Europa Qendrore, qindra të dendur shkaktojnë përmbytje
Reshje të rënda shiu e përmbytje në Europën Qendrore. Në mënyrë të veçantë janë goditur nga moti i keq Republika Çeke, Austria dhe Hungaria. Në rajonin e veriut të Republikës Çeke mësohet se shirat kanë shkaktuar të paktën shtatë të vdekur. Pesë janë mbytur, ndërsa dy të tjerë pësuan atak kardiak ndërsa forcat e shpëtimit kërkonin t‘u vinin në ndihmë. Sipas autoriteteve, ky nuk duhet konsideruar si bilanc përfundimtar, pasi shumë zona mbeten jashtë kontrollit. Dy ditë me reshje të dendura kanë përmbytur edhe rajonin e Austrisë së Ulët. Janë disa fshatrat e izoluar prej ujërave. Në qytetin historik të Stejrit u raportua se shumë prej ndërtesave të lashta u përmbytën nga vërshimi i ujërave. Dalja nga shtrati i Danubit ka përmbytur disa zona jo shumë larg nga Vjena. Mësohet se katet e poshtme të muzeut "Albertina" në kryeqytetin austriak janë boshatisur dhe veprat janë vendosur diku tjetër për t‘u ruajtur nga një përmbytje e mundshme. Ministrja e Punëve të Brendshme, Maria Fekter, ka vënë në gjendje alarmi 10 mijë zjarrfikës dhe 3 mijë policë për t‘u ardhur në ndihmë banorëve të prekur prej përmbytjeve.