E Shtunë, 31 Tetor 2026

KLD-ja dërgon “Librin e bardhë” në Parlament



Laureta Rryçi

Tiranë - Nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, prezantoi dje, në mbledhjen e radhës, “Librin e bardhë” të Drejtësisë, ku përfshihen disa rekomandime për të eliminuar problemet në këtë fushë. Në këtë prezantim, ku ishin të pranishëm dhe kryetarët e 16 gjykatave në rrethe, Spahiu deklaroi se “për hartimin e librit kanë punuar një grup ekspertësh, lektorësh dhe avokatësh juristësh, të cilët kanë përmbledhur sugjerimet e vërejtjet e bëra nga 130 gjyqtarë”. “Libri i bardhë, - vijoi ai, - synon që të shndërrohet në një manifest të pjesës së ndershme dhe vitale të pushtetit gjyqësor, e cila do ta udhëheqë këtë grupim në lëvizjet për një shtet ligjor dhe për shumë pavarësi. Libri i Bardhë është garancia më e mirë për të hartuar një strategji reformash dhe ndryshimesh, të cilat do t’i japin fund realitetit të hidhur të antagonizmit mes ligjit dhe së drejtës”, - nënvizoi Spahiu. Ndërsa ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, i pranishëm në këtë prezantim, theksoi se "ka ardhur koha t’u jepet fund praktikave të vjetra të KLD-së dhe se reforma në Drejtësi nuk mund të bëhet vetëm”. Ministri hodhi akuza në drejtim të disa gjyqtarëve, që sipas tij, “sabotojnë proceset gjyqësore”. Libri i Bardhë do t'i dërgohej dje Kuvendit të Shqipërisë si një ekspertizë juridike.
Nisma
Këshilli i Lartë i Drejtësisë pati filluar në fillim të këtij viti nismën më të re të quajtur “LIBRI I BARDH˔. Fillimisht kjo nismë nisi me togat e zeza të gjyqtarëve të Gjykatës së Rrethit Tiranë më pas u realizua në të gjitha gjykatat e vendit deri dje që përfundoi zyrtarisht. Për herë të parë në historinë e jurisprudencës, por dhe gjykatave shqiptare, Këshilli i Lartë i Drejtësisë u ul në sallën ku zhvillohen gjyqe për qytetarët dhe kishte për auditor vetë gjyqtarët dhe togat e zeza të kësaj gjykate. Në ato ditë Kreshnik Spahiu deklaroi se “ky libër i bardhë do të qarkullojë në çdo gjykatë shqiptare si një hapësirë që gjyqtarët dhe qytetarët të shprehin pikëpamjet e tyre juridike për të ardhmen e gjyqësorit dhe mendimet për reformën”. “Ju nuk jeni në procesin vendimmarrës të politikës por zëri juaj duhet dhe do të jetë vendimmarrës në debatin për reformën në drejtësi dhe të ardhmen e Gjyqësorit”, - theksoi Kreshnik Spahiu. 60 000 faqe ekspertizë dhe mendime të gjyqtarëve dhe qytetarëve do të demonstrohen në faqet e “LIBRAVE TË BARDH˔ për t’ iu paraqitur më pas Kuvendit dhe deputetëve si lëndë e parë për të hedhur themelet e një reforme të pavarur dhe kushtetuese për pushtetin gjyqësor.
Vlera
Ndërkohë, Këshilli i Lartë i Drejtësisë u pati bërë thirrje gjyqtarëve që të bëhen pjesë e ndryshimit dhe të mos bëjnë më pazare me ligjin. Zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, apeloi që “emërimi dhe promovimi nuk mund të jetë tender pazaresh, por një proces i ri vlerash dhe karriere nëpërmjet një fushate transparente me publikun dhe vetë sistemit”. Sipas Spahiu, “LIBRI I BARDH˔ do të shërbejë si ekspertizë dhe si një mjet për të garantuar konsensusin parlamentar nëpërmjet bashkimit të qëndrimeve të ndryshme rreth ekspertizës të shprehur në faqet e opinioneve të gjyqtarëve, prokurorëve dhe qytetarëve të interesuar për këtë çështje.

3 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›