Nishani: “Emërimet e gjyqtarëve do të bëhen në bazë të sistemit të vlerësimit”
Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani, ka kërkuar që emërimet dhe transferimet e gjyqtarëve të shtyhen derisa ky institucion të marrë masa për të hartuar sistemin e pikëzimit në bazë.
Ministri Nishani theksoi se arsyet që e çuan në këtë vendim erdhën pasi një mision i ekspertëve të BE-së për vlerësimin e ecurisë për Udhërrëfyesin për heqjen e regjimit të vizave, doli në përfundimin se është i shqetësuar për transparencën e KLD-së në emërimet në gjykatat e shkallës së parë dhe më tej. Në këtë sistem krijohet edhe lista e renditjes së gjyqtarëve, nga e cila duhet të varen edhe fatet e gjyqtarëve në rast emërimi dhe transferimi. Këtë kërkesë, ministri i Drejtësisë e ka adresuar dje në mbledhjen më të fundit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Sipas ministrit, ky hap vjen pas publikimit të raportit të ekipit të ekspertëve për vizat, i cili ishte i shqetësuar për transparencën në Gjyqësor. “I kërkova KLD-së që derisa sistemi i pikëzimit të jetë i disponueshëm dhe i gatshëm, KLD-ja nuk do të bëjë emërimet”. Nishani garantoi se Ministria e Drejtësisë është e gatshme ta mbështesë KLD-në në hartimin e sistemit të pikëzimit duke e konsideruar si shumë të rëndësishëm faktin se vendimet për emërimin e gjyqtarëve duhet të bëhen duke pasur parasysh sistemin e pikëzimit. Ministri Nishani ka cituar raportin ku thuhet se “mungesa e vendimit të motivuar dhe fakti që nuk ka asnjë mundësi për të ankimuar këtë vendim nxisin spekulimet dhe mosbesimin, edhe sikur vendimi i KLD-së të jetë i saktë”.
Sipas Nishanit, në raport përmendet moszbatimi i ligjit “Për organizimin e pushtetit gjyqësor”, i cili, sipas vlerësimeve, përmban një dispozitë për krijimin e "një liste të përhershme të renditjes së gjyqtarëve" (neni 14), e cila i rendit gjyqtarët sipas rezultateve të vlerësimit të tyre dhe bazohet në kriteret e vlerësimit të hartuara nga KLD-ja. Por, sipas Nishanit, ekspertët e BE-së vunë re se kjo listë deri më sot nuk ekziston. “Ligji për organizimin e pushtetit gjyqësor, që rregullon vlerësimin e gjyqtarëve (neni 13), nuk trajton pozicionin dhe rolin e gjyqtarëve në procesin vlerësues. I takon KLD-së që të rregullojë detajet”, - thuhet më tej në raport, duke i vënë përgjegjësi KLD-së për krijimin e kësaj situate.
Manjani: “Protestat, aksion i dështuar politik, PS-ja të bashkëpunojë me LSI-në”
Anëtari i Asamblesë në Partinë Socialiste, Ylli Manjani, kundërshtari politik i kryesocialistit Edi Rama, rinisjen e protestave në shtator e ka cilësuar aksion të dështuar politik. Ai u ndal edhe në koalicionin e mundshëm mes PS-së dhe LSI-së. Për Manjanin, nëse PS-ja do të vazhdojë të ndjekë strategjinë aktuale të përballjes politike, atë të përçarjes dhe mosfunksionimit të koalicionit të majtë me LSI-në, atëherë ajo rrezikon që të humbasë zgjedhjet lokale të 2011-s. “Duke qenë se PS-LSI janë të ndara, problemet në PS thellohen, pasi çarja e votës është disavantazh për PS-në. Këtë e mbulonte një aleancë me LSI-në, por kjo është e pamundur. Gjithashtu, futja e Ramës në zgjedhjet lokale për interesa private që janë të lidhura me ato personale do ta dëmtojnë dhe më tej PS-në”, - u shpreh Manjani. Sipas tij, situata politike do të jetë e tensionuar në funksion të zgjedhjeve lokale. Manjani aludon se Rama do t'i bëjë presion Berishës që të lëshojë Bashkinë e Tiranës në tavolinë, ku do të mbajë peng reformën zgjedhore, që të delegjitimojë zgjedhjet e ardhshme lokale në emër të kutive të votimit dhe transparencës.
3 Gusht 2010