E Diel, 1 Nëntor 2026

Dilemë serbe: Bakojanis vizitoi shtetin e ri të Kosovës?

Në Serbi, mbas vizitave të fundit që ministrja e Punëve të Jashtme të Greqisë, Dora Bakojanis, bëri njëra mbas tjetrës, fillimisht në Beograd dhe më pas në Prishtinë, ende nuk e kanë të qartë dhe janë dilemë, të paktën në pamje të jashtme, nëse kur vizitoi Kosovën, ajo vizitoi shtetin e ri të pavarur të Kosovës, apo një "pjesë" të Serbisë, duke pasur parasysh se Greqia nuk e ka njohur ende pavarësinë e Kosovës. Vizita në Kosovë dhe deklaratat e saj në Prishtinë kanë provokuar këto ditë mjaft polemika e komente në opinionin publik e median serbe, duke ngritur dyshime se mos znj. Bakojanis, një grua tashmë me përvojë në politikën e jashtme ndërkombëtare, bëri në këtë rast një lojë të dyfishtë.

Duhet të theksohet se, sidoqoftë, gjatë vizitës në Prishtinë, ku u takua me Presidentin Fatmir Sejdiu dhe Kryeministrin Hashim Thaçi, shefja e diplomacisë greke e vuri theksin te fakti se ajo po e bënte këtë vizitë si kryesuese e radhës e Organizatës për Bashkëpunimin dhe Sigurimin Evropian (OSBE), ndërsa dihet se Kosova nuk është anëtare e saj, duke vënë në dukje se vizita e saj është "pasqyrim i rëndësisë" që OSBE-ja dhe Greqia i kushtojnë promovimit të paqes dhe të stabilitetit në Ballkan. "Pozicioni ynë është i qartë, pasi kur vijmë këtu (Kosovë), ne vijmë tek EULEX-i dhe KFOR-i", tha z. Bakojanis, sikurse duket, në përpjekje që ta zbuste disi shijen e keqe që la vizita dhe takimet e saj me udhëheqjen më të lartë kosovare në Prishtinë, duke theksuar më tej se "ne po punojmë së bashku dhe do ta vazhdojmë ndihmën tonë në drejtim të Kosovës, por qëndrimi ynë për Kosovën mbetet i pandryshuar".

Greqia, sikurse dihet, ende nuk e ka njohur shtetin e ri të Kosovës, por, sidoqoftë, para se të shkonte në Kosovë, pyetjes së gazetarëve se përse dhe në emër të kujt po shkonte atje, ajo iu përgjigj me diplomaci, se në Prishtinë po shkonte në emër të 56 vendeve-anëtare të OSBE-së, që ende nuk kanë arritur të gjejnë kompromis lidhur me statusin e Kosovës. "Greqia, si fqinje e mike dhe si një vend që ka kryesinë e radhës së OSBE-së, do ta mbështesë Kosovën në aspiratën e saj që të bëhet pjesë e Evropës", tha znj. Bakojanis mbas takimeve me Presidentin Fatmir Sejdiu dhe Kryeministrin Hashim Thaçi.

Por që vizita e shefes së diplomacisë greke në Prishtinë dhe gjuha, qoftë edhe diplomatike, me të cilën ajo foli në Prishtinë, nuk u pëlqye aspak në opinionin publik dhe median serbe, këtë e tregojnë edhe deklaratat e përfaqësuesve dhe të analistëve politikë serbë, sipas të cilëve, duke vizituar Kosovën, ministrja e Jashtme e Greqisë kërcënoi sovranitetin e integritetin territorial të Serbisë dhe mori nëpër këmbë mikpritjen e Beogradit. Më e ashpër ishte sidomos gjuha e liderëve serbë të Kosovës që, sikurse dihet qartë, shprehin atë që nuk e thonë publikisht përfaqësuesit e lartë zyrtarë në Serbi. Një nga këta liderë, Marko Jakshiç, mbas vizitës së znj. Dora Bakojanis në Kosovë, vuri në dukje në njërën nga gazetat kryesore të përditshme serbe ("Gllas javnosti") se tani është e qartë se të gjitha shtetet bëjnë lojë të dyfishtë. "Ai që, me të vërtetë, dëshiron ta respektojë integritetin e Serbisë, nuk ka nevojë të ulet dhe të bisedojë me udhëheqjen separatiste të Kosovës në Prishtinë. Por, megjithatë, vizita e saj në Prishtinë nuk ka pse të na çudisë, ndërsa kihet parasysh qëndrimi i Beogradit ndaj problemit të Kosovës. Rezistenca jonë ndaj pavarësisë së krahinës nuk ka bërë gjë tjetër veçse i ka inkurajuar të huajt që të ndjejnë se nuk ka më pengesa për pavarësinë e Kosmetit", tha Jakshiç.

Kurse për analistin politik serb, Aleksandar Paviç, nuk ka asnjë dilemë se, në rastin e vizitës së ministres së Jashtme të Greqisë, Dora Bakojanis, në Prishtinë, fjala ishte për një vizitë zyrtare në shtetin e Kosovës dhe aspak në "krahinën jugore serbe". "Sapo Dora Bakojanis u takua me Sejdiun dhe Thaçin, ajo u dha atyre legjitimitet. Vetëm se bëri një lëshim diplomatik të vogël, duke vizituar në fillim Beogradin dhe, më pas, Prishtinën. Po ashtu, është plot me dy kuptime deklarata e saj se do ta mbështesë Kosovën në rrugën e saj drejt Evropës, duke hapur kështu, në një farë mënyre, rrugën për ndryshimin eventual të qëndrimit grek, pra edhe për njohjen eventuale të Kosovës", tha analisti serb Paviç.

Sidoqoftë, sentenca konkluduese se ku ka tym, ka edhe zjarr, të lejon të mendohet se vizita e shefes së diplomacisë greke në Prishtinë mund të paralajmërojë njohjen së afërmi nga ana e Greqisë të pavarësisë së Kosovës, për më tepër që këtë, pra njohjen e Kosovës, tani ua kërkon vendeve të Bashkimit Evropian edhe Rezoluta për Kosovën që u miratua me shumicë votash në Parlamentin Evropian në Strasburg.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›