Durrës, bien në pranga dy të kërkuar
Policia e Durrësit ka arrestuar të shumëkërkuarin Astrit Keçi. Arrestimi i 39-vjeçarit nga Shijaku u krye pasi Gjykata e Rrethit Durrës, në vitin 2007, ka njohur vendimin e Gjykatës së Pisas Itali të vitit 2005, në bazë të të cilit ky shtetas është dënuar me 14 vjet e 4 muaj burg për veprën penale të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe e ka konvertuar këtë dënim në 10 vjet burg për të njëjtën vepër penale të parashikuar nga Kodi Penal. Kapja e Keçit u bë e mundur gjatë një operacioni të organizuar mesnatën e kaluar në një fermë në zonën e Shijakut, pronë e tij, të cilën ky shtetas që prej një periudhe të shkurtër kohore e shfrytëzonte për t’u fshehur. Sipas informacioneve të policisë, gjatë ndërhyrjes për kapjen e tij, 39-vjeçari bëri rezistencë ndaj efektivave, por pa mundur të arratisej. E njëjta strukturë e Drejtorisë së Policisë Qarkut Durrës mundi të kapë e të ndalojë një tjetër person të kërkuar për mbajtje pa leje të armëve e municioneve luftarake. Konkretisht bëhet fjalë për shtetasin Elis Reka, 20 vjeç, me banim në lagjen nr. 11, Durrës, i dënuar për veprën penale të mbajtjes pa leje të armëve e municioneve luftarake. Ky shtetas është shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Durrës, më datë 21.10.2008, pasi Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Durrës, më datë 17.10.2008, ka nxjerrë ndaj tij urdhër ndalimi për veprën penale të mbajtjes pa leje të armëve e municioneve luftarake. Lidhur me dy shtetasit në fjalë, nga ana e policisë u kryen veprimet e nevojshme procedurale, të cilat do t’i përcillen për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Durrës.