E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, një i vdekur nga moti i keq

ATHINË- Një person humbi jetën ndërsa një tjetër rezulton i zhdukur, pasi stuhitë dhe reshjet e dendura përmbytën rrugët, shtëpitë dhe fermat në pjesë të ndryshme të Greqisë, bënë të ditur burime zyrtare.
Trupi i një 41-vjeçari u gjet nga efektivë të rojës bregdetare në qytetin Volos, në Greqinë Qendrore. Viktima ishte mbytur pasi erërat e fuqishme kishin përmbysur varkën e tij, njoftoi rjoa bregdetare greke.
Një person tjetër rezulton i zhdukur, pasi automjeti i tij u përfshi nga një lum i rrëmbyeshëm në rajonin e goditur më rëndë Pieria, afro 400 kilometra në veri të kryeqytetit helen.
Skuadrat e zjarrfikësve shpëtuan 10 persona të bllokuar në shtëpitë e tyre në veri dhe në pjesën qendrore të Greqisë. Dhjetëra bagëti u mbytën, ndërsa shumë ferma dhe sipërfaqe të tëra me të mbjella u përmbytën.
"Kemi marrë më shumë se 250 telefonata për ndihmë nga përmbytjet gjatë fundjavës", deklaroi një zyrtar i shërbimit zjarrfikës, i cili kërkoi të mbetej anonim.
Rruga nacionale ndërmjet Athinës dhe Peloponezit ishte bllokuar për shkak të baltës dhe rrëshqitjes së dheut, deklaroi policia.Shërbimi Kombëtar i Parashikimit të Motit (EMY) njoftoi se stuhitë pritet të vazhdojnë edhe gjatë natës së sotme dhe nesër.
Në muajin gusht, zjarre të fuqishëm përfshinë periferitë e Athinës, duke shkatërruar mijëra hektarë me pyje dhe duke detyruar mijëra banorë të braktisin shtëpitë e tyre.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›