E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sejdiu: Zgjedhjet e përgjithshme në 2011

Prishtinë-Zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë do të mbahen në vitin 2011, duke vijuar mandatin e institucioneve, mandat që e kanë nisur në vitin 2007. Lajmi është bërë i ditur nga presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu gjatë një takimi me përfaqësuesin Civil Ndërkombëtar në Kosovë, Piter Feith. “Sejdiu e njoftoi z. Feit me vendimin e tij që institucionet qendrore të Kosovës, të zgjedhura në mënyrë demokratike nga zgjedhjet e nëntorit të vitit 2007, do të vazhdojnë mandatin e plotë sipas Nenit 161 të Kushtetutës së Republikës dhe akteve të tjera juridike në fuqi”-thuhet në një deklaratë nga presidenca e Kosovës.

Nga ana e tij, Piter Feit e siguroi Presidentin Sejdiu se vendimi i tij është në përputhshmëri të plotë me Dokumentin Gjithëpërfshirës të Presidentit Ahtisaari. Lidhur me vendimin për kohën e mbajtjes së zgjedhjeve lokale, Presidenti në bazë të kompetencave të veta, do të bëjë konsultimet dhe do të marrë vendimin në kohën e paraparë me Kushtetutë dhe me ligjet në fuqi.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›