E Diel, 1 Nëntor 2026

Ahmetaj: “Koalicioni PD-LSI ka ulur në më shumë se njëqind mijë vendet e punës”



Eneida Jaçaj

Deputeti i Partisë Socialiste, Arben Ahmetaj, ka akuzuar koalicionin qeveritar se është shkaktar për humbjen e më shumë se njëqind mijë vendeve të punës. Sipas tij, qeveria nuk ka mbajtur premtimin për rritjen e vendeve të punës, por abuzon me shifrat duke mashtruar elektoratin. Ahmetaj premtoi se plagët e hapura të kësaj qeverie do të shërohen me ardhjen në pushtet të Partisë Socialiste.
Deklarata
“Pushteti PD-LSI, pavarësisht se kishte premtuar krijimin e vendeve të reja të punës, sot është shkaktare për humbjen e më shumë se njëqind mijë vendeve pune në pak muaj”, - tha Ahmetaj, duke shprehur shqetësimin për dy sektorë të rëndësishëm si ai i fasonëve dhe i bujqësisë. “Berisha mburret me rritjen e eksporteve. Sektori i fasonëve sot ka dhënë sinjalin e alarmit dhe kërkon ndihmën e qeverisë. 11 mijë veta janë pushuar nga puna në ndërmarrjet me fason për shkak të krizës ekonomike”, - deklaroi deputeti socialist, duke shtuar se “në bujqësi, në muajt e fundit të 2009-s janë humbur 73 mijë vende pune. Ndërkohë që Berisha mburret me investime fantazmë në bujqësi, nga vetë shifrat del se qeveria investon në bujqësi vetëm 1 euro e gjysmë në muaj për çdo të punësuar në këtë sektor”.
Mashtrimi
Partia Socialiste akuzon INSTAT-in si vegël të qeverisë, i cili nuk tregon realitetin e shifrave që dëshmojnë rritjen apo uljen e punësimit. INSTAT-i dhe pushteti deklarojnë rritje duke krahasuar dy vite krize me njëri–tjetrin. Kjo për të mbuluar me një gënjeshtër të pacipë krizën e gjithanshme”, - u shpreh Ahmetaj, duke bërë përgjegjëse për varfërinë e vendit korrupsionin e qeverisë “Berisha – Meta”. “Shqiptarët nuk mund t’i hanë shifrat e mashtrimit; ata të gjithë e dinë se me papunësinë, me mungesën e zhvillimit, me humbjen e standardeve të jetesës, me varfërimin e tyre, janë duke paguar faturën e korrupsionit të pushtetit PD-LSI”, - tha Ahmetaj.

Premtimi
Kryeministri Sali Berisha, gjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit, premtoi se do të hapte 160 mijë vende të reja pune. Ndër pikat e programit qeveritar, Berisha cilësoi si përparësi edhe luftën kundër varfërisë. “Sot kemi mijëra familje të varfra, kemi 12% të popullsisë në varfëri. Qeveria ime do të veprojë me efikasitet për të nxjerrë nga mjerimi çdo shqiptar dhe çdo familje shqiptare. Shteti social do të veprojë duke ruajtur standardet e ekonomisë së tregut ne do të luftojmë varfërinë", - tha Berisha. Ndërkaq, vihet re se vendi është zhytur në një krizë të tejskajshme, ku Partia Socialiste për këtë fakt bën përgjegjëse qeverinë ‘Berisha’. Sipas socialistëve, qeveria e ka zhytur vendin në borxhe, ka ulur të ardhurat e buxhetit, duke rënë ndesh me premtimin e mbajtur për luftën kundër varfërisë.

3 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›