Ahmeti: BDI, as majtas, as djathtas
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, tha se është akoma herët që partia e drejtuar prej tij të orientohet ideologjikisht majtas, apo djathtas, në qendër të majtë, apo në qendër të djathtë. Sipas gjykimit dhe analizës së Ahmetit, "shqiptarët në Maqedoni akoma nuk i kanë fituar të gjitha liritë dhe të drejtat e tyre". "Dhe sa kohë që ekziston ky realitet, për aq kohë edhe BDI-ja do të mbetet një parti politike e të gjithë atyre, të cilët kërkojnë dinjitet kombëtar e qytetar, liri kombëtare e qytetare, mirëqenie qytetare dhe jo mirëqenie mbi baza etnike, kulture e tradita kombëtare, por edhe respektim të kulturës së etniteteve të tjera", u shpreh ai. Sipas Ahmetit, Marrëveshja e Ohrit nuk zbatohet as majtas, as djathtas, por vetëm me qartësi, vendosmëri dhe respekt reciprok. "Flamuri shqiptar, gjuha shqipe, kultura dhe traditat shqipe nuk janë as të majta dhe as të djathta, por një aspiratë e ligjshme e të gjithë shqiptarëve që mund të mendojnë edhe ndryshe politikisht. Integrimi i shqiptarëve në Maqedoni, integrimi i Maqedonisë në NATO dhe BE, integrimi i shqiptarëve në rajon me njëri-tjetrin, të gjitha këto problem madhore nuk janë as të majta dhe as të djathta, por një aspiratë e ligjshme e të gjithë qytetarëve që jetojnë në Maqedoni", theksoi kreu i BDI-së.