E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hapja e digave, Basha: “Në Nënshkodër 1280 ha nën ujë”

Autori i Lajmit: Silvana Balliu
Rikthimi i gjendjes së emergjencës në zonën e Nënshkodrës për shkak të hapjes së portave të digave mbi Drin ka detyruar ministrin e Brendshëm, Lulëzim Basha të mbledhë Komitetin Ndërministror të Emergjencave Civile.
Ministri Basha ka cilësuar se, situata në kaskadën e Drinit dhe Matit paraqitet e rënduar. Ai ka deklaruar se në disa zona ka nisur evakuimi i banorëve. Në mbledhjen e Komitetit të Emergjencave Civile për situatën hidrike në vend, ministri deklaroi se kuota faktike në Fierzë është 296.62 m nga 296 metra që është kuota maksimale.
Shkarkimet nga HEC-et
Ministri Basha tha se në 24 orët e fundit shkarkimi është dyfishuar, ndërkohë që 1280 hektarë tokë janë përmbytur, Basha theksoi se nuk ka objekte banimi nën ujë, por disa zona janë izoluar nga uji. "Oboti është izoluar nga uji, ndaj po merren masa për evakuim. 10 shtëpi në fshatin Ashtë kërcënohen nga erozioni ndaj janë evakuuar banorët", tha Basha. Ministri i Brendshëm deklaroi se situata po ndiqet nga afër nga pushteti vendor. “Situata në krahasim me situatat e mëparshme nuk mund të konsiderohet e agravuar, por precipitimi i situatës ka qenë shumë i shpejtë dhe për këtë arsye kjo kërkon një monitorim të plotë, një gatishmëri të plotë të të gjithë institucioneve dhe një koordinim sa më të mirë të gjithë ministrive të linjës dhe pushtetit vendor,-deklaroi Ministri Basha. Ministri Basha kërkoi bashkëpunimin e të gjitha institucioneve përkatëse në terren dhe një ndjekje të vëmendshme për të parandaluar dëme të mëtejshme të infrastrukturës primare dhe sekondare dhe për të garantuar jetën dhe sigurinë e banorëve të zonës.
Plani i emergjencave
“Komisioni i Emergjencave Civile do të vërë në gatishmëri fazën e parë të planit të evakuimit për pjesët në rrezik afër njollës së përmbytjes, ndërkohë që së bashku do të monitorojmë situatën e prurjeve e të shkarkimeve dhe domethënien e kësaj për nivelet e ujit përgjatë argjinaturës së Bunës dhe për mundësinë e zgjerimit të njollës së përmbytjes për të përfshirë shtëpi banimi apo zona të banuara”,-u shpreh Basha.

Përmbytet Oboti

Rruga që lidh Obotin me pjesën tjetër të zonës kalohet vetëm me automjete të tonazhit të lartë për shkak të pranisë së ujit. Drejtori i KESH-it, Muharrem Stojku pranoi se ka përmbytje, por theksoi se deri më tani ato nuk kanë përfshirë banesat e popullatës përreth. Ndërsa theksoi gatishmërinë e punonjësve të KESH-it për të përballuar situatën dhe për të marrë të gjitha masat e nevojshme, Muharrem Stojku u shpreh optimist se të dhënat flasin për ulje të prurjeve.

Përmbytje në Krujë

Shirat e ditëve të fundit kanë shkaktuar një situatë të rënduar edhe në Krujë. Janë sipërfaqe të mëdha tokash të përmbytura që prej ditësh ndodhen nën ujë. Situata më e rënduar është në fshatrat Borizanë, Thumanë, Miliskajë dhe Dukagjin. Banorët thonë se gjithçka ka ndodhur pasi kanalet kulluese janë bllokuar dhe në to nuk ka ndërhyrë askush prej më shumë se 20 vjetësh.
Ky lajm është publikuar: 21/04/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›