E Diel, 1 Nëntor 2026

Serbia, përballë dilemës së madhe

Cila po e tërheq tani më shumë Serbinë: e kaluara apo e ardhmja, politika nacionaliste që e çoi këtë vend drejt izolimit shumëvjeçar ndërkombëtar, madje e bëri edhe objekt të një operacioni ushtarak në shkallë të gjerë nga ana e forcave aleate të NATO-s për shkak të Kosovës, apo politika racionale euro-integruese e kohës, që synon ta afrojë Serbinë me NATO-n dhe Bashkimin Europian, ku ajo synon tani të hyjë? Kjo dilemë ose, po ta quajmë ndryshe, "tërheqje litari" mes forcave nacionaliste dhe atyre proeuropiane, ka dalë këto kohë përsëri në pah me rastin e diskutimit në Parlamentin serb dhe në qarqet politike të vendit të "Strategjisë për sigurimin dhe mbrojtjen kombëtare të Serbisë".

Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Dragan Shutanovac, duke e parashtruar këtë strategji në Parlamentin serb, me një gjuhë të zgjedhur dhe të kujdesshme, vuri në dukje se ky është një dokument strategjik shumë i rëndësishëm për mbrojtjen e interesave kombëtare të vendit që, midis të tjerave, si detyrë kryesore prioritare të vendit përcakton se "Serbia do të vazhdojë të shfrytëzojë të gjitha mjetet diplomatike, juridike e legjitime për mbrojtjen e sovranitetit dhe të tërësisë tokësore të vendit". Por, kjo gjuhë, megjithëse për nga forma prudente dhe e kohës, nuk u pëlqen aspak forcave dhe qarqeve nacionaliste serbe, të cilave u ka mbetur ora mbrapa dhe që e kritikuan ashpër dokumentin në fjalë, duke e konsideruar atë madje antikombëtar dhe të dështuar. Përfaqësuesit e këtyre forcave, figura në zë në jetën politiko-ushtarake, publike, etj., të këtij vendi, madje e konsideruan dokumentin e lartpërmendur si një të tillë që përgatit terrenin për hyrjen e Serbisë në NATO, me gjithë asnjanësinë ushtarake të shpallur nga ky vend. Dhe, si gjithnjë, në raste të tilla, "Thembra e Akilit" mbetet çështja e Kosovës, e cila, sipas forcave dhe qarqeve nacionaliste, nuk është pozicionuar si duhet në strategjinë për sigurimin dhe mbrojtjen kombëtare, të hartuar dhe të paraqitur nga qeveria serbe, ndërkohë që kjo çështje, pra shpallja e pavarësisë së Kosovës, sipas këtyre forcave, "përbën kërcënimin më të madh për sigurinë e vendit". Gjenerali Bozhidar Jeliç, tani funksionar i lartë në Partinë Nacionaliste Serbe, SNS (Srbska Napredna Stranka/Partia Progresive Serbe), sikurse bën të ditur media serbe, vë në dukje se strategët ushtarakë serbë konsiderojnë se strategjia për sigurinë dhe mbrojtjen kombëtare është një "temë e dështuar", pasi ajo nuk përfshin çështjet më të rëndësishme të sigurisë. "Thëniet se shteti është përcaktuar të ruajë tërësinë e vendit, përfshi edhe territorin e Kosovës, ndodhen në të njëjtën faqe, ku ndodhet edhe përcaktimi i së ardhmes së Serbisë në kuadrin e euro-integrimit", vuri në dukje gjenerali i lartpërmendur, të cilit duket qartë se është kundër përfshirjes së Serbisë në proceset euro-integruese. Gjenerali tjetër serb, Ninosllav Krstiç, presidenti i Forumit për Sigurinë dhe Bashkëpunimin të Serbisë, nga ana e tij, thekson se strategjia e lartpërmendur duket qartë se është në kundërshtim me asnjanësinë ushtarake të shpallur nga Serbia. Sipas tij, Serbia, sikurse duket, duhet të hyjë në NATO para se të hyjë në BE dhe se, kështu si qëndrojnë punët, "neve na duhet të pajtohemi dhe duhet ta pranojmë këtë fakt".

Analisti ushtarak serb, Millorad Drecun, shkon edhe më larg në retorikën e tij nacionaliste, duke i shtuar asaj edhe një dozë të madhe antiamerikanizmi dhe duke e akuzuar qeverinë aktuale serbe se ajo ka shitur interesat kombëtare të vendit dhe se është nënshtruar ndaj SHBA-së. "Duke lexuar këtë dokument, duket qartë se politika jonë e sigurisë nuk bëhet në Beograd, por në Uashington". Sipas tij, është krejtësisht e palogjikshme të shprehësh për mbrojtjen e Kosovës dhe, në të njëjtën kohë, të synosh marrëdhënie më të mira me SHBA-në. Të njëjtën gjuhë nacionaliste përdor edhe analisti ushtarak tjetër serb, Aleksandar Radiç, sipas të cilit "strategjia përbën një përpjekje për të pajtuar atë nuk mund të pajtohet, se është krejtësisht jo-realiste të mbrosh pjesëmarrjen e Kosovës brenda Serbisë dhe, në të njëjtën kohë, të shpresosh marrëdhënie më të mira me SHBA-në dhe hyrjen në NATO që pengon Serbinë të zbatojë Rezolutën 1244 të OKB-së për Kosovën. Duket qartë se ne duhet të pranojmë kushtet e Perëndimit dhe të bëjmë gjithçka që na kërkohet, nëse duan të hyjmë në BE", theksoi ai.

Nga pak shembujt e mësipërm, duket qartë se rezistenca e forcave nacionaliste politiko-ushtarake ndaj euro-integrimit të Serbisë është ende e fortë në këtë vend, se qëndrimet izoluese të dala jashtë modës e kohës të Serbisë vazhdojnë të zënë një vend të konsiderueshëm në hapësirën politike të saj, por se, sidoqoftë, Serbia, duhet të tërhiqet drejt së ardhmes euro-integruese, nëse nuk do që të mbesë peng e së kaluarës nacionaliste. Përgatiti: M. Sinemati

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›