E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta distancohet: “Nuk jemi palë as më PD-në, as me Presidentin”



Eljona Ballhysa
Lëvizja Socialiste për Integrim është distancuar nga debati i fundit mes Partisë Demokratike dhe Presidentit të Republikës për mosdekretimin e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese. Kreu i kësaj partie, Ilir Meta, është shprehur dje gjatë një konference për shtyp se LSI-ja nuk bëhet palë në këtë debat as me PD-në dhe as me Presidentin. Më tej Meta bëri thirrje për bashkëpunim institucional, dhe jo për protagonizëm personal të krerëve të shtetit, duke nënkuptuar se i gjithë debati mes PD-së dhe Presidentit është thjesht personal. Gjatë konferencës për shtyp, Meta foli edhe për qëndrimin e opozitës, për reformën zgjedhore dhe për bashkëpunimin me NATO-n. Ai gjithashtu mbështeti propozimin e fundit për hartimin e një ligji organik për institucionin e Presidentit të Republikës, duke theksuar nevojën e respektimit të kompetencave kushtetuese.
Qëndrimi
“LSI-ja nuk synon të bëhet palë me askënd dhe e askujt, pasi Lëvizja Socialiste për Integrim ka qëndrime të qarta dhe parimore në respekt të institucioneve, të ndarjes së pushteteve, dhe vë theksin te domosdoshmëria e bashkëpunimit midis të gjitha institucioneve, ku qëllimi duhet të jetë jo protagonizmi i individëve që përfaqësojnë institucionet, cilatdo qofshin ato, aq më tepër raportet personale midis tyre, por bashkëpunimi në dobi të institucioneve dhe të shteti të së drejtës që u takon të gjithë qytetarëve”, - është shprehur kreu i LSI-së, Meta. I pyetur për hartimin e një ligji organik për Presidentin, Meta tha se “sipas Kushtetutës, çdo institucion kushtetues duhet të ketë ligjin përkatës organik, dhe në këtë drejtim unë nuk besoj se mund të hartohet një ligj organik për të cenuar kompetencat kushtetuese të një institucioni tjetër, pra nga ana e Kuvendit. Çdo ligj organik duhet bërë me frymë bashkëpunimi; dhe, së dyti, ky ligj organik duhet të synojë respektimin e Kushtetutës dhe kompetencat kushtetuese të çdo institucioni”, - është shprehur numri dy i qeverisë.
Propozimi për hartimin e një ligji organik së fundi është hedhur nga deputetët e PD-së, të cilët synojnë të përcaktojnë afate të qarta kohore për Presidentin për dekretimin e anëtarëve të institucioneve të pavarura kushtetuese. Por propozimi për hartimin e këtij ligji është bërë dy vjet më parë nga deputeti i PS-së, Fatmir Xhafaj. Ai propozoi që funksionimi i institucionit të Presidentit të rregullohet me ligj të posaçëm. Sipas tij, ky ligj duhej të ishte pjesë e reformës në Drejtësi.
Reforma zgjedhore
Gjatë fjalës së tij Meta ka folur dhe për reformën zgjedhore, ndërsa ka akuzuar opozitën se me qëndrimin e saj po bllokon ligjet e rëndësishme për vendin. “Nuk është diçka e re, por u them se përgjegjësia kryesore e kësaj situate i takon lidershipit të opozitës, i cili ka pasur prej kohësh të gjitha instrumentet kushtetuese dhe ligjore për të çuar pretendimet e tij dhe për çështjen e transparencës së zgjedhjeve. Për më tepër që, sikurse e vutë re dhe në tryezën e organizuar nga Shoqëria Civile për reformën zgjedhore, binte dukshëm në sy mungesa e atyre që kërkojnë transparencën e zgjedhjeve, të cilët duhet të jenë më të interesuar se kushdo parimisht për një reformë zgjedhore, për përmirësimin e ligjit për të garantuar transparencën në zgjedhjet e ardhshme. Lidhur me maxhorancën dhe qeverinë, sikurse e dini, ajo i ka të gjitha votat për të garantuar qeverisjen e vendit. Kushtëzimi për kode të caktuara, apo për ligje të caktuara, siç është Gjykata Administrative, tregon një mungesë përgjegjësie, që janë në interes të qytetarëve dhe nuk është se cenojnë thjesht qeverinë. Një opozitë që punon për integrimin europian të vendit nuk mund të bëhet pengesë për miratimin e ligjeve që janë një kërkesë e BE-së dhe që janë në përputhje me legjislacionin e Bashkimit Europian”, - është shprehur kreu i LSI-së, i cili shtoi se LSI-ja ka kërkuar dhe po punon për një reformë gjithëpërfshirëse, transparente dhe për këtë ka qenë e hapur në të gjitha opsionet.

Meta: “Marrëdhëniet e Shqipërisë me NATO-n janë të pacenueshme”

Ministri i Jashtëm, Meta, i ka cilësuar të pavërteta deklaratat se shërbimi sekret shqiptar bashkëpunon me Rusinë. I pyetur në lidhje me deklaratën e ambasadorit shqiptar në Rusi, sipas të cilit të gjithë diplomatët shqiptarë janë trajnuar në Moskë, si dhe ka një bashkëpunim mes Rusisë dhe Shqipërisë edhe përsa i përket shërbimit sekret, Meta tha se fushata mediatike është e pavërtetë. “Mendoj se fushata, e cila, për fat të keq ushqehet nga një lloj fobie ndaj një vendi të caktuar, e cila është shoqëruar dhe me disa të pavërteta që i adresohen përfaqësuesit tonë atje, nuk i jep ndihmë askujt. Shqipëria ka ato marrëdhënie me Rusinë që i kanë të gjitha vendet e tjera anëtare të NATO-s, në Institutin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare ku ka folur ambasadori i Shqipërisë, kanë folur dhe titullarë të lartë të NATO-s, dhe po kështu dua të siguroj se marrëdhëniet e Shqipërisë me NATO-n janë marrëdhënie të pacenueshme nga asnjë raport tjetër me vende të tjera. Për të pavërtetat unë nuk kam ndërmend të komentoj, shtypi është i lirë”, - është shprehur zëvendëskryeministri. Përsa i përket mbledhjes së Këshilli të Sigurimit të OSBE-së, Meta tha se qëndrimi i Shqipërisë për Kosovën do të jetë i mirërakorduar me vendet e BE-së dhe SHBA-të. “Shqipëria ka qenë dhe është në një aktivitet intensiv diplomatik në këtë çështje dhe është në bashkëpunim të ngushtë me SHBA-të, Anglinë, Gjermaninë, Francën, Italinë dhe vende të tjera, dhe natyrisht që qëndrimi ynë do të jetë i mirëkoordinuar me të gjitha këto vende, pasi kuptohet që çështja e Kosovës nuk është një çështje e ngushtë. Është një çështje shumë e gjerë ndërkombëtare dhe mbas vendimit të nga GJND-së, qëndrimet e të gjithëve janë të qarta. Procesi i shpalljes së pavarësisë nga Kosova është i pacenueshëm dhe i padiskutueshëm. Në këtë drejtim ne do të dëshironim që dhe Serbia të shkonte drejt së ardhmes dhe të mënjanonte iniciativa të njëanshme dhe të padobishme, që thjesht do të shtonin retorikën, por nuk do të ndihmonin askënd”, - është shprehur ministri i Punëve të Jashtme.

Afrim Krasniqi: “PD-ja synon përjashtimin e Topit nga partia pas përfundimit të mandatit”

Këshilltari politik i ish-presidentit Alfred Moisiu, Afrim Krasniqi, e cilëson sulmin e deputetëve të maxhorancës ndaj kreut të shtetit, një sulm politik dhe personal ndaj figurës së Bamir Topit. Sipas Krasniqit, synimi i deputetëve demokratë është që ta përjashtojnë përfundimisht Topin nga Partia demokratike dhe të mos lejojnë që ai të kthehet në këtë parti pas përfundimit të mandatit të Presidentit të Republikës.
Sipas Krasniqit, presidenti Topi humbi terren dhe nuk diti të shfrytëzonte hapësirat e tij për t’u mbyllur rrugët kundërshtarëve të tij në PD. Ai duhej të ishte konsultuar me partitë politike për dekretimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë, në mënyrë që të merrte paraprakisht konsensusin e palëve dhe që debati të mos shkonte kaq larg. Megjithatë, sulmi i PD-së nuk është vetëm kundër presidentit, por, sipas Krasniqit, është një sulm edhe mbi institucionin e Gjykatës Kushtetuese. Maxhoranca në këto vite ka treguar se marrëdhëniet e saj me institucionin e Presidentit të Republikës si dhe me Gjykatën Kushtetuese nuk kanë qenë të mira. Shpeshherë këto marrëdhënie kanë qenë në formën e presionit politik që PD-ja ka ushtruar mbi këto dy institucione. Ndërkaq, përsa i përket propozimit të fundit të PD-së për hartimin e një ligji organik për institucionin e Presidentit të Republikës, parimisht Krasniqi pohon nevojën e një ligji organik për kreun e shtetit, siç kërkon dhe Kushtetuta, por ai sjell në vëmendje të maxhorancës se së pari Parlamenti ka nevojë për një ligj të tillë, dhe jo për një rregullore që ndryshohet me një shumicë të thjeshtë sa herë që është e interesuar partia në pushtet.

Boshard: “Brukseli jep sinjale pozitive për heqjen e vizave”

Ambasadori gjerman në Tiranë, Bernd Boshard, ka theksuar dje se Shqipëria ka marrë sinjale pozitive nga Brukseli për heqjen e regjimit të vizave dhe se qeveria gjermane do ta shqyrtojë me kujdes kërkesën. “Javët e kaluara kemi marrë sinjale pozitive nga Brukseli, të cilat tregojnë se Shqipëria po i përmbush standardet e përcaktuara. Qeveria gjermane, ashtu si dhe qeveritë e tjera europiane, do t’i marrë në konsideratë këto sinjale gjatë analizës së raportit që vlerëson hapat e Shqipërisë në kuadër të këtij procesi”, - është shprehur ambasadori gjerman. I pranishëm në një ceremoni ku u dhuruan pajisje për policinë shqiptare, Boshard tha se krimi i organizuar është një fenomen global, ndaj, sipas tij, duhet të ketë bashkëpunim midis vendeve. “Ky projekt, së bashku edhe me projekte të tjera të financuara nga qeveria gjermane, si projekti rajonal në fushën e zbatimit të ligjeve, në mbështetje të RENEA-s dhe në ndihmë të sistemit gjyqësor në Shqipëri etj., kanë pasur si qëllim që të mbështesin Shqipërinë në arritjen e standardeve të përcaktuara në kuadër të procesit të liberalizimit të vizave”, - është shprehur ambasadori Boshard.
Zëvendësministri i Brendshëm, Avenir Peka, i pranishëm në të njëjtën ceremoni me ambasadorin Boshard, theksoi se lufta kundër krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme dhe pastrimit të parave vazhdon të mbetet një nga prioritetet e qeverisë shqiptare, Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit.

3 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›