E Diel, 1 Nëntor 2026

Ahmeti: Nuk ka asgjë të keqe nga bashkimi i opozitës

Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti sërish ka përshëndetur nismën e dy partive më të mëdha opozitare shqiptare PDSH dhe RDK për bashkëveprim politik.

Ai ka hedhur poshtë pretendimet e PDSH-së se deklaratat e tij janë cinike dhe hipokrite rreth bashkëpunimit opozitar.

“Unë me dashamirësinë më të madhe përshëndeta të gjithë iniciativat që bëhen nga partitë opozitare, pavarësisht që ata bashkohen kundër BDI-së. Vetëm sinqerisht e kam pasur vetëm le të bashkohen, sepse nga bashkimet asgjë të keqe nuk ka, por dikujt shëndet ti thuash plaç i duket. Unë nuk jam as cinik e as hipokrit sepse jo vetëm unë por të gjithë bashkëluftëtarët e mi e kemi pasur mision që shqiptarët të bëhen bashkë dhe këtë e dëshmuam në vitin 2002 me Këshillin Koordinues”, theksoi Ahmeti.

Sipas tij, kjo është dëshmuar edhe me qasjen korrekte dhe demokratike ndaj çdo force politike dhe nuk është përdorur fjalori i sharjeve dhe ofendimeve ndaj asnjë partie apo individi politik.

“Nuk është pjesë e axhendës dhe programit që ne ti fusim në konflikt shqiptarët, ne shqiptarët duam që ti shohim bashkë dhe nga ky parim unë përshëndeta nismën e partive opozitare, por sa më bashkë bëhen ata më të fortë jemi ne. Ne çdo herë hapur e kemi thënë se të hiqen kufijtë në Ballkan dhe të hiqen kufijtë ndër shqiptarë sepse kufijtë janë e keqja e njerëzimit”, theksoi kreu i BDI-së.

Sipas tij, pjesëmarrja e subjektit që drejton ai ka hyrë si pjesë e koalicionit qeveritar për të bërë mirë në favor të kombit dhe popullit shqiptar, sepse siç tha Ahmeti vetëm në këtë mënyrë mund të ecet përpara.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›