E Diel, 1 Nëntor 2026

"Rama flet si të jetojnë në kohën e Migjenit"

Arsimi në Shqipëri është në kohën e lulëzimit dhe jo në kohën e mjerimit. Problemi i deklaratave të kryetarit të Partisë Socialiste është perceptimi i tij, duke folur sikur të ndodheshim në vitin 1945 dhe jo në epokën e internetit. Këto kanë qenë deklaratat zyrtare të djeshme, të Ministrisë së Arsimit pas kritikave të kryetarit të Partisë Socialiste. Rama foli dy ditë më parë në Vlorë për barazinë e fëmijëve në fshat e qytete dhe premtoi se asnjë fëmijë nuk do mbetet pa "Abetare" e mësues, duke kujtuar epokën migjeniane. "Ministria e Arsimit shpreh keqardhjen që kryetari i opozitës flet sot me gjuhën e vitit 1945.

Rama duhet ta kishte kuptuar se nuk është ‘Abetarja‘ e mësuesi shqetësim për fëmijët e sotëm në Shqipëri, të cilët kanë jo një, por tri variante ‘Abetaresh‘ në duart e tyre edhe në fshatrat më të largët të Shqipërisë", sqaroi zyrtarisht dje Arsimi. Në deklaratën zyrtare, ministria sqaroi se Rama duhet ta dinte që qeveria ka dhënë 415 milionë lekë vitin e kaluar për librat e nxënësve, sa dyfishi i 2005-ës, që edhe ai fond për subvencionin zhdukej në tregun e zi. Sipas Arsimit, këto dy vite u shpërndanë 2 milionë dollarë për pasurimin me libra jashtëshkollore për bibliotekat në shkolla, në krahasim me 0 lekë fonde të ish-qeverisë socialiste. Qeveria ka dhënë 300 milionë lekë për transportin e 25 mijë nxënësve e mësuesve që e kanë shkollën mbi dy kilometra larg. Në fshatrat e qytetet e Shqipërisë shërbejnë 50 mijë mësues nga 104 mijë punonjës buxhetorë që ka sot gjithë Shqipëria. Javën e kaluar, mediat kanë dhënë pamje nga shpërndarja e 2 mijë laptopëve e videoprojektorëve në të gjitha shkollat e vendit. Pamje të tjera dëshmuan mbërritjen e mbi 7 mijë kompjuterëve dhe printerëve për të gjitha shkollat 9-vjeçare.

"Rama duhet të kuptojë se shkolla migjeniane i përket historisë së tejshkuar të Shqipërisë, ndërsa shkolla e sotme shqiptare është në epokën e shkollave elektronike si në qytet edhe në fshat", përfundon deklarata e Ministrisë së Arsimit.

MASH ka shpallur publikisht para një jave fituesin e vendosjes së internetit në 2000 shkolla të Shqipërisë edhe në fshatrat e largëta.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›