Parlamenti Europian diskuton të hënën 114 amendamente për situatën në Shqipëri
Eljona Ballhysa
Komiteti i Punëve të Jashtme i Parlamentit Europian do të diskutojë ditën e hënë, më 31 maj, mbi një draft-rezolutë për ecurinë e procesit integrues të Shqipërisë. Draft-rezoluta, që do të referohet nga reporteri Nikolas Kauntis, përmban gjithsej 114 amendamente të hartuara nga disa anëtarë të Parlamentit Europian. Në këtë draft-rezolutë prej 63 faqesh i bëhet thirrje Shqipërisë që të vendosë dialogun në Parlament dhe t’i japë fund krizës politike. Po kështu bëhet thirrje për vazhdimin e reformës në sistemin e drejtësisë, duke krijuar një sistem gjyqësor të pavarur nga politika dhe veçanërisht nga ndikimi i qeverisë. Në këtë draft-rezolutë bëhet thirrje për marrjen e masave në fushën e ekonomisë, ku theksohet se Shqipëria është e karakterizuar nga një rritje e ulët ekonomike dhe ekonomi informale, që sjell pasiguri në treg. Madje, në amendamentin e 114-të të draft-rezolutës, europarlamentari gjerman, Barry Madlener, propozon që “t’i bëhet thirrje Komisionit dhe Këshillit të mos fillojnë negociatat për pranimin e Shqipërisë”.
Kriza
Një pjesë e mirë e paragrafëve të kësaj draft-rezolute i referohet situatës politike në Shqipëri. “Duke iu referuar progresit dhe reformave që ka ndërmarrë Shqipëria, theksohet nevoja për marrjen e masave të tjera thelbësore për të përforcuar demokracinë dhe zbatimin e ligjit. Vlerësojmë me kënaqësi përgjigjet që vendi i dha Pyetësorit më 14 prill 2010 dhe që i hap rrugën përgatitjes së opinionit nga BE-ja për kërkesën e Shqipërisë për të marrë statusin e vendit kandidat. Në të njëjtën kohë theksohet se progresi i një vendi kandidat në BE varet nga aftësia e tij për të përmbushur kriteret që rrjedhin nga Marrëveshja e Kopenhagenit, që përfshin stabilitetin e institucioneve që garantojnë demokracinë”, - shkruhet në një nga amendamentet e paraqitura nga Nikolas Kauntis. Më tej ai ka shprehur keqardhjen për krizën politike në Shqipëri dhe u bën thirrje palëve të rivendosin dialogun politik.
“Shprehim keqardhjen për krizën politike dhe institucionale që ka pasuar zgjedhjet parlamentare të qershorit 2009 dhe konsiderojmë që dialogu parlamentar është i nevojshëm për funksionimin e shtetit ligjor dhe i domosdoshëm për të avancuar reformat kyçe”, - ka propozuar Kauntis.
Edhe dy parlamentarët e tjerë, Adrian Severin dhe Viktor Bostinaru, i bëjnë thirrje politikës që të gjejë zgjidhje për krizën. “Mirëpresim faktin se deputetet e opozitës bënë betimin në Parlament dhe bëjmë thirrje që të gjitha partitë politike të angazhohen me kohë të plotë në aktivitetin e Parlamentit. I bëjmë thirrje si qeverisë, ashtu dhe opozitës që të gjejnë një kompromis në mënyrë që të garantojë plotësisht në zgjedhjet e ardhshme vullnetin e lirë të shqiptarëve dhe të sigurojnë një aktivitet të plotë dhe të pandërprerë të Parlamentit”, - propozojnë në amendamentin e tyre dy parlamentarët, Bostinaru dhe Severin. Edhe Eduard Kukan, Doris Pak dhe Libor Ruçek propozojnë amendamente nëpërmjet të cilave shprehin shqetësimin për aktivitetin e Parlamentit shqiptar.
“Mungesa e opozitës në Kuvend ka sjellë vonesa në miratimin e ligjeve që kërkojmë shumicë të cilësuar. Kujtojmë se pjesa më e madhe e legjislacionit penal kërkuan shumicë votash, siç është ligji për Gjykatën Administrative, ndaj dhe i bëjmë thirrje opozitës që të reflektojë për aksionin e saj politik”, - ka propozuar europarlamentarja Doris Pak.
Ndërsa Hannes Svoboda propozon që nëse zgjidhja nuk vjen nga dy kampet e politikës shqiptare, atëherë do të vijë nga negociatat nën ndikimin e anëtarëve të Këshillit të Europës dhe të Parlamentit Europian. “U bëhet thirrje të dyja kampeve të politikës që të gjejnë një zgjidhje për konfliktin që kanë për procedurat zgjedhore, duke pranuar propozime për zgjidhjen nga të gjitha partitë. Nëse zgjidhja nuk gjendet nga palët, atëherë qeveria dhe opozita do të ulen në negociata me pjesëmarrjen e anëtareve të Këshillit të Europës dhe Parlamentit Europian”, - është shprehur Svoboda.
Ndërsa Eduard Kukan bën thirrje për përmirësime të mëtejshme ligjore përsa i përket procesit të ardhshëm zgjedhor. “Mirëpresim përmirësimet që i janë bërë legjislacionit të procesit zgjedhor duke iu referuar dhe raportit të OSBE/ODIHR-it, zgjedhjet parlamentare të 2009-s përmbushën shumicën e standardeve ndërkombëtare, ndërkohë që tërheqim vëmendjen në disa parregullsi, siç është mungesa e transparencës së procesit, presioni që është ushtruar dhe që ka sjellë intimidimin e votuesve, regjistrimin e votuesve, çështje këto që duhen adresuar sërish dhe për këtë u bëjmë thirrje partive politike që të ndërmarrin një dialog konstruktiv në mënyrë që të eliminohen këto probleme në zgjedhjet e ardhshme lokale të vitit 2011”, - ka propozuar Kukan.
Reforma në Drejtësi
Raportuesi Nikolas Kauntis ka propozuar amendamente në draft-rezolutë përsa i përket reformës në Drejtësi, duke vënë theksin në domosdoshmërinë e një sistemi të pavarur gjyqësor. “Duke e konsideruar reformën në sistemin e drejtësisë si një ndër reformat kyçe për vazhdimin e procesit të integrimit të Shqipërisë në BE, nënvizojmë rëndësinë për një proces transparent, apolitik, eficient e të pavarur nga kontrolli qeveritar. Vlerësojmë progresin e bërë në këtë fushë, por nënvizojmë se reformat janë në fazën fillestare të implementimit. Në bëjmë thirrje për adoptimin e strategjive afatgjata në këtë fushë, duke përfshirë një udhërrëfyes përsa i përket legjislacionit. Po kështu theksojmë nevojën për adresimin e më shumë fondeve për sistemin e drejtësisë në mënyrë që të punojë me efikasitet në të gjithë vendin”, - ka propozuar Kauntis.
Ligji i lustracionit
Nikolas Kauntis në draft-rezolutë mirëpret rrëzimin e ligjit të lustracionit nga Gjykata Kushtetuese, ndërsa bën thirrje për hartimin e një ligji të ri konsensual. “Mirëpresin faktin që ligji i lustracionit është rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese. Duhet të përgatitet një tjetër draft mbi bazën e konsensusit dhe konsultimit me Komisionin e Venecias”, - ka propozuar Kauntis.
Krimi dhe korrupsioni
Përsa i përket krimit dhe korrupsionit, vlerësohen masat e ndërmarra nga qeveria, por kërkohet më shumë punë në këtë drejtim. “Janë të mirëpritura masat e marra në luftën kundër korrupsionit si nga ana ligjore, ashtu dhe nga ana praktike. Por, vëmë re se korrupsioni vazhdon të mbetet një problem në këtë vend dhe nevojiten të tjera hapa për ta luftuar. Theksojmë rëndësinë që ka zbatimi i rekomandimeve të GRECO-s. Po kështu është e nevojshme të bëhet transparenca e plotë e financimit të partive politike. Bëjmë thirrje për marrjen e masave aktive në luftën kundër krimit të organizuar, në luftë kundër pastrimit të parave, trafikimit të drogave dhe qenieve njerëzore”, - ka propozuar Kauntis.
Situata ekonomike
Me nota negative përshkruhet situata ekonomike në Shqipëri, ndërsa sugjerohet marrja e masave në këtë sektor të rëndësishëm. “Vlerësojmë se situata ekonomike në Shqipëri është e karakterizuar nga një rritje e ulët e ekonomike, nga një ekonomi informale që çon në taksa të ulëta dhe në një treg të parregulluar, që sjell pasiguri përsa i përket vendeve të punës dhe shkelje të të drejtave të punëtorëve. Theksojmë se duhen marrë masa të tjera në përmirësimin e klimës së biznesit, pasi Shqipëria konsiderohet ende si një nga vendet më të vështira në Ballkan. Bëjmë thirrje në zgjidhjen e problemeve që lidhen me pronësinë, administrimin e dobët publik dhe nivelin e lartë të korrupsionit”, - ka propozuar Kauntis.
31 Maj 2010