E Diel, 1 Nëntor 2026

Ahmetaj: Berisha mashtroi për çështjen e katastrofës

Deputeti socialist, Arben Ahmetaj, deklaroi dje se Kryeministri Berisha gënjen kur thotë se katastrofa të tilla si ajo e Shkodrës ndodhin një herë në 100 vjet. Por referuar rregullores, socialistët thonë se në të specialistët kanë parashikuar të gjithë hapat e domosdoshëm që duhen marrë për të shmangur raste të përmbytjeve të mundshme si kjo e fundit në Veri. “Të dhënat zyrtare thonë se prurjet maksimale në Fierzë arritën në nivelin e 1800 m/kub në sekondë. Kryeministri thotë se kjo ndodh një herë në 100 vjet. Jo. Po t’i referohemi ‘Rregullores mbi shkarkimin e plotave në hidrocentralet e lumit Drin’, faqe 34, pika 11.1.4 parashikohet niveli i prurjeve maksimale në kuotat 4365 metër/kub në sekondë (citim nga Rregullorja...në periudhën tetor shkurt… nëse në Fierzë vjen plota me përsëritje një herë në 100 vjet prej 4365m3/ujë në sekondë…)”, tha Ahmetaj ndërsa nënvizoi se kjo është dukuria e rrallë që parashikon rregullorja, e cila mund të sjellë pasoja emergjence pavarësisht dhe menaxhimit. “Pra 4365 dhe jo 1800 metër kub në sekondë është prurja që ndodh një herë në njëqind vjet parashikuar edhe në rregulloren e cituar më lart. Prurja e parashikuar një herë në 100 vjet është 2.4 herë më e lartë se ajo që përmbyti Shkodrën”, deklaroi deputeti socialist.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›