më të mëdha të botës, të ndërhyjnë përsëri për të stabilizuar tregjet botërore.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›