Kryeministri Berisha rinis fushatën e përurimeve nëpër Shqipëri
Kryeministri Berisha ka rinisur një tjetër fushatë përurimesh nëpër Shqipëri. Fill pas marrjes së rekomandimit të KE-së për liberalizimin e vizave, kryeministri Berisha ndërmori një tur përurimesh duke u ndalur në qytetin e Beratit, ku përuroi përfundimin e rikonstruksionit të rrugës “Pal Golemi”, investim i buxhetit të shtetit me vlerë rreth 40 milionë lekë. Kryeministri Berisha u përshëndet përzemërsisht me banorët e Beratit dhe i uroi për rrugën e re duke i siguruar se qeveria do të bëjë çdo investim për të modernizuar infrastrukturën e tij dhe rritur standardet që ky qytet ta përfaqësojë me dinjitet Shqipërinë në botë. “Ky është një investim i qeverisë në infrastrukturën e qytetit të Beratit, qytet që u përjetësua me regjistrimin e tij në një nga 200 qendrat më të çmuara të trashëgimisë kulturore botërore. Kjo rrugë është një investim prej rreth 40 milionë lekësh, me ndriçim dhe trotuare, në një nga lagjet më të skajuara të qytetit. Jam sot këtu për t’u angazhuar se qeveria do të bëjë të gjitha investimet në këtë qytet, që të përfaqësojë me dinjitetin më të madh Shqipërinë”, - u shpreh kryeministri.
Kryeministri Berisha u bëri apel qytetarëve të Beratit për të ruajtur dhe konsoliduar tiparet dhe vlerat që ky qytet mbart dhe përfaqëson. “Jam këtu gjithashtu për t’iu bërë një thirrje më vëllazërore të gjithë qytetarëve të mrekullueshëm të këtij qyteti, që të bëjnë çdo përpjekje për mirëmbajtjen e tij, pasi vizitorë nga mbarë bota vijnë këtu dhe ne duhet të përfaqësohemi me standardet më të larta të mbrojtjes së mjedisit, të pastërtisë, të rregullit”, - është shprehur kreu i qeverisë.
31 Maj 2010