E Diel, 1 Nëntor 2026

Ahmetaj: “Qeveria i ka bërë borxhlinj shqiptarët”

Autori i Lajmit: Redaksia

Borxhi i publik i vendit ka arritur në fund të vitit 2009 në vlerën 6.6 miliardë dollarë, e thënë ndryshe, çdo familje në datën një janar 2010 është gdhirë me një borxh prej 8,700 dollarë, ndërsa çdo shqiptar në datën 1 janar është gdhirë me një borxh prej mbi 2000 dollarë. Makutëria e këtij pushteti nuk mjaftohet me kaq, edhe 38 mijë fëmijët e lindur në vitin 2009 i ka ngarkuar më një borxh prej 2000 dollarësh secili. Rritja e borxhit është sa pesëfishi i rritjes së pensioneve e rrogave. Për ta thjeshtuar, nëse rritja e pagës për një shqiptar është 2000 mijë lekë, rritja e borxhit është prej 10.000 lekësh.
Sipas pritshmërive të qeverisë, borxhi do të vazhdojë të rritet edhe këtë vit, ku çdo shqiptari do ti shtohen 300 dollarë më shumë borxh, duke e çuar borxhin në fund të këtij viti për çdo familje prej katër vetësh në 10 mijë dollarë. Kjo tragjedi buxhetore vazhdon të përkeqësohet përditë, ndërsa qeveria po shpenzon gjithmonë më shumë nga sa arrin të mbledhë të ardhura nga taksat. Qeveria refuzon të kuptojë ndryshimin mes Shqipërisë reale dhe asaj virtuale. Në Shqipërinë reale çdo shqiptar është sot i rënduar nga rritja e çmimeve të ushqimeve, rritja e faturave të energjisë e ujit, nga rritja e papunësisë, nga frika dhe pasiguria e përditshme e humbjes së vendit të punës. Ndërsa e dimë mirë se 10 mijë dollarë borxh për familjen Berisha nuk janë asgjë, ato janë një barrë e papërballueshme për çdo familje tjetër, të cilave po u bëhet çdo ditë e pamundur mbijetesa.

Ky lajm është publikuar: 21/04/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›