Ahmeti: Njerëz të afërt me qeverinë kanë blerë tokat nga kalon autostrada

Nënkryetari i Vetëvendosjes, Shpend Ahmeti ka thënë se sot qytetarin e Kosovës e gjen më të papunë, se sa që ishte një vit më parë dhe më të gënjyer, se sa që ishte një vit më parë. Ndërkohë sipas tij kryeministri i vendit, Hashim Thaçi, deklaron se qytetarët e Kosovës po jetojnë në një shtet ekonomikisht të zhvilluar dhe pa kurrfarë probleme.
Ahmeti ka kritikuar ekzekutivin e vendit për mos planifikimin e duhur, pasi që sipas tij fondet nga Fondi Monetar Ndërkombëtar nuk u dhanë, dhe gjithashtu dështoi edhe privatizimi i Postës, që ishte një e hyrë e sigurt, duke e sjellur një situatë të palakmushme fiskale në fund të vitit 2011.
Gjithashtu ai ka kritikuar edhe planin për zhvillim ekonomik “të Banskos”, që sipas tij është një plan i hartuar në powerpoint dhe nuk zgjidh problemet ekonomik të Republikës së Kosovës.
Ai më shumë është habitur me faktin që kjo qeveri kishte paraparë rritje ekonomike gati dy shifrore dhe ulje të papunësisë në numër dy shifror.
Ahmeti ka theksuar se para disa ditëve ka vizituar disa fshatra të Komunës së Malishevës, dhe në bisedat me banorët ka kuptuar që njerëzit kanë blerë pronat më herët, që tash në ato prona do të kalojë autostrada.
“Ne gjatë javëve të kaluara vizituam edhe fshatrat e Malishevës, ku do të kalojë autostrada dhe siç e dini ka devijuar dhe do të shkojë kah Malisheva. Aty i mësuam disa fakte që nuk i kishim ditë më herët, gjatë procesit të privatizimit shumë njerëz të afërt me qeverinë kanë blerë toka aty me çmim për 9 euro për ari tokë. Nuk e di ka çmim më të lirë se 9 euro për ari tokë, ndërsa tash me proces të shpronësimit sivjet në Komunën e Malishevës toka do të blehet me 900 euro ari. Mund të paramendohet çfarë investimi është ky. Po të investosh 10 mijë euro euro në këtë biznes, mund t’i fitosh 1 milion, dhe kjo është afera më e madhe në vendin tonë që pritet të ndodh në vitin 2012”, ka thënë Ahmeti.
Ai nuk ka dashur që të jap emrat të këtyre zyrtarëve, pasi që siç ka thënë ai janë duke u bërë hulumtime më shumë në këtë drejtim. Sipas tij shumë shpesh ndodh që emrat i fshehin prapa personave tjerë, ndërsa nuk ka ngurruar të thotë që devijimi i autostradës është bërë pikërisht për shkak të kësaj.
Nga ana tjetër, Dardan Sejdiu ka thënë se Kosova vazhdon të mbetet vendi me normën më të lartë të papunësisë në rajon dhe me model ekonomik, i cili krijon më shumë të papunë, se sa ka potencialin për punësim.
Ai ka thënë se nga privatizimi i janë shitur 304 ndërmarrje, ndërsa një mesatare e nxjerrë del se një ndërmarrje është shitur për 1.9 milionë euro.
Për më tepër, ai ka shtuar se me ato pak ditë të reciprocitetit është parë që ky vend mund të krijojë vlerë, mund të krijojë prodhim dhe mund të gjenerojë punësim. Ndërsa ka shtuar se ky model ekonomik i kësaj qeverie është të shet asetet për të financuar çeçe bllanko dhe për të importuar mallra, duke dërguar paratë e qytetarëve të Kosovës në vendet tjera.
Sejdiu ka dhënë edhe disa shifra për papunësinë dhe varfërinë, ndërsa sipas tij rreth 300 mijë njerëz në Kosovë nuk kanë para për të marrë kaloritë për jetë të shëndetshme.
“Vitin 2011 e përfundojmë me papunësi, 45 % të personave të aftë për punë janë të papunë në Kosovë, 34 % jetojnë në varfëri në më pak se 1.42 euro në ditë dhe 18 % jetojnë në vafëri të skajshme me 94 cent në ditë. Ose thënë me troç 300 mijë qytetarë të Republikës se Kosovës nuk kanë para për të marr kaloritë për jetë të shëndetshme. Dhe për më shumë në tregun e punës çdo vit hynë 35 mijë, dhe kjo ekonomi i gjeneron vetëm 6 mijë vende të punës, pra çdo vit këtij vendi i shtohen 29 mijë”, ka thënë Sejdiu.
Madje ai ka thënë se është e çuditshme që vendet e eurozonës për çdo ditë flasin për krizën e eurozonës, ndërsa asnjë nga ministrat e kabinetit qeveritar të ne nuk ka folur asnjë fjalë për këtë krizë. Sipas tij Kosova ka 1.5 miliardë euro të qytetarëve të Republikës së Kosovës jashtë, para të ekspozuara në eurozonë. /kp/