Jala,Olldashi: Banka Botërore, asnjë konflikt me qeverinë
Ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, mohoi dje të ketë një konflikt mes qeverisë dhe Bankës Botërore për çështjen e projektit të Jalës. Sipas tij, konflikti ka lindur brenda vetë zyrave të BB-së dhe nuk ka të bëjë aspak me qeverinë. Olldashi deklaroi se Banka Botërore ka pranuar publikisht se konflikti qëndron tek zyrat e saj dhe s’ka lidhje me qeverisë. Olldashi iu referua një interviste të kryetarit të Panelit të Inspektimit të BB-së, Werner Kiene dhënë në BBC. Sipas ministrit, Kiene pranoi se banka nuk ka konflikt me qeverinë dhe se nuk do të hetojë asnjë zyrtar për korrupsion. “Këtu është konflikti që zyrat e Bankës kanë me njëra-tjetrën dhe jo me ne, me qeverinë shqiptare dhe jo me Njësinë e Implementimit të Projektit që është pjesë e qeverisë shqiptare”, - deklaroi Olldashi. Ai shtoi se kryetari i Panelit të Inspektimit pranoi gabimet në termat e referencës që u ka dërguar institucioneve shqiptare. Sipas tij, kjo do të thotë se asnjë institucion shqiptar apo individ nuk ka përgjegjësi kur Banka Botërore ka krijuar një problem brenda vetes së saj. “Nëse e lexoni me kujdes atë intervistë, ai ka bërë një interpretim shumë të qartë të problemit. Thuhet që zyra e koordinatorit për shkak të gabimit të vetë Bankës në përcaktimin e termave të referencës të projektit ka vënë në dispozicion të institucioneve shqiptare, gjë që ka qenë dhe detyrim i saj në bazë të Add Memoire-ve të Bankës, fotot e monitorimit të të gjithë bregdetit të Jugut, por kjo ka qenë në detyrim të zyrës së koordinatorit”, - tha Olldashi. Ministri u ndal më tej në prishjen e ndërtimeve në atë zonë, duke thënë se kemi të bëjmë me prishje të ndërtimeve të paligjshme për qëllime biznesi. Duke nënvizuar këtë detaj, Olldashi tha se gabimet janë të Bankës Botërore, sepse ka përgatitur projektin, dhe jo të institucioneve shqiptare. “Thotë që problemi është i politikës së Bankës, që problemi ka të bëjë me zhvendosjen e pavullnetshme të popullsisë, megjithëse aty nuk kemi të bëjmë me zhvendosje popullsie, por me prishje të ndërtimeve të paligjshme për qëllime biznesi dhe thotë që gabimet janë të Bankës që në momentin që ka konceptuar projektin dhe ka përgatitur termat e referencës dhe jo të Njësisë së Implementimit të Projektit dhe jo të qeverisë shqiptare. E thotë këtë në mënyrë shumë të qartë që është përgjegjësi e stafit teknik të Bankës që ka hartuar termat e referencës së projektit. Ishte një intervistë shumë korrekte”, - deklaroi Olldashi.
Kiene flet për hetimin dhe gabimet në Jalë
Majlinda Zeqiri bisedoi me kryetarin e Panelit të Inspektimit të BB-së, zotin Werner Kiene, dhe fillimisht i kërkoi shpjegim më të qartë për gabimet e Bankës.
Kiene: Këto ishin gabime në futjen e detajeve të projektit në një kornizë të qartë, me fjalë të tjera, që të gjithë ta kuptojnë se cilat ishin detyrimet e Bankës Botërore dhe çfarë mund të ishte dakorduar nga qeveria për të siguruar përparim të kënaqshëm ose inicim të projektit. Në këtë rast të veçantë kishte shqetësim se kur sapo të ishte bërë planifikimi i tokës që duhej kryer përgjatë bregdetit jugor, do të mund të kishte edhe disa shembje të bëra nga qeveria. Banka ka politika shumë të posaçme për të udhëzuar këto lloj të të ashtuquajturave zhvendosje të pavullnetshme ose me fjalë të tjera kur njerëzit duhet të largohen nga toka, ose ta japin atë ose pronën me qëllim të krijimit të hapësirës për nevojat e infrastrukturës publike ose për qëllime të tjera.
Fillimisht kishte një takim të Bordit në të cilin u prezantuan faktet rreth këtij projekti dhe Bordi u informua se ishte arritur marrëveshje e qartë se si të merreshin me këto gjëra. Kjo nuk korrespondonte me statusin aktual të një marrëveshjeje të tillë. Kishte marrëveshje gojore, por nuk kishte asgjë të shkruar. Dhe zyrtarët e Bankës nuk e njoftuan Bordin për paqartësinë e kësaj marrëveshjeje. Ajo nuk ishte e shkruar dhe asnjëherë nuk u bë në formë të shkruar. Ky problem nuk u menaxhua siç duhej dhe ai do të duhej të ishte rishikuar më vonë dhe ky rishikim do të kishte treguar se nuk kishte një marrëveshje të shkruar se si të zgjidhej problemi. Kjo pastaj duhej të kthehej tek Bordi por meqë kishte zvarritje të projektit, duket sikur e gjithë ideja në njëfarë mënyre u harrua dhe u hoqën nga sytë e atyre që normalisht do të duhej ta mbikëqyrnin atë.
BBC: E di se qeveria shqiptare i kërkoi Bankës Botërore ndihmë për këtë projekt të veçantë. A i mbetet faji vetëm Bankës Botërore apo edhe qeveria shqiptare do të duhej të kishte përcjellë me kujdes këtë projekt?
Kiene: Më lejoni që ta bëj të qartë se cili është roli i Panelit të Inspektimit. Ky panel është një mekanizëm që raporton drejtpërdrejtë tek Bordi dhe jo tek manaxhmenti ose te Presidenti i Bankës, pra vetëm tek Bordi, për të hetuar nëse Banka Botërore ka ndjekur politikat dhe procedurat e veta. Sipas përcaktimit, ne nuk hetojmë huamarrësin, në këtë rast qeverinë e Shqipërisë ose ndonjë institucion tjetër. Pra thjeshtë, ne shikojmë nëse Banka ka ndjekur politikat dhe procedurat e veta. Mund t'ju siguroj se Banka ka politika shumë të qarta dhe në sytë e shumë njerëzve, e këtu pajtohem edhe unë, politika dhe procedura shumë të mira.
Normalisht do të merrej si e qenë se nëse politikat dhe procedurat janë ndjekur, projekti do të duhet të zbatohej pa probleme dhe nuk do të krijonte këto lloj problemesh të dorës së dytë që do të paraqiteshin. Në këtë kontekst, e gjithë qasja jonë përqendrohet tek Banka.
Ne nuk jemi në gjendje të themi, përmes hetimeve tona, se kush tjetër mund të ishte përfshirë. Për ne ishte me rëndësi të tregojmë për këto gabime të fillimit dhe faktin që gabimet duke mos pasur çdo gjë gati, nuk u rregulluan. Dhe pastaj kur këto shembje u bënë, Banka nuk e informoi Bordin e saj për seriozitetin e një situate që nuk duhej të ndodhte brenda një projekti të financuar nga Banka.
BBC: E kuptoj se ju po thoni se po hetoni vetë Bankën Botërore. Por, ka një koordinator apo Njësi të Projektit. A ka një hetim që po zhvillohet për të?
Kiene: Ne nuk e kemi hetuar zotin Malltezi. Na është dashur të vendosim dhe e kemi bërë këtë, se Njësia e Projektit ose njësia për zbatimin e Projektit i ka informuar autoritetet në sistemin shqiptar se po bëhen punime përgjatë bregdetit jugor në këtë rajon të posaçëm të Jalës dhe se kjo u identifikua përmes fotografive satelitore dhe proceseve të financuara nga Banka. Çështja me të cilën na u desh të merreshim ishte se sapo fillon shfrytëzimi i burimeve të Bankës, duhej të zbatoheshin paketat e posaçme të politikave të Bankës, politika të zhvendosjes së pavullnetshme. Kjo ndodh normalisht. Krejt ajo që ne nxorëm nga hetimet tona ishte që i gjithë ky Projekt i Pastrimit të Zonës Bregdetare po krijonte resurset që financoheshin nga Banka dhe se këto resurse kishin funksione të nxitjes që këto shembje të kryheshin apo dilnin jashtë historisë së Shqipërisë, diçka që qeveria ka aplikuar me vite të tëra. Qeveria shqiptare ka rregulla për të ndjekur.
Në projekte të këtij lloji huamarrësi në Afrikë, në Evropë apo kudo qoftë, pajtohet të ndjekë rregullat e Bankës Botërore. Prandaj, raporti ynë, nëse e lexoni, vendos këtë ndërlidhje se ishte një vendim nga njësia e zbatimit të projektit dhe kreut të kësaj njësie, për të transferuar këto informata tek njësitë e tjera të qeverisë që implikon tani Bankën në këtë aksion të veçantë.
BBC: Doni të thoni se ky është faji i njësisë?
Kiene: Duhet të kishte pasur pikëpamje më të qartë se burimet e Bankës nuk mund të përdoren për të nisur shembje pa u kuptuar qartë se heqja e pronësisë së tokës dhe shtëpive duhet bërë në bazë të politikave të Bankës. Pra, ne mendojmë se projekti nuk ishte aq i kujdesshëm në lidhje me përdorimin e burimeve, por deri këtu mund të shkojë hetimi ynë.
BBC: Si ka mundësi që Banka Botërore të bëjë gabime kaq të mëdha siç i quani ju në raport?
Kiene: Pati një përgjigje me të vërtetë serioze të cilën mund ta keni parë ose do ta shihni në faqen tonë të internetit brenda 24 orësh ku theksohet se shumë gjëra u bënë gabim; pati edhe një takim po aq serioz të martën të Bordit ku Presidenti i Bankës Botërore dhe stafi i tij më i lartë thanë se ishte e tmerrshme që kishin ndodhur gjëra të tilla. Mund ta përmbledhësh thjesht si prishje totale e komunikimit brenda hierarkive të përfshira në të. Kishte njerëz që mendonin se kishin marrëveshje dhe këto janë gjëra shumë serioze. Kur ke marrëveshje me një qeveri sovrane duhet të sigurohesh që e ke këtë marrëveshje. Pastaj kishte një qëndrim ku nuk pranohej se ekzistonte një problem, unë e quaj "qëndrim i i të pagabueshmit", njerëzit nuk donin t'u tregonin shefave te tyre së tyre "kemi një problem dhe na duhet ta zgjidhim". Pra, Banka merr përgjegjësi të plotë për këto probleme, kjo nuk u menaxhua në mënyrë korrekte dhe tani sigurisht po bëhet hetim për të parë se kush shtyu kë!
BBC: Në shtyp ka pasur akuza dhe përmendet fjala korrupsion. Gjetët ju këtë?
Kiene: Më lejo të shpjegoj se pse ne morëm hapin e pazakontë dhe raportuam në lidhje me akuzat për korrupsion në Shqipëri edhe pa pasur një mandat për t'i hetuar këto. Pas shembjeve, pati një mision të ashtuquajtur faktmbledhës me staf të Bankës që shkoi në Shqipëri dhe i takon një misioni të tillë që t'i raportojë shefave të vet se çfarë ndodhi. Asnjë nga këto probleme që papritur i dolën Bankës Botërore, që satelitët e saj u përdorën për të përcaktuar ku do të ndodhnin shembjet, nuk ishin pjesë e raportit. Ndërsa në Shqipëri në atë kohë kur ndodhën këto shembje, dhe e raportojmë këtë fakt në raportin tonë, pati shumë diskutime në Parlament, në gazeta, pati akuza për korrupsion. Normalisht kjo nxit një proces në Bankë për të qenë tepër e kujdesshme. Asnjë nga këto nuk u njoftua, nuk u ndërmor asnjë veprim që t'i përgjigjej kësaj. Për sa i përket Panelit të Inspektimit, sapo morëm ankesën nga Shqipëria, ne morëm një raport nga menaxhmenti i cili i referohej shumë misionit faktmbledhës, përsëri pa përmendur diskutimet serioze politike, akuzat për korrupsion, pra një mungesë përgjegjshmërie nga stafi i Bankës. Për këtë ne raportojmë dhe këto dy faqe nuk kishin qëllim tjetër. Tani ne e dimë se informacioni që ne nxorëm nga burime të ndryshme në atë kohë, po përdoret tani në Shqipëri politikisht nga parti të ndryshme. Më duhet të theksoj se ne kemi një mandat të qartë për të hetuar Bankën dhe jo huamarrësin dhe ne nuk bëmë hetim për të.
Ne nuk gjykojmë dhe nuk mund të gjykojmë për korrupsionin në Shqipëri dhe nuk e konfirmojmë, as nuk e mohojmë atë.
Është një situatë shumë e pazakontë sepse qeveria nuk ka nënshkruar asgjë. Tani Banka dhe qeveria po mundohen të gjejnë një mënyrë për të përdorur fonde të Bankës Botërore për të ndihmuar në zgjidhjen e çështjeve, por është shumë e komplikuar.
Normalisht në një situatë të tillë do të duhej të kishte një marrëveshje ligjore mes një vendi sovran, Shqipërisë, dhe Bankës Botërore e cila do të përcaktonte se si do të zbatohej ky projekt. Në këtë rast të veçantë si të menaxhohet situata ku qeveria ka një proces të vetin për t'u marrë me vendbanimet e paligjshme qe nuk kanë marrë leje, kjo normalisht përcaktohet në një dokument ligjor, asgjë nuk u përcaktua sepse qeveria nuk ra dakord të zbatonte politikën e Bankës.
BBC: Si është e mundur që Banka Botërore e vazhdoi këtë projekt atëherë?
Kiene: Kjo është tani në të ashtuquajturin plan veprimi.
Banka propozon për të mos e vazhduar atë element kritik, pra planifikimin i cili përsëri që mund të çojë në raste kur qeveria mund të mendojë se duhet të ndërhyjë për prishjen në një zonë ku ka plane për projekte të Bankës Botërore. Pra, ekziston plani për ta eklipsuar, për ta hequr këtë nga projekti i cili ka komponentë shtesë p.sh., ekziston plani i Porto Romanos i cili ka pësuar degradim nga ana e mjedisit dhe një pjesë e projektit është të përmirësohet situata e mjedisit aty. Pra, ka dy apo tre komponentë shtesë të cilët mund të vazhdojnë pasi nuk janë prekur nga ky konfuzion në lidhje me atë se si të izolohen nga këto shembje të dhimbshme.
BBC: A do të thotë kjo se projekti në Jalë do të ndalet?
Kiene: Për sa i përket planifikimit, ai pothuajse ka mbaruar. Pati foto satelitore që tregonin se cilat pjesë duheshin përdorur për çfarë, gjë që pastaj solli debate politike dhe spekulime për ndonjë veprim të padrejtë. Banka nuk mund ta vazhdojë këtë pjesë të projektit, por është më se e gatshme të vazhdojë me gjëra të tjera, por kjo është pjesë e planit të veprimit.