Ahmadinexhad, sërish President
Mahmoud Ahmadinexhad do të jetë përsëri Presidenti i Iranit. Pas votimeve, dy pretendentët kryesorë për presidencën, Ahmadinexhad dhe Mirhosein Musavi deklaruan fitoren. Shpallja e rezultateve paraprake, që nxirrte me fitore të bindshme presidentin aktual iranian, Ahmadinexhad, ka provokuar reagime nga mbështetësit e Musavit, të cilët krijuan një gjendje disi të tensionuar në kryeqytetin, Teheran. Policia është mbledhur rreth ndërtesave kryesore qeveritare pas rezultateve të kontestuara dhe ka rrethuar Ministrinë e Brendshme, ndërkohë që kandidati reformator Mirhosein Musavi i akuzoi autoritetet për “manipulimin” e votave. Sipas AFP, policia është përleshur me përkrahësit e Musavit në qendër të Teheranit. Ministri i Brendshëm i Iranit, Sadek Mahsuli tha se Mahmud Ahmadinexhad ka fituar në zgjedhjet presidenciale me 62.2 për qind të votave, pas një pjesëmarrje të 85 për qind të votuesve. Lideri suprem i Iranit, Ajatollak Khaemeni tha se Ahmadinexhad ishte president i të gjithëve.