Izolimi, sherri i Serbisë

Udhëheqësit e sportit kosovar, vitin 2011 e patën nisur duke e quajtur vit të ndërkombëtarizimit. Por, parashikimet e tyre dolën të jenë të dështuara, tani kur kanë mbetur vetëm edhe pak ditë deri në përfundim të këtij viti.
Në fakt, gjatë tërë vitit 2011, vetëm Federata e Shigjetarisë e Kosovës është ndërkombëtarizuar me drejta të plota, derisa Federata e Skijimit e Kosovës është pranuar nga ana e Federatës Ndërkombëtare të Skijimit, por me disa kufizime, të cilat pritet të hiqen gjatë vitit 2012.
Mirëpo, përveç Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), i largët ka mbetur edhe ndërkombëtarizimi i dy sporteve kryesore të Kosovës – futbollit dhe basketbollit.
Krerët e Federatës së Futbollit dhe ata të Federatës së Basketbollit të Kosovës e kanë fajësuar më së shumti shtetin serb që i pengoi rrugës së tyre drejt inkuadrimit në organizatat përkatëse ndërkombëtare.
“Kjo është vazhdë e politikës globale karshi Kosovës. Andaj, pranimi i Kosovës është bërë i vështirë në çdo organizatë ndërkombëtare. Por, edhe më i vështirë është bërë në organizatat ndërkombëtare të sportit, edhe pse nuk është dashur të bëhej të paktën në sport”, tha nënkryetari i FFK-së, Agim Ademi.
“Ne si FFK kemi aplikuar në mënyrën më të mirë të mundshme për ndërkombëtarizim. Por, Qeveria e Serbisë na ka penguar jashtëzakonisht shumë, pasi ata janë të vetëdijshëm se prezantimin më të mirë Kosova nëpër botë do ta bënte nëpërmjet futbollit, por edhe nëpërmjet sporteve të tjera. Mos të harrojmë se Ministria e Sportit e Serbisë pati bë çmos derisa e pengoi zhvillimin e miqësores Kosovë – Brazil”, tha Ademi, i cili si asnjëherë më parë është i bindur se në vitin 2012, FFK-ja do të bëhet anëtare e FIFA-s dhe UEFA-s.
Në anën tjetër njëjtë sekretari i FBK-së, Nazmi Paçarada mendon se përveç lobit serb në rrugën drejt ndërkombëtarizmit, mbrapa i ka lënë edhe mospranimi i Kosovës në Kombet e Bashkuara (OKB).
“Përveç lobit shumë të madh serb, ne na ka penguar edhe statuti i FIBA-s. Sipas statutit, Kosova fillimisht duhet të anëtarësohet në OKB, e më pas në FIBA. Mirëpo, ne shpresojmë se nga fillimi i vitit 2012 do të na lejohet të marrim pjesë në gara ndërkombëtare me klube, derisa ndërkombëtarizohemi plotësisht”, u shpreh Paçarada.
Në anën tjetër, edhe kreu i KOK-ut, Besim Hasani ka pohuar se lobi serb e ka penguar shumë sportin kosovar në procesin e ndërkombëtarizimit. Megjithatë, ai theksoi se është bërë progres në këtë segment, duke e përmendur ndërkombëtarizimin e plotë të Federatës së Shigjetarisë, dhe atë të kushtëzuar të Federatës së Skijimit.
Ai po ashtu e përmendi edhe miratimin e Ligjit për sport, për të cilin tha se shumë gjëra do t’i qet në binar, brenda kufijve të Kosovës, duke filluar nga Viti i Ri. Edhe Hasani e ka shprehur bindjen e tij se Kosova do të përfaqësohet nga sportistët e saj në Olimpiadën ‘Londra 2012’. “Unë sinqerisht besoj se do të marrim pjesë në Olimpiadë”, tha ai.
Edhe federatat e tjera më të vogla nuk qëndrojnë hiq më mirë në procesin e ndërkombëtarizimit të tyre. Kështu, Kosova po e kalon edhe vitin 2011 me vetëm tri federata të ndërkombëtarizuara plotësisht, atë të Shigjetarisë, të Pingpongut dhe të Peshëngritjes.
Edhe katër federata të tjera kosovare janë të ndërkombëtarizuara, por me kufizime. Ato janë: Federata e Hendbollit, Xhudos, Mundjes dhe Skijimit. Mirëpo, në dallim prej vitit 2011, gjatë vitit 2010 nuk qe bërë asnjë hap i vetëm përpara.