Prokuroria: Arrest shtëpie për ish-shikasit
Gjykata Supreme vendosi në vitin 2008 që masa për të akuzuarit të jepej nga një trupë gjyqësore dhe jo nga një gjyqtar i vetëm
Gjykata rrëzon kërkesën e akuzës: Koldashi e Sefgjini nuk janë të rrezikshëm
Gjykata e Krimeve të Rënda nuk ka pranuar kërkesën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për ndryshimin e masës së sigurisë për Arben Sefgjinin dhe Avni Koldashin, të akuzuar për rrëmbimin e Remzi Hoxhës. Në seancën e djeshme gjyqësore, prokurori Xhevat Hana i kërkoi Kolegjit Penal që të rishikonte vendimin për ekzekutimin e masës së arrestit për Sefgjinin e Koldashin, pas vendimit të Gjykatës së Lartë, e cila kishte “urdhëruar” shkallën e parë që të vendoste masën e sigurisë në një Kolegj Penal. Prokuroria deklaroi dje në seancë se Prokuroria për Krime të Rënda ka kërkuar në vitin 2008 masën e arrestit për të akuzuarit për rrëmbim të trefishtë. Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda pranoi kërkesën e organit të akuzës, ndërsa palët e ankimuan atë në Gjykatën e Apelit. Kjo gjykatë prishi vendimin e arrestit, duke deklaruar se vendimi duhet të jepet me trupë gjyqësore. çështja u ankimua sërish në Gjykatën e Lartë, e cila la në fuqi vendimin e Apelit. Në këto kushte, tha prokurori, i kërkojmë Gjykatës së Krimeve të Rënda të riverifikojë masat e arrestit për Koldashin dhe Sefgjinin.
Vendimi
Kolegji Penal që gjykon çështjen e zhdukjes së Remzi Hoxhës, vendosi të rrëzojë pretendimin e prokurorit të çështjes duke argumentuar se të pandehurit janë treguar korrekt me gjykatën, nuk paraqesin rrezikshmëri dhe nuk ka gjasa të largohen nga vendi. “Në një moment të tillë procedural nuk mund të bëhet kërkesë për ndryshim të masës së arrestit. I pandehuri Arben Sefgjini është sjellë korrekt me drejtësinë dhe nuk ekziston mundësia e largimit të tij nga Shqipëria”, thuhet në vendimin e trupit gjykues. Të pandehurit në gjendje të lirë Arben Sefgjini dhe Avni Koldashi përfaqësohen sikurse në dhjetëra seanca të mëparshme vetëm nga avokatët e tyre mbrojtës. Pas këtij vendimi, Arben Sefgjini dhe Avni Koldashi, të dyshuar si autorët e rrëmbimit me pasojë zhdukjen e shtetasit shqiptaro-maqedonas Remzi Hoxha në vitin 1995 në Tiranë, do të vijojnë të gjykohen në gjendje të lirë nga Gjykata e Krimeve të Rënda. Arben Sefgjini, aktualisht mban postin e drejtorit të strukturës së Shërbimit të Provës nën varësinë e Ministrisë së Drejtësisë, ndërsa Avni Koldashi, aktualisht është i papunë.
Dëshmitë
Procesi ndaj ish-drejtuesve të Shërbimit Informativ Shtetëror që akuzohen nga prokuroria si përgjegjës në rrëmbimin e trefishtë në vitin 1995 të Avdyl Loshajt, Ziso Kristopullit dhe Rezmi Hoxhës ndodhet në fazën e marrjes së dëshmisë së njërit prej të rrëmbyerve, pikërisht atë të Loshajt. Në seancën e djeshme, gjykata vendosi edhe marrjen në pyetje nëpërmjet letërporosive të disa dëshmitarëve të çështjes, që jetojnë jashtë shtetit, si Loshaj dhe disa shikas që jetojnë në Itali. Remzi Hoxha u rrëmbye rreth 15 vjet më parë dhe mendohet se u torturua në bazën e SHIK-ut në Vain të Lezhës. Që prej asaj kohe nuk ka asnjë informacion se ku ndodhet. Të akuzuar për këtë ngjarje janë katër ish-punonjës të Shërbimi Informativ Shtetëror, Arben Sefgjini, Avni Koldashi, Ilir Kumbaro dhe Budjon Meçe.
#