E Shtunë, 31 Tetor 2026

NATO dhe Rusia, bisedime post-gjeorgjiane

Ministrat e Jashtëm të vendeve të NATO-s takuan dje analogun e tyre rus, në atë që është kontakti i nivelit më të lartë mes dy palëve që prej konfliktit në Gjeorgji. Synimi i takimit ishte nisja e një epoke të re bashkëpunimi mbi çështje të rëndësisë së madhe si Afganistani dhe lufta kundër terrorizmit. Pas këtij takimi zyrtar, të zhvilluar në Korfuz të Greqisë, shumë prej ministrave të Jashtëm do të vazhdojnë të qëndrojnë në ishull për një takim tjetër, kësaj here jozyrtar, ku do të diskutojnë për përqasjen e re që duhet ndjekur ndaj Iranit, duke parë trazirat e fundit që u vërejtën në këtë vend për shkak të akuzave të opozitës për vjedhje e votave nga ana e qeverisë në pushtet.

Samiti i djeshëm mes ministrave të Jashtëm vjen veç një javë përpara takimit mes Presidentit Barak Obama dhe analogut të tij, Dimitri Medvedev në Moskë, dhe pas një Samiti të Grupit të të Tetëve në Romë. Qëllimi i këtyre aktiviteteve të dendura diplomatike është zbutja e toneve të acaruara së tepërmi nga ndërhyrja ushtarake ruse në Gjeorgji, planet për ndërtimin e një sistemi kundër-raketor fare pranë kufirit rus - acarime që kishin krijuar një atmosferë aq të nderë, sa disa arrinin deri në atë pikë sa e konsideronin si të njëjtë me atë të Luftës së Ftohtë.

"Kemi arritur në përfundimin se shtetet tona anëtare ndajnë interesa të njëjta mbi sigurinë, siç është stabilizimi i Afganistanit, kontrolli i armëve, ndërprerja e armatimit nuklear dhe ndalimi i zhvillimit të armëve të shkatërrimit në masë, menaxhimi i krizave, kundër-terrorizmi, antitrafiku i lëndëve narkotike, lufta kundër piraterisë, sa për të përmendur disa prej tyre", tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jap de Hop Shefer, gjatë fjalës që hapi takimin e ministrave të Jashtëm të vendeve të NATO-s dhe ai i Rusisë. "Ndërsa i ringremë marrëdhëniet tona në nivel politik, e bëjmë këtë për të ndërtuar së bashku një paqe të gjatë e të qëndrueshme në zonën euro-atlantike", vazhdoi Shefer.

I dërguari rus në NATO, Dimitri Rogozin, përdori tone tepër të kujdesshme. Ai tha se objektivi i Rusisë gjatë këtyre bisedimeve ishte "analizimi i situatave në raportet mes NATO-s e Rusisë", për të parë nëse kishte ardhur "çasti i duhur që të niste bashkëpunimin në planin ushtarak".

Dialogu mes 28 shteteve që përbëjnë bashkimin ushtarak të NATO-s qëndron pezull që prej konfliktit në Gjeorgji, në vitin 2008. Një përpjekje për kontakte në rang ministrash në majin e këtij viti u ndërpre pas një stërvitjeje ushtarake që forcat e NATO-s kryen në Gjeorgji, e cila u pa me shumë inat nga Kremlini. Një klimë e re bashkëpunimi nisi të zëvendësonte pak nga pak atmosferën e tendosur që pas hyrjes së Presidentit Barak Obama në Shtëpinë e Bardhë.

Një zyrtar amerikan tregoi, pa pranuar të identifikohej me emër, se NATO shpresonte gjithashtu të përfshinte edhe Rusinë në operacionet kundër piraterisë në Somali, si dhe të shtrinte bisedimet bilaterale që kanë të bëjnë me transportin e furnizimeve ushtarake të forcave në Afganistan përmes territorit rus.

Gjatë ditës së diel, ministrat e OSBE-së, Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë, do të diskutojnë mbi rrugët për të anashkaluar kundërshtitë mbi Gjeorgjinë, si dhe për ndërtimin "e një arkitekture të re për sigurimin në Europë", të propozuar nga Presidenti rus, Dimitri Medvedev. Për ministrin e Jashtëm gjerman, Frank-Valter Steinmeier, diçka e tillë nuk do mund të zëvendësonte as NATO-n dhe as OSBE-në, por mund të vinte në ndihmë për zgjidhjen e problemeve të rëndësishme, siç janë mbrojtja kundër-raketore dhe pakësimi i arsenaleve nukleare e konvencionale.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›