E Shtunë, 31 Tetor 2026

Emri, Gruevski në Bruksel për bisedime

Çështja e emrit të Maqedonisë vazhdon të mbetet problem

Kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, është duke qëndruar në Bruksel ku do të takohet me përfaqësuesin e BE-së për çështje të jashtme, Havier Solana. Ai duhej të takohej edhe me komisionerin për zgjerim, Oli Rehn, por takimi siç njoftohet është anuluar për shkak të një sëmundjeje të z. Rehn.

Edhe pse takimi me z. Rehn është anuluar, diplomatët thonë se Kryeministri Gruevski do të marrë mesazhet që vijnë nga BE dhe që kanë të bëjnë me çështjen e emrit. Diplomatët europianë në Shkup dhe Bruksel gjatë ditëve të kaluara kanë përsëritur se tani është momenti kur duhet të përmbyllet çështja e emrit.

Ata kanë kundërshtuar hapur edhe idenë e organizimit të një referendumi për propozimin e mundshëm për ndryshimin e emrit.

Opinioni në Shkup pret me padurim qëndrimet e Kryeministrit Gruevski, i cili ka vazhduar të këmbëngulë se populli duhet të vendosë për zgjidhjen e mundshme të emrit, si dhe ka sugjeruar se ky problem nuk mund të zgjidhet brenda disa javësh siç dëshiron BE. Ky është udhëtimi i parë i z. Gruevski në Bruksel pas raportit pozitiv që mori Maqedonia nga KE, por pa një afat se kur do të fillojnë negociatat për anëtarësim në BE.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›