U kap me 15 kg heroinë, lihet në arrest me burg
Tiranë- Gjykata e Krimeve të Rënda ka dhënë sot masën e sigurisë për të arrestuarin e pak ditëve më parë, me 15 kilogramë heroinë.
Në seancën e sotme gjykata ka vendosur arrest me burg për Lutfi Shabanin, duke e cilësuar të ligjshëm arrestimin e tij.
Vetë i arrestuari nuk ka pranuar të flasë dhe ka lënë avokatin e tij, i cili ka kërkuar një masë sigurie më të lehtë. Por prokurori e ka kundërshtuar këtë kërkesë, nisur nga rrezikshëmria e veprës penale dhe sasia e madhe e heroinës me të cilën është kapur Shabani.
Këtij, tashmë i duhet të qëndrojë në arrest me burg deri në fund të hetimeve.
Lufti Shabani, i dënuar vetëm një vit më parë si pjestar i grupit “Identikit” u arrestua në datën 24 korrik, në mbrëmje në autostradën mes Kavajës dhe Durrësit me 15 kilogramë heroinë në bagazhin e makinës së tij.
Sipas Policisë së Shtetit, ai ishte duke udhëtuar me një automjet tip BMË me targa DR 35 45 E, kur është ndaluar nga policia, në afërsi të Golemit. Kontrolli në makinën e tij nuk e ka lodhur shumë policinë. 30 pakot me heroinë, të mbështjella me letër natribani ishin fshehur në bagazh dhe kaq ka mjaftuar për të shtrënguar prangat në duart e të njohurit si Ben Çami, ortak në trafik me Emiljano Shullazin.
Identifikimi i drejtuesit të makinës me drogë e ka habitur jo pak policinë që mori pjesë në operacionin e mbrëmshëm në Golem. Sipas llogarive, Lutfi Shabani duhej të ishte në qeli, pasi u dënua më 28 maj të vitit 2007 me dy vjet burg për akuzën e prodhimit, mbajtjes dhe shitjes së lëndëve narkotike. Por ka kaluar pak më shumë se 1 vit pas këtij dënimi dhe Shabani u kap me 15 kg heroinë, në operacionin e koduar “Autostrada”. Sipas hetimeve të kryera në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, droga kishte si destinacion Durrësin, prej nga mendohet se do të trafikohej në drejtim të brigjeve italiane, ndërsa vendi i origjinës ende nuk është zbuluar. Hetuesit e çështjes mendojnë se Ben Çami ka mundur të rifutet në linjën e trafikut të drogës, menjëherë pasi ka dalë nga burgu, ndërkohë që bashkëpunëtorët e tij ndodhen ende në qeli.
Në vitin 2006, Lufti Shabani u arrestua së bashku me Emiljano Shullazin, Ervin Ferhatin dhe katër persona të tjerë me akuzën e trafikut të drogës drejt veriut të policisë. Banda e identifikuar më pas me operacionin e koduar “Identikit” kishte trafikuar në drejtim të brigjeve italiane mbi 52 kilogramë heroinë dhe 100 kg përzierës, ndërsa kishin punësuar korrierë nga Gjermania, Turqia dhe Kroacia.