E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ahmeti: Do të ndërtojmë rrugën e Arbrit

Tiranë - Atë që qeveritë shqiptare e kanë premtuar që në fillim të viteve ’90 dhe akoma nuk e kanë arritur, duket se do nxis Shkupi zyrtar i cili përgatitet të ndërtojë rrugën zgjatimin e rrugës së Arbrit nga pika kufitare e Bllatës e deri në Shkup. Këtë e ka premtuar për kryeministrin Berisha Kryetari i Partisë Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) të Maqedonisë, Ali Ahmeti me të cilin zhvilloi një takim në selinë e Kryeministrisë.

Kreu i BDI-së u shpreh se ketë pranverë do të fillojë ndërtimi i vazhdimit të rrugës së Arbrit, në territorin e Maqedonisë, si dhe është shpallur tenderi për ndërtimin e hekurudhës që lidh kufirin shqiptar me qytetin e Shkupit.

Kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë e tij për këtë lajm dhe theksoi se ndërtimi i këtyre rrjeteve lidhëse janë prioritet i tij dhe i qeverisë shqiptare.

Kryeministri Berisha i shprehu gjithashtu z. Ahmeti falënderimet për organizimin e shkëlqyer të 100 vjetorit të Kongresit të Manastirit, që për shqiptarët shënon një ndër ditët më të ndritura të historisë kombëtare. Edhe z. Ahmeti, nga ana e tij, falënderoi Kryeministrin Berisha për ndihmën dhe angazhimin e tij dhe të qeverisë shqiptare për mbajtjen e aktiviteteve në kuadër të këtij jubileu.

Duke u ndalur edhe në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Shqipëri dhe ato presidenciale dhe lokale në Maqedoni, Kryeministri Berisha dhe kryetari i BDI-së Ahmeti theksuan angazhimin e tyre për të bërë të gjitha përpjekjet për realizimin një procesi zgjedhor të lirë dhe të ndershëm.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›