Presidenti serb Tadiç do të vizitojë së shpejti Shqipërinë
Eljona Ballhysa
Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, pritet të vizitojë së shpejti Shqipërinë. Lajmi është bërë i ditur dje nga ambasadori i Shqipërisë në Beograd, Shpëtim Caushi. Në një intervistë dhënë një të përditshmeje serbe, Caushi është shprehur se ka marrë pohimin nga presidenti Tadiç se do të vizitojë së shpejti Tiranën zyrtare, pas një ftese të bërë nga kryeministri Berisha. Megjithatë, nuk bëhet e ditur data në të cilën do të zhvillohet kjo vizitë, por duket se marrëdhëniet midis dy vendeve po shkojnë drejt përmirësimit të vazhdueshëm. Aq më tepër që kjo vizitë zhvillohet vetëm pak kohë pas vendimit të marrë nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës për njohjen e pavarësisë së shtetit të ri të Kosovës.
Shkrirja e akujve mes Shqipërisë dhe Serbisë nisi disa muaj më parë, pikërisht në muajin mars, kur zëvendëskryeministri, njëkohësisht ministër i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, zhvilloi një vizitë zyrtare në Serbi. Gjatë kësaj vizite Meta zhvilloi një takim edhe me Presidentin e Serbisë, të cilit i bëri ftesë për të vizituar Shqipërinë.
Vizita
Në intervistën dhënë për një të përditshme serbe, ambasadori Caushi sqaron se presidenti Tadiç i është përgjigjur pozitivisht ftesës së kryeministrit Berisha për të vizituar Shqipërinë. “Marrëdhëniet mes Serbisë dhe Shqipërisë janë të shkëlqyera. Kjo frymë bashkëpunimi bilateral influencon pozitivisht në të gjithë rajonin. Në këtë kuadër, së shpejti do të ketë vizita të rëndësishme nga të dyja palët, përfshirë këtu edhe vizitën e presidentit Tadiç në Shqipëri”, - është shprehur ambasadori Caushi. Vizita do të konsiderohet historike për shkak se do të shënojë vizitën e parë zyrtare të një presidenti serb në Tiranë. Kjo vizitë e Presidentit të Serbisë merr një rëndësi të veçantë për faktin se zhvillohet pas marrjes së vendimit nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës për njohjen e pavarësisë së shtetit të ri të Kosovës. Duket se pavarësisht qëndrimeve të ndryshme që kanë dy shtetet, Shqipëria dhe Serbia, për çështjen e Kosovës, nuk përbëjnë problem për vendosjen e marrëdhënieve të miqësisë dhe bashkëpunimit reciprok midis dy vendeve.
Lobimi
Duket se shkak për vizitën e kreut të Shtetit të Serbisë është bërë vizita që zëvendëskryeministri i Shqipërisë, Ilir Meta, zhvilloi në Serbi pak muaj më parë. Gjatë kësaj vizite, Meta mësohet të ketë lobuar për vendosjen e marrëdhënieve të mira midis dy vendeve dhe shkëmbimit të vizitave të nivelit të lartë. Por ajo që bie në sy është se ftesa për të vizituar Tiranën, Presidentit të Serbisë i është bërë nga kryeministri Berisha, dhe jo nga homologu i tij, Bamir Topi. Gjithsesi, e rëndësishme është që të dyja vendet kanë vendosur të shkëmbejnë vizita të nivelit të lartë, gjë që ka munguar prej shumë kohësh.
Gjatë muajit mars të këtij viti, ministri Meta zhvilloi një takim me kreun e shtetit serb, Boris Tadiç. Në takim Tadiç ka theksuar rëndësinë e marrëveshjes për bashkëpunim në luftën kundër krimit të organizuar, tregtisë ilegale me drogë dhe terrorizmit ndërkombëtar. Theksi në këtë takim është vënë te përmirësimi i marrëdhënieve mes dy vendeve, veçanërisht në fushën e ekonomisë.
Meta është takuar edhe me homologun e tij serb, Vuk Jeremiç, të cilët kanë rënë dakord se e ardhmja e rajonit është integrimi në Bashkimin Europian, por nuk kanë rënë dakord përsa i përket çështjes së Kosovës. Ata kanë deklaruar se të dyja vendet do të luajnë rol se do të vendosin komunikim mes kombeve dhe të gjithë rajonit. Të dy kanë theksuar se paqja dhe stabiliteti i rajonit varen nga marrëdhëniet serbo-shqiptare. Ndërkohë, Jeremiç theksoi se Serbia mbështet liberalizimin e vizave për Shqipërinë si dhe integrimin e rajonit në BE.
Ambasadori i SHBA-ve, takim lamtumire edhe me kryeministrin Berisha
Kryeministri Sali Berisha priti dje në një takim ambasadorin e SHBA-ve në Tiranë, John L. Withers II, me rastin e përfundimit të mandatit të tij si ambasador i SHBA-ve në Shqipëri. Pasi i uroi mirëseardhjen dhe i uroi ambasadorit gjithë të mirat në projektin e tij për të ardhmen, kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen për mbështetjen dhe ndihmën e jashtëzakonshme që SHBA-të i kanë dhënë Shqipërisë gjatë gjithë kësaj periudhe.
Berisha vlerësoi kontributin e jashtëzakonshëm të SHBA-ve, mikut, aleatit dhe partnerit strategjik të shqiptarëve, të qeverisë amerikane, por dhe Ambasadës së SHBA-ve në Tiranë, për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, duke e cilësuar atë si një moment historik, si ngjarjen më të madhe në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe të sigurisë së Shqipërisë pas shpalljes së pavarësisë. Ambasadori Withers, pasi e falënderoi kryeministrin Berisha për pritjen, theksoi se largohet nga Shqipëria i lumtur që Shqipëria ecën e sigurt drejt së ardhmes më të mirë. Ambasadori vlerësoi rolin dhe kontributin e Shqipërisë dhe politikave të saj konstruktive, të moderuara dhe miqësore, në shërbim të paqes dhe sigurisë në rajon. Në takim u ripohua vendosmëria e të dyja vendeve për të konsoliduar edhe më tej lidhjet dhe miqësinë e ngushtë midis dy vendeve dhe popujve, si dhe për zgjerimin dhe thellimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat. Vetëm një javë më parë, ambasadori i SHBA-ve, Withers, zhvilloi një takim lamtumire edhe me presidentin e vendit, Bamir Topi. Pritet që ambasadori i ri i SHBA-ve në Tiranë të jetë Aleksandër Arvizu, i cili është propozuar në këtë post nga presidenti Barak Obama. Por më parë ky propozim pritet të miratohet nga Senati amerikan.
Berisha takon ambasadorin gjerman, Boshard në përfundim të misionit në Shqipëri
Kryeministri Berisha priti dje në një takim ambasadorin e Republikës Federale të Gjermanisë në Tiranë, Bernd Boshard, me rastin e përfundimit të mandatit të tij si ambasador i Gjermanisë në Shqipëri. Gjatë takimit, kryeministri Berisha e falënderoi ambasadorin gjerman për ndihmën dhe mbështetjen e vazhdueshme që Gjermania i ka dhënë Shqipërisë gjatë gjithë këtyre viteve dhe vlerësoi kontributin që ambasadori Boshard dhe stafi i Ambasadës në Tiranë ka dhënë në forcimin e zgjerimit e lidhjeve të gjithanshme dhe marrëdhënieve të ngushta të miqësisë e bashkëpunimit midis dy vendeve e popujve. Ambasadori Boshard e falënderoi kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë dhe miqësore dhe vlerësoi bashkëpunimin e shkëlqyer me qeverinë shqiptare gjatë kësaj periudhe. Më tej, në takim u rikonfirmua fakti se gjatë kësaj periudhe marrëdhëniet midis dy vendeve kanë shënuar progres dhe arritje të reja në shumë fusha, si në fushën e arsimit, në bashkëpunimin në fushën ekonomike e financiare, në fushën e energjetikës dhe infrastrukturave të lidhura me të por edhe në kuadrin shumëpalësh në veçanti në kuadër të NATO-s dhe integrimit europian të Shqipërisë. Një ndër ngjarjet e rëndësishme që tregon për nivelin gjithnjë në rritje te interesit të investitorëve gjermanë në Shqipëri, edhe në saj të kushteve të favorshme të krijuara nga qeveria shqiptare për biznes e investime, është edhe çelja e Dhomës Gjermane të Tregtisë, e cila pritet t’i japë një shtysë të mëtejshme këtij interesi dhe shkëmbimeve ekonomike e tregtare midis të dy vendeve. Së fundi, në takim u ripohua vendosmëria e dy vendeve dhe qeverive për të konsoliduar edhe më tej miqësinë, si dhe për të zgjeruar e thelluar bashkëpunimin midis të dy vendeve, në të gjitha fushat, si në kuadrin dypalësh ashtu edhe në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar, në dobi të interesit dhe të mirës së ndërsjellët të të dy popujve miq.
3 Gusht 2010