E Shtunë, 31 Tetor 2026

ShBA, numri i të prekurve prej gripit të derrave, më shumë se 1 milion

Sipas vlerësimeve më të fundit të kryera nga autoritetet shëndetësore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, rezulton se numri i të prekurve nga virusi H1N1, i njohur gjerësisht si gripi i derrave, tashmë është më shumë se 1 milion. Ndërkaq, dyshohet se shifra e vërtetë është shumë më e lartë, duke qenë se jo të gjitha rastet u raportohen autoriteteve. Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Epidemive vërejti se shumë prej rasteve qenë të shkallës mesatare, megjithëse numri i të vdekurve është 127. Kjo qendër i ka bazuar rezultatet te të dhënat e kërkimeve dhe sondazheve dhe jo te provat laboratorike, dhe del në përfundimin se përqindja e vdekjeve nga kjo sëmundje është më e ulët nga ç‘mendohej. "Po themi se deri në këtë pikë të vitit, numri i të infektuarve me gripin e derrave është të paktën 1 milion", tha An Shushat e Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Epidemive, për të shtuar se "rastet e raportuara në të vërtetë janë veç maja e ajsbergut".

Për ekspertët, në rast se rezultatet e kësaj qendre janë të sakta, studimi mund të quhet diçka e mirë, pasi tregon se të paktën përqindja e vdekjeve nga kjo sëmundje është më e ulët nga ç‘mendohej fillimisht. Megjithatë, Shushat paralajmëron se virusi mund të paraqesë aftësi më të forta infektive gjatë muajve të vjeshtës.

Sipas Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Epidemive, deri tani janë regjistruar 27717 raste të konfirmuara ose të mundshme. Rreth 3 mijë njerëz e kanë pasur të domosdoshme asistencën spitalore dhe numri i të vdekurve është 127. Gripi i derrave vazhdon të prekë shumë njerëz nën moshën 50-vjeçare dhe shfaqet në forma veçanërisht të rënda tek ata që vuajnë nga sëmundje kronike si astma e diabeti. Mosha mesatare e të vdekurve prej virusit H1N1 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është 37 vjeç. Zyrtarët e Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Epidemive po shohin me shumë kujdes përhapjen e këtij virusi në Hemisferën Jugore, veçanërisht në Argjentinë, Kili dhe Austri, për të kuptuar si do përhapet ai gjatë muajve të dimrit dhe nëse ka prirje të bëhet më vdekjeprurës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›