Bumçi: “Rama mashtron, nuk ka asnjë ultimatum nga Europa”
Deputeti i Partisë Demokratike, Aldo Bumçi, deklaroi dje se ndaj kësaj maxhorance nuk ka ultimatume nga asnjë institucion apo vend i lirë në Europë dhe në botë. Në një deklaratë për shtyp, Bumçi tha se Edi Rama ka trilluar kur ka thënë se në darkën e Strasburgut është lëshuar ultimatum ndaj maxhorancës. Bumçi theksoi se institucionet demokratike nuk japin kurrë ultimatume ndaj një maxhorance demokratike dhe një vendi të lirë, pasi ultimatumet dhe dialogu përjashtojnë njëri-tjetrin. “Që pas darkës në Strasburg dhe deri dje, Edvin Kristaq Rama dhe kasnecët e tij deklarojnë dhe mashtrojnë çdo ditë se në darkën e Strasburgut është lëshuar ultimatum ndaj maxhorancës. Këtë trillim përsëriti dje z. Rama në konferencën e tij të shtypit kur deklaroi se ‘afati dyjavor ka pa dyshim një përmbatje ultimative, të cilën z. Berisha, njësoj si unë, nuk ka asnjë arsye as ta dyshojë dhe as ta mohojë’. Unë jam sot këtu për të denoncuar këtë mashtrim të paskrupullt të z. Rama, gënjeshtër që ka në themel psikologjinë dhe botëkuptimin e bllokmenëve të rinj. Duhet ta rikujtoj z. Rama se institucionet demokratike nuk japin kurrë ultimatume ndaj një maxhorance demokratike dhe një vendi të lirë”, - është shprehur Bumçi.
31 Maj 2010