Ahmadinexhad, një mandat i vështirë në drejtimin e Iranit
Protestat anti-qeveritare post zgjedhore në Iran duket se kanë dëmtuar më shumë se ç’duket udhëheqjen e lartë në vend. Mahmud Ahmadinexhad ka marrë mandatin e tij të dytë si President i Iranit, por kjo arritje nuk u bekua ashtu siç duhej nga lideri suprem Ajatollah Ali Khamenei. Pamjet televizive të ceremonisë zyrtare të mbajtur një ditë më parë në Teheran, tregojnë se si Khamenei bën një hap mbrapa teksa Ahmadinexhad, i cili ishte edhe me grip, përkulet për t’i puthur dorën për të treguar mirënjohjen e thellë ndaj mbështtjes që ai i dha gjatë kësaj periudhe të nderë. Por Udhëheqësi suprem i Iranit e ndalon në kohë Presidentin, i cili i hutuar lëshon ca fjalë, dorëzohet dhe mjaftohet me një puthje në pelerinën e zezë të Khameneit. Mesazhi që përcillet nga ky moment reflekton qartë tensionin politik dhe dëmin e shkaktuar deri më tani ndaj republikës islamike. Puthja e dorës së Khameneit është më shumë një shenjë besnikërie, por për analistët amerikanë ky gjest tregon se Khamenei i thotë Ahmadinexhad, gjërat nuk janë njësoj si më parë.