Ahmedinexhad:Problemet në Iran vijnë nga të huajt

Presidenti iranian Mahmud Ahmedinexhad tha se të “gjitha problemet” në Repubikën Islamike janë rezultat i ndërhyrjes së të huajve.
Ai i bëri këto komente në Islamabad të Pakistanit, ku ka zhvilluar takime me homologët nga Pakistani dhe Afganistani.
Duke folur për atë të cilin ai e ka cilësuar si promovim të “qëllimeve dhe ambicieve” të Iranit, Ahmedinexhad tha se, fuqitë e huaja nuk dëshirojnë ta lejojnë kombin të zhvillohet. Por ai nuk bëri me dije se cilat janë këto fuqi të jashtme.
Komentet e tij vijnë pas një seri sanksionesh, përfshirë embargon e naftës nga Bashkimi Evropian, embargo kjo e vendosur nga shtetet perëndimore dhe Këshilli i Sigurimit për shkak të programit të tij bërthamor.
Irani mohon se është duke u përpjekur të krijojë armë bërthamore dhe thotë se programi atomik ka qëllime paqësore.