E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ahmeti: Referendumi për çështjen e emrit, i panevojshëm

Referendumi për çështjen dhe kontestin e emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë nuk do të ishte i nevojshëm pasi në këtë rast do të duhej një konsensus i përbashkët mes të gjitha partive politike. Populli ka dhënë mandat në zgjedhje të lira që të zgjidhin çështje madhore dhe nëse do të shkohej në referendum, nuk do të duhej të kishte zgjedhje të lira, parlament apo qeveri. Kështu ka deklaruar kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, qëndrim të cilin ai e shpalosi pas takimit me ambasadorin e Shqipërisë në Maqedoni, Arben Çejku. "Pa konsensus mes të gjitha forcave politike nuk guxojmë të hyjmë në aventura pa ditur ku dhe në ç'drejtim na çojnë ato akrobacione", tha Ahmeti. Ai bëri të ditur se në Qeveri nuk është diskutuar për mënyrën e organizimit të referendumit, por ka ekzistuar si ide e tillë që mund të arrijë deri tek organizimi i referendumit. Asnjëra palë nuk ka paraqitur argumente të fuqishme se përse duhet të organizohet referendum. "Përderisa ne na kanë zgjedhur qytetarët për të zgjedhur dhe përmbyllur problemet nga më të ndryshmet që ballafaqohet shteti, atëherë duhet të gjejmë forcë dhe guxim që të përmbyllet edhe ky problem, përndryshe nëse çështjet do t'i zgjidhnim me referendume atëherë nuk kishte nevojë që të mbahen zgjedhje të lira dhe të formohej parlamenti, ekzekutivi etj.", tha Ahmeti, kryetar i BDI-së.
Në takimin Ahmeti dhe Çejku kanë biseduar edhe për raportin e progresit të Maqedonisë, dhe të dy bashkëbiseduesit janë shprehur se Shqipëria do të luajë rol konstruktiv dhe do të lobojë për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe hapjen e bisedimeve me Bashkimin Evropian

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›