E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ahmet Prençi: Ekspertiza e rregullt

TIRANE – Drejtori i Përgjithshëm i Policisë e konsideroi dje si të rregullt dhe ligjor procedimin penal ndaj biznesmenit Arben Isufaj (Ben Qimja), i cili 46 ditë më parë u arrestua nga policia si person në hetim për akuzën e vrasjes. 

Reagimi i kreut të policisë ka ardhur pasi avokati i Arben Isufajt ka paditur dy prokurorë, të cilët i akuzon për falsifikimin e aktit të ekspertimit lidhur me gjurmët e gishtave të klientit të tij, që pretendohet se janë gjetur në armën që vrau Pirro Koçiun në gusht 2002 në Tiranë. Në denoncim thuhet se, është e pamundur që një ditë pas kërkesës së Prokurorisë për ekspertimin e gjurmëve në Londër, përgjigjja të ketë mbërritur në Tiranë. Megjithatë, i pyetur nga gazetarët, kreu i policisë shqiptare Ahmet Prençi tha se për Arben Isufajn, Policia e Shtetit kryer një proces transparent hetimor edhe në drejtim në ekspertimin e gjurmëve të gishtërinjve të gjetura në vendin e ngjarjes së vrasjes së Pirro Koçiut. Sipas Prençit, i gjithë procesi është ndjekur dhe mbikëqyrur nga autoritetet policore britanike si dhe ekspertët më në zë të tyre. “Analizat dhe ekspertimi daktiloskopik, është ndjekur dhe realizuar nga ekspertët më të mirë që ka zyra e Policisë metropolitane të Londrës”, tha kreu i Policisë. Më tej ai pohoi se, përveç kësaj ky proces është certifikuar dhe nga qeveria e vendit ishullor, nëpërmjet të gjitha institucioneve të saj, si policia metropolitane e Londrës dhe ambasada britanike në Tiranë. d.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›