E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ahmet Prençi e Ina Rama, ja misteret e rastit”Fazlliç”

Ndryshimet në Policinë e Shtetit kanë qenë të shumta, a mund të themi që është një reformë që nuk ka përfunduar ende, apo është në vazhdim?

Reformimi i Policisë së Shtetit është i vazhdueshëm dhe i pandërprerë. Unë mund të them që pjesa kryesore e kësaj reforme është përmbyllur dhe starton me miratimin e ligjit të ri të Policisë së Shtetit, me ristrukturimin e gjithë policisë. Reformimi ka të bëjë me të gjitha ndryshimet strukturore, por dhe në persona, e kjo është një gjë dinamike që do të ndodhë vazhdimisht. E rëndësishme është që ka një stabilitet në personelin e policisë. Vërtet ka lëvizje emrash, por nuk ka denigrim të punonjësit të policisë, që do të thotë se lëvizjet bëhen brenda nivelit të gradave, brenda normave që parashikon ligji i policisë së shtetit.

Ka kritere të përcaktuara qartë?

Ka kritere të përcaktuara qartë. që do të thotë se një drejtues i policisë nuk denigrohet, që të dërgohet në një pozicion shumë të ulët në Policinë e Shtetit, por detyrimisht ai do të shkojë në nivelet paralele të hierarkisë.

A ka një standard perëndimor në këtë strukturë?

Unë mund të them që po dhe është bërë një punë goxha e madhe në këtë drejtim. Sot policia funksionon në të gjithë elementët e saj, në të gjithë nivelet e saj të funksionimit me ligjin e ri dhe me strukturën e re të policisë. Detyrimisht vështirësi ka. Që të implementosh një diçka të re vështirësitë janë të padiskutueshme, por duke parë efektivitetin e strukturave të policisë, treguesit në kohë mendoj që jemi në parametra mjaft të mirë.

Ndërkohë, një nga elementët e rëndësishëm që është edhe kriter për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, janë edhe kufijtë. Si ka qenë prioriteti, strategjia dhe vëmendja që i është kushtuar nga Policia e Shtetit pikërisht kësaj strukture?

Një të re që sjell ligji i Policisë së Shtetit është se Policia Kufitare organizohet në një departament të veçantë, me një drejtim vertikal nga qendra në bazë. Në Policinë Kufitare është krijuar gjithë infrastruktura ligjore në funksionim të saj. Ligjet dhe të gjitha aktet nënligjore në zbatim të ligjit për të huajt për Policinë Kufitare janë hartuar po në bashkëpunim me ekspertët e huaj. Sot ne kemi në të gjitha pikat e kalimit kufitar një sistem elektronik shumë të avancuar.

Pra, çdo gjë është e dixhitalizuar?

Absolutisht po. Në të gjitha pikat e kalimit kufitar jo vetëm që evidentohen dhe hyjnë në sistem të gjitha lëvizjet e njerëzve dhe e mjeteve, por ne kemi edhe skanerë të instaluara në këto pika me një teknologji mjaft të përparuar që bëjnë të mundur një kontroll tepër korrekt dhe rigoroz dhe të gjitha të dhënat regjistrohen në database-n qendror.

Mund të themi që monitorohen pikat e kalimit të kufirit, por kufiri ka një shtrirje shumë më të gjerë dhe ndonëse fizikisht është pak e vështirë për ta mbuluar dhe monitoruar siç duhet. A ka një strategji a projekt për të qenë më të pranishëm dhe në këtë hapësirë?

Pa diskutim që po. Ne synojmë që me integrimin e kufijve ne kemi një kontroll rigoroz dhe korrekt në pikat e kalimit kufitar, por edhe në kufirin e gjelbër. Bashkë me policinë e tjera të vendeve fqinje ne kemi marrëveshje.

Ngjarja e Butrintit, kalim i paligjshëm apo trafik?

Kjo është një ngjarje shumë e rëndë, është aksidentale, vëmendja e policisë dhe angazhimi i saj gjatë gjithë vitit ka qenë që të pengojë në maksimum kalimin e paligjshëm të kufirit nga shtetasit shqiptarë. Për këtë qëllim nga policia shqiptare janë arrestuar 68 persona që kanë ndihmuar dhe organizojnë këtë kalim të paligjshëm. Janë goditur 13 grupe kriminale, janë zhvilluar 11 operacione të gjëra policore, ku janë arrestuar 67 persona, pra 130 vetë të prangosur për akuzën e kalim të paligjshëm të kufirit. Edhe në Sarandë strukturat e Policisë së Shtetit kanë qenë të angazhuara dhe të dislokuara për të frenuar këtë fenomen e për të mundësuar kthimin e personave që tentojnë kalimin në mënyrë të paligjshme. Për rastin konkret, shumë afër vendit të aksidentit kanë qenë dislokuar shërbime të policisë kufitare, në thellësi të territorit për nga kufiri grek, kanë qenë agjentë të luftës kundër krimit të organizuar, me qëllim që pika që shfrytëzohej më shumë te lundrat në Butrint, por edhe në thellësi ne kemi pasur praninë e punonjësve të policisë, që me ndodhjen e ngjarjes, menjëherë në vendin e ngjarjes kanë shkuar këto shërbime. Edhe në ligjin e Policisë së Shtetit, por dhe me Kodin e Procedurës, policia merr masa të menjëhershme për të parandaluar pasojat e mëtejshme, që sjell një ngjarje kriminale dhe kjo gjë është bërë. Punonjësit e policisë bashkë me peshkatarët janë angazhuar për të shpëtuar personat që ndodheshin në varkë.

Ka policë të implikuar?

Kurrë nuk mund të arrish që për një ngjarje të rëndë në një hark kohor disa orësh të arrish rezultate konkrete hetimi. Mbetet si pistë sigurisht. Ka një ekip ku kam angazhuar drejtorin e luftës kundër krimit të organizuar, shefin e sektorit të trafiqeve të paligjshme, drejtorin e policisë Vlorë, drejtues të strukturave të policisë kufitare. Janë në përbërje të ekipit hetimor të kryesuar nga prokurori i Sarandës. Që do të thotë se të gjithë veprimet hetimore që kryhen nga oficerët e policisë gjyqësore vihen në dispozicion të prokurorit dhe tani që është filluar një çështje penale, ai është personi që delegon kryerjen e veprimeve shtesë dhe me provat e grumbulluara ngre akuza për persona të caktuar që kanë përgjegjësi për këtë ngjarje. Deri tani mendoj se në një kohë rekord kemi përcaktuar personat përgjegjës për këtë ngjarje. Organizatorët, transportuesit, strehuesit, rekrutuesit dhe kemi bërë publikë ato. Vazhdojnë veprime hetimore për të gjetur dhe persona të tjerë që janë të implikuar në këtë ngjarje.

Është kapur ditë më parë dhe një gomone, ka rikthim të trafikut?

Policia pikërisht për këtë arsye ekziston si institucion. Them se për atë gomone janë zhvilluar hetime disamujore. Dhe përse janë pak arrestime në flagrancë. Për të gjitha ngjarjet e trafikut e Krimit të Organizuar, hetimet paraprake zënë vend të rëndësishëm dhe kur ne godasim hetimet janë në përfundim. Kjo, sepse ne po aplikojmë metoda dhe mënyra që më parë nuk janë aplikuar Jemi të ftohtë në veprimet tona dhe nuk do të ndikohemi nga asnjë lloj komenti pasi jemi të përgjegjshëm dhe ligjore në kryerjen e çdo lloj veprimi që kryejmë. Në çdo veprim që kryejmë kemi akuzën që kontrollon, autorizon dhe ndjek çdo veprim të policisë.

Marrëdhëniet me prokurorinë?

Marrëdhëniet janë të mira, kemi një bashkëpunim të ngushtë dhe kjo është një që detyrim ligjor i Kodit të Procedurës Penale. Ne sa po biem në kontakt me një vepër penale që po kryhet, ose është kryer, jemi të detyruar të referojmë këtë në prokurori dhe që në atë moment miratimi për çdo veprim merret te prokurori dhe në gjykatë. Bashkëpunimi është institucional dhe i domosdoshëm. Kam qenë në Sarandë kam takuar prokurorin e rrethit që kishte angazhim maksimal kishte në dispozicion të gjithë oficerët e Policisë Gjyqësore dhe hetuesit që kjo të hetohet sa më shpejt.

Kultivimi i kanabisit?

Kemi pasur një plan kombëtar kemi kaluar fazën e parë që është ajo e sensibilizimit dhe angazhimin e gjithë aktorëve që mund të japin kontribut ne moskultivimit të kësaj bime. Kemi kapërcyer fazën e dytë që është asgjësimi i parcelave që identifikohen nga policia. Dhe faza e tretë organizimi i operacioneve që tentojnë të trafikojnë këtë lëndë që nuk është arritur të asgjësohet nga policia. Tani kemi pasur tri vatra në Shqipëri. Vlorën, Gjirokastrën më saktësisht Lazaratin dhe Malësinë e Madhe e Malësia e Mbishkodrës. Në Vlorë e Shkodër pothuaj janë asgjësuar shumica e bimëve narkotike në bazë të informacioneve të marra, kjo dhe në bashkëpunim me pushtetin lokal. Është bërë një punë vërtet e madhe dhe mbase ka mbetur ndonjë rast sporadik.

Mbetet Lazarati problem?

Po Lazarati mbetet problem. Vitin e shkuar janë tre tonë e gjysmë kanabis të sekuestruar me adresë trafikun jashtë vendit me origjinë nga Lazarati. Unë siguroj se dhe këtë vit në fazën e fundit që është më profesionale për të goditur e sekuestruar sasinë që tenton të trafikohet në do bëjmë publike goditjet e herëpashershme dhe nuk do të lejojmë që kjo sasi nëse trafikohet.

Ka pasur konfrontime me policinë në Lazarat?

Kemi një hetim të gjithanshëm. Kemi krijuar dosje hetimore dhe çështje të regjistruara për kultivuesit, për ata që kanë qëlluar me armë ndaj lagjeve “Zinxhiras” dhe “Derviçan”, policia grumbullon material dhe të dhëna për këdo që konsumon vepër penale.

Ka pretendime që Lazarati mbahet disi me hatër ngaqë është i djathtë?

Garantoj që jo vetëm Lazarati, por në asnjë vend, Policia e Shtetit nuk niset me opinione politike. Ne siç jemi të angazhuar në këtë zonë jemi të angazhuar në Shkodër e Vlorë dhe në gjithë territorin, por jo të ndërmarrim veprime të nxituara nga deklarata politike dhe mediatike, ndaj jemi të përkushtuar për të bërë detyrën. Arrestimi i personave në Lazarat që janë bërë publike, i mjeteve që përdoreshin për transport.

Sa e pranishme është policia në këtë zonë?

Është e pranishme dhe monitoron gjithçka. Ne do ju bëjmë me dije për të gjitha veprimet që do të bëjë policia.

Arrestimet, personat në kërkim, vini nga një konferencë e Interpolit, do ketë zhvillime dhe arrestime të reja?

Në këtë konferencë ndërkombëtare kemi pasur takime të rëndësishme. Bashkë me zëvendësministrin e Brendshëm shefin e Interpolit. Kontaktuam sekretarin e përgjithshëm të Interpolit shefin e zyrës së Interpolit të Uashingtonit, drejtorin e Përgjithshëm të policisë italiane dhe turke, morëm shumë takime me gjithë vendet. Interpol Tirana ka korrur suksese të dukshme kohët e fundit. Vetëm, këtë vit janë 96 persona me rrezikshmëri të lartë shoqërore që janë arrestuar. Në vende të ndryshme të Evropës e janë ekstraduar. Do të intensifikohet më tepër. Interpoli grumbullon informacione të shumta dhe kontakton me homologët dhe ky ka qenë një sukses i garantuar. Do të ketë dhe arrestime të tjera të personave me rrezikshmëri të lartë, të jeni të bindur për këtë

Në bazë të të dhënave ka të huaj që janë në kërkim në vendin tonë?

Janë shumë pak, por ne kemi bashkëpunuar me Task-Forcën e FBI-së kemi arrestuar persona që kanë bërë vepër penale në SHBA dhe janë ekstraduar dhe anasjelltas. Me marrëveshjen me italianët, për persona që kanë kryer vepra në Itali, po ekzekutohen vendime gjyqësore të palës italiane për persona që kanë kryer vepra e janë marrë vendime.

Krimet, gjendja dhe komunikimi me komunitetin?

Numri i vrasjeve ka rëne të theksuar, krimi në familje është problem megjithëse ne kemi marrë në mbrojtje qindra persona pas informacioneve të marra dhe nuk ka pasur probleme pasi janë monitoruar me korrektësi të madhe. Kjo ka qenë dhe pasojë e komunikimit më të mirë me komunitetin , ka mijëra telefonata më tepër dhe ajo që është e rëndësishme që e teston besueshmërinë është fakti që ka rrallë telefonata false. Por është edhe një tregues i reagimit në kohë dhe me efikasitet të Policisë së Shtetit.

Damir Fazlliç. Ka pasur një përplasje mediatike politike, kur për këtë personazh është kërkuar ndalimi apo shoqërimi. Saktësisht çfarë i ka kërkuar prokuroria Policisë e Shtetit ditën kur ky biznesmen është larguar nga Rinasi?

Përderisa është regjistruar një procedim penal për këtë çështje që e heton prokuroria e rrethit gjyqësor Tiranë, nuk mund të bëjë komente. Jam informuar ndonëse nuk kam qenë në Shqipëri atë ditë. Jam informuar se atë ditë në komisariatin e policisë Rinas ka vajtur një thirrje e prokurorisë së Tiranës për këtë shtetas të huaj.

Dhe kur ka vajtur?

Aty gjithçka lë gjurmë. Në kohën që ka shkuar fletëthirrja në sekretarinë e komisariatit, në kohën kur shefi i komisariatit është telefonuar, koha kur ky shtetas ka kaluar terminalin dhe është larguar. Gjithçka ka lënë gjurmë dhe është lehtësisht e verifikueshme. Të lëmë prokurorinë ta hetojë.

A ka vepruar policia e shtetit sipas procedurës, sipas ligjit, a keni konstatuar ju shkelje?

Jo nuk ka shkelje. Sepse shefi i komisariatit është komunikuar me këtë fletëthirrje pas shtetasi të cilit i adresohej është larguar nga Shqipëria

Pasi është larguar?

Dhe e dyta Edhe po të marrë fletëthirrjen, i vetmi detyrim i policisë së shtetit është për t’ia treguar atij shtetasi që kërkohej nga prokuroria dhe ai lehtësisht mund të thotë që unë sot kam axhendë tjetër do të mundësojë ardhjen në një moment tjetër.

Fletëthirrja ka qenë për t’u shoqëruar, ndaluar, apo arrestuar?

Për t’u ftuar që ai do të pyetet nga Prokuroria e Tiranës lidhur me një çështje. Atë njoftim ai e ka marrë vetëm nëpërmjet mediave, pas këtij debati që ka ndodhur, çdo gjë është e verifikueshme. Kush të jetë përgjegjës, le të përgjigjet. Është një hetim i regjistruar dhe hetimi do të nxjerrë përgjegjësinë e kujtdo.

Nëse kthehet, policia duhet ta shoqërojë?

Duhet një urdhër, ajo ishte thirrje për të bërë me dije të paraqitet. Ishte thjesht një njoftim.

A i ka lënë kjo ngjarje korrekte marrëdhëniet me prokurorinë?

Janë korrekte, ligjore, institucionale shumë të mira.

Rama: Fazlliç nuk është rithirrur

Prokurorja e Përgjithshme e Republikës në Shqipëri, Ina Rama, i tha BBC-së se shpreson që përplasja institucionale me ekzekutivin të tejkalohet me angazhimin e të gjitha palëve.

Ajo e quan një qëndrim politik dhe jo pretendim ligjor kërkesën e mazhorancës për ngritjen e një komisioni parlamentar për hetimin e veprimtarisë së prokurorisë në trajtimin e çështjes “Fazlliç”. Gjatë një vizite zyrtare në Londër, zonja Rama i tha BBC-së se hetimet e prokurorisë së Tiranës për këtë çështje janë në fazën fillestare dhe se veprimet e ndërmarra deri tani kanë qenë konform ligjit. Gëzim Guri bisedoi me Prokuroren e Përgjithshme, Ina Rama dhe fillimisht e pyeti se me çfarë misioni vizitonte Londrën. Rama tha se kjo ishte një vizitë me qëllim vendosjen e kontakteve të drejtpërdrejta me homologët tanë këtu si dhe me qëllim marrjen dhe përfitimin e eksperiencave të homologëve britanikë në aspekte të punës sonë, të hetimit të çështjeve, të ushtrimit të ndjekjes penale.

A trajtuat ndonjë rast konkret gjatë qëndrimit tuaj në Londër?

Patëm edhe diskutime në nivel teknik për çështje të veçanta të cilat janë në proces si nga homologët britanikë, ashtu edhe nga ne, për të cilat gjithashtu ne po tentojmë të kemi një bashkëpunim.

A u trajtua çështja e Ilir Kumbaros?

Jo, kjo nuk ishte një nga çështjet që u trajtua. U trajtuan çështje të tjera të cilat janë në proces e sipër, për të cilat ne kemi nevojë të shpejtojmë dhe të facilitojmë procedurat.

Një nga çështjet më të mprehta të kohëve të fundit për Prokurorinë ka qenë edhe çështja “Fazlliç”. A u trajtua ajo gjatë vizitës suaj në Britani, pasi ai është edhe shtetas britanik?

Jo, nuk ishte nga çështjet që ne trajtuam me kolegët britanikë.

Dhe ku qëndron, momentalisht, si status, çështja “Fazlliç”? Jo hollësi për hetimin, po ku ka mbetur?

Ajo ka mbetur në fillimet e saj, siç besoj se shtypi e di. Është një çështje, e cila është regjistruar si e tillë, pra, kemi një procedim penal të regjistruar në Prokurorinë e Tiranës. Zoti Fazlliç ka në këtë procedim cilësinë e personit ndaj të cilit zhvillohen hetimet dhe besoj që Prokuroria e Tiranës është duke bërë veprimet hetimore që mund të konsiderohen fillestare sepse me të vërtetë që jemi në fillim të një procedimi penal. Mund t’ju kujtoj që procedimet penale në shumë raste të tjera zgjasin për mjaft kohë dhe ne, edhe pasi kemi bërë hetime të vazhdueshme, përsëri do të rezervohemi për të dhënë konkluzione të mirëfillta. Aq më tepër për këtë procedim që është në fazat e tij fillestare, nuk mund të themi asgjë. Mund të themi që po bëhen veprime hetimore për të parë nëse ekzistojnë apo jo dyshimet që organi i akuzës ka pasur se kemi vepra penale të kryera.

A pati një tentativë për t’i paraqitur atij një kërkesë për t’u paraqitur në prokurori?

Nuk pati një tentativë, por Prokuroria paraqiti një kërkesë ose më mirë, në terma proceduralë, është një ftesë për ta pyetur zotin Fazlliç në ditën që ai ndodhej në Shqipëri, një ftesë e cila për shkak të rrethanave, për shkak se si u zhvilluan rrethanat nuk arriti dot të ekzekutohej. Ishte një ftesë për ta pyetur atë. Unë përfitoj nga rasti këtu për të sqaruar opinionin publik sepse me të vërtetë e kam ndjekur mediatikisht qëndrimin që është mbajtur, që ishte një urdhër ndalimi apo një urdhër arresti. Këto janë spekulime. Ka qenë një ftesë për ta pyetur. Është një e drejtë procedurale e prokurorëve që zhvillojnë hetime. Sigurisht që zoti Fazlliç ka pasur, edhe në momentin që mund t’i komunikohej ftesa, të gjitha të drejtat për të mos iu përgjigjur, për të kërkuar një avokat, për të kërkuar kohë, të drejta procedurale që i ka çdo shtetas ndaj të cilit zhvillohen hetime në Republikën e Shqipërisë.

Megjithatë, ai nuk e mori këtë ftesë për këto arsye. A ia keni paraqitur ju zyrtarisht atij këtë ftesë, pas këtij incidenti?

Po di t’ju them se ai nuk e mori, nuk di t’ju them nëse më tej janë bërë tentativa të mëtejshme për ta rithirrur, për ta marrë për të dhënë shpjegime ose për t’u pyetur. Sigurisht që kjo është një procedurë që do ta vlerësojnë prokurorët e çështjes dhe do të vlerësojnë ata se kur do të jetë momenti dhe si do të zhvillohen procedurat.

A ka pasur ndonjë shkelje procedurale nga prokurorët që u morën me këtë çështje, në ndonjë moment?

Nuk më rezulton që prokurorët të kenë vepruar në shkelje të ligjit në veprimet hetimore që janë kryer për çështjen Fazlliç. Nga dijenia që unë kam, ata kanë vepruar duke zbatuar normat e procedurës penale në të gjitha veprimet hetimore që janë kryer deri tani.

Si e konsideroni atëherë përpjekjen e mazhorancës për krijimin e një komisioni parlamentar për hetimin e veprimtarisë së prokurorëve që u morën me këtë çështje, çështjen “Fazlliç”?

Sigurisht që unë mendoj se ky është një qëndrim politik, nuk është një pretendim ligjor, si të themi. Është një mënyrë e të parit të çështjes nga një pikëvështrim i ndryshëm, por e gjithë kjo nuk luhat pozicionin tim që e shpreha pak më parë. Unë mendoj se prokurorët kanë vepruar konform ligjit në të gjitha ato hallka, në të gjitha ata veprime që ata kanë ndërmarrë.

Megjithatë po t’i shtojmë kësaj edhe deklaratën e kryeministrit për një hetim ndërkombëtar, a nuk tregon kjo që marrëdhëniet e institucionit tuaj me ekzekutivin janë, le të themi, në një ngërç për momentin?

Në të vërtetë, paraprakisht, doja t’ju thosha që ne nuk kemi modele hetimesh ndërkombëtare në Shqipëri dhe që ky vullnet të merret e të konsiderohet seriozisht duhet të vishet me petkun e një norme ligjore. Ne kemi deri më sot modele asistencash të prokurorëve të huaj në hetime të veçanta në Shqipëri, por që sigurisht, këto kanë pasur një procedurë të caktuar ligjore për t’u bërë. Por asnjëherë këta prokurorë që kanë marrë pjesë në hetimin e çështjeve shqiptare nuk kanë pasur të drejtë të marrin vendime rreth hetimit. Ata kanë asistuar, kanë koordinuar punët dhe vetëm kaq. Unë mendoj se prokuroria shqiptare nuk ka përse t'i trembet një asistence të huaj, por gjithsesi nuk mund të lë pa përmendur faktin që e gjithë kjo dëmton imazhin e institucionit të akuzës, sepse ul kredibilitetin e tij në publik.

Dhe a janë marrëdhëniet institucionale të Prokurorisë së Përgjithshme me ekzekutivin në një ngërç?

Duhet thënë që ne kaluam një moment të vështirë në këta raporte. Patëm një përplasje institucionale. Unë mendoj se është shumë e rëndësishme që ky moment të kapërcehet, për shkak se mendoj dhe dua të fokusohem fort në këtë moment. Mendoj që duhet që të gjitha institucionet t’i bashkërendojnë punët për të pasur një rezultat të mirë. As Prokuroria e vetme nuk mund të realizojë funksionet e saj, as institucionet e tjera, po ashtu, sidomos në aspektin e ushtrimit të ndjekjes penale. Shpresoj fort që do të ketë një vullnet të përbashkët që kjo përplasje të kapërcehet. Është në të mirën e ne të gjithëve.

Sa ju komprometon mbështetja e flaktë e opozitës për ju, për Prokuroren e Përgjithshme të Republikës në këtë moment, e bërë qoftë për arsye parimore, qoftë për arsye pragmatike nga ana e opozitës?

Së pari, nuk më duket se është e flaktë, unë nuk konstatoj ndonjë gjë të tillë. Sigurisht, mendoj se opozita është duke bërë pjesën e saj politike në këtë situatë. Unë mendoj se e rëndësishme është që puna, imja ose e organit që unë drejtoj, të jetë e mbështetur në ligj. Në rast se ne do të veprojmë duke zbatuar ligjin, pak rëndësi ka pastaj se kush të mbron dhe kush të godet. E rëndësishme është që gjithë aktiviteti që organi i prokurorisë kryen, veçanërisht në raste specifike që janë sensitive për publikun, të jetë në mënyrë ekstreme i mbështetur në ligj.

Megjithatë, është shumë e rëndësishme kur ju mbron ambasadori amerikan në Tiranë me deklarata që mund të lexohen shumë lehtë si “mos e prekni Prokuroren e Përgjithshme”!

Jo, unë nuk do ta lexoja kështu. Mund ta lexonim ndryshe. Mund ta lexonim që ‘lërini ata që zbatojnë ligjin ta zbatojnë ligjin’! Ndoshta konstatimi që, jo vetëm Ambasada Amerikane, por unë do të them se edhe ambasadorët e Bashkimit Evropian kanë bërë në mbështetje të institucionit të prokurorisë për këtë rast, lidhet me faktin që ata duhet të kenë konstatuar që ne kemi vepruar drejt, se prokuroria ka zbatuar ligjin në të gjitha hallkat, në të gjitha veprimet që ajo ka ndërmarrë në këtë çështje, në këtë situatë.

Zonja Rama, nga kush duan t’ju mbrojnë ndërkombëtarët?

Unë mendoj se ndërkombëtarët po mbështesin prokurorinë që ajo të vazhdojë të bëjë punën e saj, të vazhdojë të jetë e pavarur në vendimmarrjen e saj.

Zonja Rama, ju jeni e re në moshë, e re në detyrë. Keni të paktën tri çështje hetimore ku janë të përfshirë emrat e ministrave, ish-ministrave, pjesëtarëve të afërt të kryeministrit. Sa ndikon gjithë kjo trysni në aktivitetin tuaj dhe të institucionit që ju drejtoni?

Të gjitha këto çështje kanë peshën e tyre në mënyrën se si zhvillohen punët, se si ecin punët në sistemin e akuzës. Vetëm fakti që çdo vendimmarrje, çdo hap, çdo veprim hetimor që ndërmerret në këto çështje, është një veprim që monitorohet në të gjitha drejtimet, në të gjitha aspektet, të vendos në një farë trysnie. Unë do të preferoja që puna jonë të ishte në kushte më komode, sigurisht. Do të preferoja që ne të bënim punën tonë pa qenë e nevojshme që në çdo hap që hedhim të kemi komente nga njëri krah, apo nga krahu tjetër. Do të preferoja që prokurorët ta ndjenin veten të lirë dhe të qetë në gjithë aktivitetin e tyre, sepse kjo lloj trysnie edhe kur është pozitive, edhe kur është në mbështetje të fortë të prokurorisë, ndoshta-ndoshta prish ekuilibrin e një pune normale. Unë do të preferoja që puna e prokurorisë të ishte e saj, të mos ishte kaq publike, të mos merreshin të gjithë me të. Por, në fund fare, kjo është një situatë që nuk varet prej nesh, nuk varet prej meje, ne nuk mund ta kontrollojmë dot. Kështu që ajo që na bie si detyrë, është që ne të operojmë sikur nuk dëgjojmë asgjë, sikur nuk kemi asnjë lloj trysnie, sikur askush nuk na bezdis në punën tonë dhe jemi të përqendruar vetëm tek faktet që ne mbledhim nga hetimi. Është një ndërmarrje e vështirë, po kjo është sfida jonë.

Dhe një sfidë tjetër është hetimi për tragjedinë e Gërdecit, si dhe hetimi për tregtinë e paligjshme të municionit drejt Afganistanit. Në ç’fazë ndodhen hetimet për këto dy çështje?

Grupi hetimor, me sa kam unë dijeni, ka kryer pjesën më të madhe të hetimeve që mund të kryheshin prej grupit hetimor në Shqipëri dhe ne jemi në pritje të letër-porosive që u kemi dërguar homologëve tanë në SHBA, në Qipro dhe në Zvicër. Presim përgjigjet e tyre dhe mendoj që pas marrjes së këtyre përgjigjeve ndoshta do të kemi nevojë të bëjmë veprime të tjera hetimore. Gjithsesi, nuk mund të parashikojmë gjë, për sa kohë që përgjigjen nuk e kemi në dorë dhe nuk dimë çfarë të dhënash do të na vijnë nga homologët tanë.

Jeni e kënaqur me ritmet e hetimeve gjatë këtyre më shumë se shtatë muajve që kanë kaluar nga tragjedia?

Unë mendoj që puna është bërë në kohë reale. Është një çështje shumë komplekse, shumë voluminoze, shumë e ngarkuar. Ndoshta mund të kishte edhe tempe më të mira, por, gjithsesi mund të them se po bëhet një punë e mirë.

Si vepron prokuroria, institucionalisht, në raste kur media dekonspiron ndonjë hetim?

Në fakt ajo që dekonspiron hetimin ndoshta në këtë rast është personi që përcjell lajmin tek media dhe, në zbatim të normave ligjore, duhet të nisë një procedim ndaj këtyre individëve. Problemi është që ne kemi një situatë jo shumë të normuar ligjërisht për rrjetin e personave që marrin një informacion të caktuar në çështje dhe bëhet shumë i vështirë përcaktimi i rrjetit të personave që kanë pasur dijeni për informacion për lajmin. Është një proces që, minimalisht, unë mendoj se duhet zgjidhur në aspektin disiplinor, në rast se do të kemi konstatime dhe pastaj për të kaluar edhe në aspektin e përgjegjësisë penale. Por i gjithë përcaktimi i rrethit të individëve, duke qenë se është i gjerë, është i pacaktuar, ndoshta e fut organin e akuzës nëpër tymnaja të tjera, nëpër punë, të cilat nuk do të arrijë dot t’i përfundojë, do ta shkëpusë nga vëmendja e hetimit thelbësor, që është primar.

Dhe kur jemi tek ligji, kuadri ligjor i sistemit të drejtësisë po ndryshon, po reformohet, ka disa drafte të cilat kanë ngjallë edhe shumë debat. Si e konsideroni draftin për prokurorinë?

Drafti për prokurorinë pësoi disa ndryshime në vazhdim të punës që bëri grupi i punës i ngritur nga Ministri i Drejtësisë bashkë me një urdhër të përbashkët që e kam nënshkruar edhe unë. Unë mendoj se drafti pati avancime shumë pozitive. Me ndonjë informacionin tim, di që ne jemi ndarë në disa pika me Ministrin e Drejtësisë dhe në variantin pothuajse përfundimtar që kemi hartuar. Sigurisht që mendoj se secila nga palët e interesit do të mbrojë qëndrimin e saj dhe, pastaj, do të jetë vullneti politik i parlamentit që do të vendosë se cili do të jetë opsioni që do të marrë formën ligjore.

Nëse do të ishit deputete, do ta kishit votuar këtë draft, siç është?

Me variantin që propozon prokuroria do ta kisha votuar.

Paraardhësi juaj në këtë detyrë, zoti Theodhori Sollaku, u akuzua nga mazhoranca e tanishme se flinte mbi dosjet e korrupsionit dhe krimit. A keni gjetur ju dosje të fjetura, kur e morët këtë post?

Unë mendoj se ky është term mediatik. Në prokurori ka dosje të pezulluara. Është një koncept procedural, një status procedural. Prokuroria i vë këto dosje në lëvizje kur merr një informacion nga Policia e Shtetit që ka të dhëna të reja për të cilat duhet të prishen vendimet e pezullimit dhe duhet të rivihen në lëvizje dosjet. Kjo është situata për çështjet e pezulluara që janë të fjetura, që janë të heshtura. Unë di t’ju them që për çdo material kallëzues që vjen sot në prokurori, e gjithë fryma që unë kam përcjellë në organin e akuzës, është që ai të vlerësohet maksimalisht dhe askush të mos shpëtojë nga ndjekja penale. Ky term i përdorur, ndoshta do të ishte më i frytshëm po të ishte konkret. Cilat janë këto dosje të fjetura konkretisht? Kush është gabimi i prokurorisë? Cili është veprimi që prokuroria duhej të bënte dhe s’e ka bërë? E lançuar në këtë formë më duket se tenton të dëmtojë imazhin e institucionit të akuzës, por pa hyrë në detaje. Përgjegjësitë janë individuale dhe janë konkrete.

Megjithatë ka kritikë që thonë se p.sh., në rastet që përmendëm më sipër, përmenden emrat e ministrave dhe ish-ministrave të kësaj qeverie të lidhur me afera korruptive, ndërkohë që nuk ka asnjë rast të ndonjë ish-zyrtari të lartë të administratës të dikurshme, të paktën publikisht, në ndonjë proces hetimor.

Unë do t’ju them që në aspektin procedural prokuroria ka të drejtë të nisë hetime kryesisht dhe, në pjesën më të madhe, të marrë kallëzime nga institucione shtetërore dhe nga shtetasit. Në rast se zërat që thonë se prokuroria nuk po heton për ish-zyrtarë të opozitës, janë në gjendje të paraqesin fakte konkrete para organit të akuzës, për të cilat duhen investiguar këta persona, atëherë ky është një diskutim tjetër. Unë mund t’ju them që aktualisht nuk ka kallëzime të bëra rreth këtyre, nuk ka fakte konkrete të prezantuara pikërisht nga këta që thonë se këta persona nuk po investigohen. Ka një Polici Shteti e cila mbledh informacione dhe referon veprat penale, njoftimet për veprat penale në organin e akuzës, i cili më pas nis hetimin. Ose ka fakte të publikuara në media, siç ishte rasti i çështjes “Fazlliç”, të cilat të detyrojnë të nisësh një investigim, një procedim penal. D.m.th. prokuroria e ka rolin e vet proaktiv, por kryesisht vepron mbi bazën e informacioneve që vijnë.

Nëse jam një qytetar që po e dëgjoj këtë intervistë, me çfarë argumentesh konkrete do të më bindnit ju se vërtet dëshironi t’u shkoni deri në fund çështjeve që kanë mbetur pezull, pavarësisht nga kostoja politike?

Unë do t’ju thosha që ju duhet të prisni që ne të marrim vendimet e duhura. E rëndësishme është që të jenë të duhura dhe të bazuara në ligj. Pastaj nëse ju do t’i çmoni të drejta apo jo... Sepse mënyra se si e vlerëson një qytetar, një politikan një vendimmarrje të organit të akuzës është e ndryshme nga mënyra se si e vlerëson vetë një prokuror. Prokurori duhet të vendosë mbi faktet që ka mbledhur nga hetimi dhe jo mbi akuzat publike apo diskutimet mediatike që bëhen. Ka një dallim shumë të madh. Në rast se ne do të marrim vendime të bazuara në ato që ne kemi mundur të mbledhim nga investigimi, në rast se do të arrijmë t’i mbështesim këto vendime në gjithë provat e mbledhura, gjykimi pastaj është një vlerësim subjektiv dhe ne nuk mund të rendim gjithë kohës pas tij.

Zonja Rama, cili është ai aspekt me të cilin do të mburreni në këta muaj që keni qenë në krye të Prokurorisë së Përgjithshme dhe a ka diçka me të cilën ju vërtetë do të dëshironit të krenoheshit në përfundim të mandatit tuaj në këtë detyrë?

Të mburresha sot do të ishte shumë shpejt. Nuk do të doja të nxitohesha. Ka një aspekt me të cilin unë do të krenohesha në rast se do të arrija ta realizoja në fund të mandatit tim. Në rast se nëpërmjet punës që organi i akuzës do të bënte gjatë këtij mandate do të arrinte të rriste besimin e publikut tek institucioni i akuzës, kjo do të ishte një gjë, për të cilën unë do të isha shumë krenare, sadopak që unë të kisha influencuar në këtë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›