E Shtunë, 31 Tetor 2026

Stanishev: “Maxhoranca duhet të gjejë zgjidhje për krizën politike”



Në kushtet kur opozita ka treguar gatishmëri për t’i dhënë zgjidhje krizës politike, sekretari i Përgjithshëm i Komitetit të Europës Juglindore të Internacionales Socialiste, Sergei Stanishev, deklaroi se i takon maxhorancës tashmë të tregojë që ka pjekuri politike në zgjidhjen e këtij ngërçi. Ai vlerësoi hapin e Partisë Socialiste për ndërprerjen e grevës së urisë dhe hyrjen në Parlament. “I takon qeverisë dhe maxhorancës të provojë që ka pjekuri politike. Të dyja palët u japin llogari qytetarëve të Shqipërisë. Duhet të garantohet që incidentet në zgjedhje të mos ndodhin me në të ardhmen në mënyrë që shqiptarët të shkojnë të votojnë të qetë”, - deklaroi Stanishev. Më tej, ish-kryeministri bullgar, pasi përshëndeti liberalizimin e vizave, vendim të cilin e konsideroi mjaft të rëndësishëm për Shqipërinë, tha se rruga për anëtarësim në BE është rrugë e vështirë, që nuk mund të përballohet kur vendi ndodhet, sipas tij, në krizë institucionale dhe politike. “Institucionet të përmbushin kriteret e BE-së. Asnjë vend nuk mund të realizojë ëndrrën e anëtarësimit në BE pa pasur konsensus politik. Si mund të kryhet kjo punë në Shqipëri kur kemi një krizë institucionale dhe politike? Qeveria dhe maxhoranca kanë nevojën e opozitës për të treguar që janë të gatshme të bëjnë kompromis, përndryshe duhet të mbajnë përgjegjësinë politike të mosanëtarësimit në BE”, - u shpreh ish-kryeministri bullgar.

Internacionalja Socialiste mbështet opozitën shqiptare për transparencën e zgjedhjeve

Rezoluta e Komitetit i bën thirrje politikës shqiptare të gjejë zgjidhjen për krizën

Rama, Internacionales: “Kriza politike nuk duhet të ndikojë në procesin e liberalizimit të vizave”

Eneida Jaçaj

Komiteti i Europës Juglindore i Internacionales Socialiste u mblodh dje në Tiranë në kushtet kur vendi ynë ndodhet në një klimë të acaruar politike. Të pranishëm në këtë tryezë ishin kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, presidenti i Komitetit së bashku me ish-kryeministrin bullgar Sergei Stanishev, sekretari i Përgjithshëm i Internacionales, Luis Ajala dhe ish-kryeministri rumun, Adrian Nastase, anëtar i Komitetit. Komiteti përfundoi punimet me një rezolutë të miratuar njëzëri nga përfaqësuesit e saj. Rezoluta u lexua prej sekretarit të Përgjithshëm, Luis Ajala, e cila mbështet qëndrimin e Partisë Socialiste për transparencë të plotë të procesit zgjedhor. Rezoluta thekson se Internacionalja Socialiste i kushton vëmendje të veçantë krizës politike në Shqipëri. Në të u bëhet thirrje autoriteteve shqiptare që të lejojnë një transparencë të plotë të zgjedhjeve.
Komiteti vlerëson gjithashtu se kriza politike dëmton rëndë përpjekjet e Shqipërisë për integrimin europian. Komiteti njeh, sipas tij, hapat e përgjegjshëm të ndërmarrë nga Partia Socialiste si daljen nga greva dhe hyrjen në Parlament. Internacionalja Socialiste njeh edhe vlerëson angazhimin e komunitetit ndërkombëtar për të zgjidhur krizën politike në Shqipëri, ndërkohë që kërkohet bashkëpunim mes vendeve të rajonit për të arritur synimin e përbashkët, BE-në. Në fund të saj rezoluta shpreh mbështetjen e plotë ndaj Partisë Socialistë dhe aleatëve të saj duke vlerësuar se reformat në Shqipëri janë thelbësore, ku përfshihet edhe transparenca e plotë e zgjedhjeve.
Rama
Lideri i opozitës falënderoi aleatët ndërkombëtarë socialistë për mbështetjen që po japin në këtë periudhë kur Shqipëria po përballet me një krizë aspak të thjeshtë politike që i ka rrënjët te zgjedhjet e vitit të kaluar dhe është vetëm maja e ajsbergut që fsheh krizën ekonomike dhe politike. Ai shtoi se Partia Socialiste bëri të pamundurën që një gjë e tillë të mos ndodhte dhe se prova më e mirë e vjedhjes së votës është pikërisht kjo zgjatje krize. Rama theksoi se opozita transparencën e zgjedhjeve e konsideron gurin e themelit për të hapur një epokë të re transparence e konkurrence në tërësinë e jetës së vendit.
“Nuk është e para herë që zgjedhjet në Shqipëri deformohen e kontestohen, kjo është një histori e vjetër. Por është hera e parë që një gjë e tillë ndodh në një vend anëtar të NATO-s. Ne provojmë një keqardhje të thellë për këtë fakt, edhe sepse bëmë gjithçka ishte në dorën tonë që kjo të mos ndodhte”, - u shpreh Rama. Sipas Ramës, bojkoti i opozitës nuk solli krizën, kriza solli bojkotin, si një pasqyrë për të vënë në dukje se, Shqipëria nuk ka një demokraci me probleme që duhen zgjidhur, por një sërë problemesh të pazgjidhura me demokracinë.
Vizat
Ndër të tjera, Rama nënvizoi se kriza politike nuk duhet të ndikojë në procesin e liberalizimit të vizave, si një çështje që duhet të jetë e të tashmes e jo të ardhmes. Kryesocialisti theksoi se Partia Socialiste ka qenë vijimësisht këmbëngulëse për ta ndarë fatin e lëvizjes së lirë të shqiptarëve nga tërësia e problematikës së integrimit dhe problemet aspak të lehta të funksionimit të demokracisë në Shqipëri. “Ashtu si edhe për Bosnjën, ne e kemi konsideruar të padrejtë e të paarsyeshme lënien e Shqipërisë jashtë procedurës së liberalizmit të vizave që u realizua vjet për Serbinë, Malin e Zi e Maqedoninë, pavarësisht mangësive objektive që vendi ynë kishte në drejtim të përmbushjes së kritereve teknike”, - u shpreh Rama. Ndërkaq, lideri i opozitës, në fjalën e tij u shpreh se vendi ynë mbështet vizionin e presidentit të Internacionales e kryeministrit të Greqisë, George Papandreu, për integrimin e plotë të këtij rajoni në Bashkimin Europian brenda vitit 2014. “Ky është një vizion që lind nga një kuptim i thellë i këtyre territoreve të trazuara gjatë deri vonë nga luftëra, konflikte e mosmarrëveshje që lidhen, përpos të tjerash, me të jetuarit brenda e jashtë Europës, me të qenit europian jashtë mureve të shtëpisë së përbashkët europiane, me të gjendurit pa të tashme mes një të shkuare që nuk ikën e një të ardhmeje që nuk vjen”, - tha Rama.

31 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›