E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ahmadinexhad sulmon Presidentin Obama

Presidenti iranian, Mahmud Ahmadinexhad, kritikoi ashpër Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Presidentin Barak Obama, duke e akuzuar atë personalisht për ndërhyrje në punët e brendshme të Iranit dhe duke i nënvizuar se qëndrimi i Uashingtonit gjatë trazirave post-zgjedhore në vendin e tij do cenonte përpjekjet e Obamës për të gjetur gjuhën e dialogut. "Kemi mbetur pa fjalë nga zoti Obama", tha Mahmud Ahmadinexhad gjatë një fjale të mbajtur përpara zyrtarëve të lartë të gjyqësorit, transmetuar në televizionin shtetëror iranian. "A nuk tha se do të bënte gjithçka për hir të ndryshimeve? Përse ndërhyn atëherë? Vazhdojnë të thonë se duan të ulen në tryezën e bisedimeve me Iranin, por a është kjo rruga që duhet ndjekur për ta bërë të mundur? Nuk ka dyshim që bënë një gabim të rëndë", tha Ahmadinexhad. Obama u kritikua ashpër në shtëpinë e tij dhe jashtë për reagimin e dobët fillestar ndaj akuzave të opozitës iraniane për vjedhje flagrante votash nga ana e qeverisë në pushtet. Administrata e re amerikane e ka një prej prioriteteve kryesore përmirësimin e raporteve me Iranin, veçanërisht për shkak të shqetësimeve që lidhen me projektin nuklear të këtij vendi dhe Obama la që në fillim të kuptohej se nuk kishte ndër mend t‘i acaronte në mënyrë të skajshme raportet me autoritetet iraniane.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›