E Diel, 1 Nëntor 2026

Ahmetaj: “Berisha nuk mund të kushtëzojë hetimin e zgjedhjeve për transparencë”

Deputeti: “Pretendimi për djegien e fletëve të votimit ka lidhje me fshehjen e provës”

Eneida Jaçaj

Deputeti i Partisë Socialiste, Arben Ahmetaj, në një intervistë për gazetën “Albania”, pretendimin e maxhorancës për djegien e fletëve të votimit të zgjedhjeve të 28 qershorit nuk e lidh me asnjë motiv logjik. Ai shprehet se nëse deri tani nuk janë djegur këto fletë votimi, nuk mund të digjen edhe për 6 muaj të tjerë, deri në përfundim të procesit të hetimit, aq më tepër që Partia Socialiste ka pranuar kondicionin e hapjes së këtyre kutive të votimit me opinionin e Venecias. Deputeti Ahmetaj, kërkesën e maxhorancës për djegien e fletëve të votimit, e sheh në dy aspekte. Sipas tij, maxhoranca e ka të domosdoshme që të zhdukë provën dhe kapet pas elementeve, të cilat, në këndvështrimin e saj, i bën të tingëllojnë si të pamundura. Në këtë kontekst, kryeministri Berisha kërkon ta bëjë të pamundur procesin e transparencës. Ahmetaj nënvizon se duhet të hetohen të gjitha kutitë që kërkon opozita, madje dhe opinioni publik. Sipas tij, edhe media mund të sjellë një listë me numra kutish votimi që mund të hetohen nga komisioni. Në këto kushte ku po kërkohet transparenca e zgjedhjeve, Ahmetaj tha se Partia Socialiste është në pritje të përgjigjes pozitive të kryeministrit Berisha në reflektim të asaj që është diskutuar në tryezën e Strasburgut. Përsa i përket kësaj tryeze të mbajtur në Strasburg të Francës, Ahmetaj nënvizoi se kjo tryezë arriti që të vendoste në një standard negociate zgjidhjen e krizës politike. Sipas tij, tryeza e Strasburgut, në fundin e saj të parë, dha një ultimatum për liberalizimin e vizave, por edhe të konsiderimit të kërkesës së statusit të vendit kandidat. Në gjykimin e tij ai tha se është turp që maxhoranca e solli situatën në këtë ekstrem, ku do të duheshin miqtë tanë ndërkombëtarë për ta detyruar Sali Berishën të ulet në një tryezë negociate për një çështje kaq të rëndësishme. Deputeti socialist theksoi se brenda harkut dyjavor, nëse ka vullnet politik dhe kuptueshmëri politike, do të gjendet patjetër një zgjidhje për të realizuar transparencën.

Si do ta cilësonit tryezën e Strasburgut, e cila u mbajt për të diskutuar mbi krizën politike të transparencës së zgjedhjeve të 28 qershorit në Shqipëri?

Tryeza e Strasburgut erdhi si rrjedhojë e domosdoshme e krizës politike shqiptare, e cila do të zgjaste më tepër se 10 muaj. Kjo tryezë erdhi si reflektim i pamundësisë së politikës shqiptare dhe të maxhorancës, kryesisht për të arritur në një konsensus për një çështje kaq madhore, siç është transparenca e votës së 28 qershorit. Është ndër të paktat herë në dy dekadat e fundit që një tryezë e kësaj natyre ngrihet për të diskutuar demokracinë dhe për të arritur një marrëveshje të negociuar në një vend të NATO-s. Në këtë aspekt është diçka e paimagjinueshme, madje është turp që maxhoranca e solli situatën në këtë ekstrem, ku do të duheshin miqtë tanë ndërkombëtarë për të detyruar Sali Berishën për t’u ulur në një tryezë negociate për një çështje kaq të rëndësishme. Në aspektin e përmbajtjes, kjo tryezë arriti që të vendoste në një standard negociate zgjidhjen e krizës politike. Sigurisht, tryeza e Strasburgut, në fundin e saj të parë dha një ultimatum të liberalizimit të vizave, por edhe të konsiderimit të kërkesës së statusit të vendit kandidat. Në këtë aspekt kjo është një tryezë e rëndësishme. Madje pa frikë mund të themi se, nëse ka një shans për të zhbërë mënyrën gardiane të krizës politike në Shqipëri, është kjo tryezë. Të gjithë faktorët dhe aktorët ndërkombëtarë janë pjesë e asaj tryeze për t’i dhënë zgjidhje krizës politike në Shqipëri dhe elementit thelbësor të krizës, mungesës së transparencës së zgjedhjeve të 28 qershorit.

Afati dyjavor i Strasburgut për të gjetur një zgjidhje për ngërçin politik në vend nga të dyja palët, a do të ishte i mjaftueshëm?

Nëse ka vullnet politik dhe kuptueshmëri politike, edhe një ditë për të zgjidhur një krizë është e mjaftueshme, edhe një orë është e mjaftueshme. Koha në këtë element është e lidhur me proceset që po ndodhin, si Samiti i Sarajevës apo dhe me konsiderimet që kanë të bëjnë me liberalizimin e vizave, siç u dha para tri ditësh propozimi i Kolegjit të Komisionerëve.

Nga ana ligjore, a është i drejtë pretendimi i kryeministrit Sali Berisha se nëse hapen kutitë që përmbajnë dokumentacionin zgjedhor, automatikisht kutitë që përmbajnë fletët e votimit i nënshtrohen djegies?

Nuk ka nevojë pse të digjen fletët e votimit. Cila është arsyeja që këto fletë votimi të digjen? Nuk ka hapësirë për t’i depozituar? Cila është arsyeja? Pse duhet të digjet një provë? Ka një ligj, por nuk ka një afat. Nëse deri tani nuk janë djegur, nuk mund të digjen edhe për 6 muaj të tjerë, deri në përfundim të procesit të hetimit, aq më tepër që Partia Socialiste ka pranuar kondicionin e hapjes së këtyre kutive të votimit me opinionin e Venecias. Prandaj, ne duhet ta marrim apriori atë që thotë Venecia, hapen apo nuk hapen kutitë e votimit. Kërkesën e maxhorancës për djegien e fletëve të votimit unë e shoh në dy aspekte. E para, domosdoshmëria që kanë ata për të zhdukur një provë. E dyta, kapjen pas elementeve, të cilat në këndvështrimin e tyre i bëjnë të tingëllojnë si të pamundura; pra, për të bërë të pamundur procesin e transparencës.

Kreu i Ekzekutivit, Sali Berisha, ka deklaruar se opozita nuk do të hetojë kutitë, por mostrat e tyre. Pra, Partia Socialiste nuk do të mund të hetojë ato kuti që ajo pretendon. Cili është komenti juaj?

Nuk mund ta kushtëzojë Sali Berisha gamën e hetimit me kërkesën e opozitës. Duhet që hetimi të jetë i plotë dhe i pakushtëzuar. Duhet të hetohen të gjitha kutitë që kërkon opozita, madje dhe opinioni publik. Edhe media mund të sjellë një listë me numra kutish votimi që mund të hetohen nga komisioni. Sepse media mund të ketë më shumë informacion sesa kushdo nga ne. Unë nuk shoh një kushtëzim të hetimit që do të bëjë komisioni.

Gjatë këtyre dy javëve cili do të jetë hapi tjetër që do të bëjë Partia Socialiste? A do t’i drejtoheni Gjykatës Kushtetuese?

Ne nuk kemi pse t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese. Ne po presim përgjigjen pozitive të kryeministrit Sali Berisha në reflektim të asaj që është diskutuar në tryezën e Strasburgut dhe të ofertës që tashmë është politike, është e vërtetë, është në tryezën e kryeministrit; atë ofertë, së cilës Partia Socialiste i ka dhënë aprovim të plotë. Pra, hapjen e dokumentacionit, mosdjegien e fletëve të votimit duke u kushtëzuar me opinionin e Komisionit të Venecias.

Nëse gjatë këtyre dy javëve nuk do të arrihet kompromisi me maxhorancën, cili do të jetë hapi tjetër i opozitës?

Ne jemi të përgatitur për të gjithë skenarët, por çdo gjë ka kohën e vet.

31 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›