E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama, akuza Berishës për përmbytjet në Shkodër

Autori i Lajmit: Redaksia
Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama akuzoi dje kryeministrin dhe qeverinë për përmbytjet në zonën e Shkodrës dhe të Lezhës.
Në një protestë të organizuar në Lezhë, në kuadër të turit të protestave në të gjithë vendin, kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama tha se “katër muaj më parë, Berisha deklaronte se këto përmbytje ndodhin një herë në 100 vjet”. “Sot përsëri Lezha dhe Shkodra janë përmbytur. Gjëra që ndodhin 1 herë në 100 vjet në qeverinë Berisha dhe pushtetin e tij që nuk e bën atë dot mbret, përmbytjet ndodhin 3 herë në 4 muaj, duke shkaktuar dëme që sjanë shkaktuar në 100 vjet”, tha Rama. Në lidhje me hetimin e zgjedhjeve, Rama tha se “pushteti i Sali Berishës nuk ka fundosur vetëm zgjedhjet por edhe ekonominë. Në 3 muajt e fundit, 71 mijë shqiptarë humben vendet e punës”.
Reagimi
Në një konfgerencë për shtyp, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, reagoi dje pas deklaratave të kryeministrit Sali Berisha për vizitën në Bruksel, duke akuzuar kreun e ekzekutivit se deklaroi gënjeshtrat e radhës. Sipas Ramës, përgjigjja më e mirë ndaj gënjeshtrave janë vetëm protestat. Në një konferencë për shtyp nga selia e PS, Rama u shpreh se Berisha nuk u tregoi shqiptarëve se çfarë i komunikuan zyrtarët e Brukselit për liberalizimin e vizave. “Zoti Berisha u tha se nuk e mori vesh në Bruksel se kur do të liberalizohen vizat për shqiptarët dhe këtë ai e quan një vizitë të suksesshme, ndërkohë që deri para pak javësh i siguronte njerëzit se këtë verë do të dilnin nga kufijtë pa viza”. Sipas Ramës, pushteti me në krye Berishën vazhdon të gënjejë për rritjen ekonomike, për investimet publike e private duke sjellë kështu një situatë ekonomike të rënduar në popull.
Kriza ekonomike
“Zoti Berisha jo vetëm u vodhi votën shqiptarëve, por po u grabit njerëzve vendet e punës, u tregon gënjeshtra njerëzve për rritjen planetare të ekonomisë, ndërkohë që ka rritje planetare të çmimeve”. "Ndërkohë që tanimë u provua zyrtarisht, mbështetur mbi dokumentet e Bankës së Shqipërisë, se rritja ekonomike e vitit 2009 ka qenë jo më shumë se 0%, se rritja e papunësisë është një tendencë e pandalshme shkatërruese për ekonominë e familjeve të pambrojtura dhe se investimet publike apo private janë në rënie të vazhdueshme, ska asnjë pikë dyshimi se ky vit është ekonomikisht edhe më i keq se i shkuari". Edhe një herë tjetër, Rama tha se vendi është në krizë të thellë ndërsa papunësia rritet dita-ditës. "80 mijë vende pune premtoi zoti Berisha kur kërkoi votën e shqiptarëve dhe, pasi u grabiti votën, ka nxjerrë në rrugën e papunësisë mbi 100 mijë njerëz në më pak se një vit". Kreu i PS-së iu përgjigj dhe pyetjeve në lidhje me takimin Nano-Berisha. Ai iu drejtua gazetarëve se “vetëm ju, për arsye të shitjes së lajmit dhe gazetës, mund të gjeni diçka të re në këtë, për mua nuk ka asnjë gjë të re”. Ndërsa fakti që kreu i PS-së proteston dhe Nano dhe Berisha hanë darkë në Vjenë, për Edi Ramën do të thotë se kjo “është shprehje e faktit që në Vjenë nuk ka krizë”.

Ky lajm është publikuar: 21/04/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›